Eros Grezda, pasardhësi i Pjacës te Dinamo Zagreb

Jul 26, 2016 | 13:23
SHPËRNDAJE

Eros Grezda mund të jetë pasuesi i Marko Pjacës te Dinamo e Zagrebit. Mediat kroate kanë publikuar lajmin e bujshëm për mesfushorin e Kombëtares Shpresa. 21- vjeçari ka zhvilluar një sezon fantastik me ekipin e Lokomotivës së Zagrebit dhe ka tërhequr vëmendjen e gjigantëve kroatë.

grezda

Lajmi për transferimin e tij në ekipin më të madh kroat është pasqyruar gjerësisht nga të gjitha mediat. Grezda shihet si pasardhësi i talentit Marko Pjaca, i cili përpara disa ditësh vendosi të linte Zagrebin për të luajtur me Juventusin. Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar se Lokomotiva kërkon të paktën 1 milion euro për ta lënë të lirë lojtarin shqiptar.

Interesimi

Gazeta kroate “Sn Revija” i ka dedikuar një faqe sulmuesit shqiptar dhe publikon mes të tjerash lajmin për interesimin e Dinamos së Zagrebit. “Grezda është një lojtar që ka spikatur në kampionatin kroat dhe është mësuar me kushtet këtu. Ai është një pasardhës i denjë për Marko Pjacën, sepse ngjasojnë shumë në mënyrën se si luajnë. Madje edhe roli që mbulojnë në fushën e lojës është thuajse i njëjtë. Grezda luan si mesfushor i avancuar, ashtu siç ka luajtur gjatë gjithë kësaj kohe edhe Pjaca te Dinamo e Zagrebit”, shkruan gazeta e njohur kroate.

Grezda

Flet lojtari

“Panorama Sport” ka kontaktuar me 21- vjeçarin e Kombëtares Shpresa për konfirmimin e këtij lajmi dhe ai ka pohuar gjithçka. Megjithatë, Grezda thotë se ka ende 3 vite kontratë me skuadrën e tij dhe nuk e di se çfarë do të bëjë në të ardhmen. “Është e vërtetë. Në ditët e fundit e kam mësuar edhe unë që po flitet për një transferim të mundshëm te Dinamo e Zagrebit, mirëpo ende nuk ka asgjë konkrete. Presidenti dhe trajneri i tyre kanë ndjekur rregullisht ndeshjet e Lokomotivës dhe sidomos mua”, ka thënë Grezda.

rrahmani grezda

Ai ka folur gjithashtu edhe për krahasimin që i kanë bërë me Marko Pjacën, i cili shihet si një nga talentet më të mëdhenj kroat të viteve të fundit. “Është një ndjenjë shumë e mirë dhe ndihem i lumtur duke e ditur se çfarë klubi është Dinamo e Zagrebit dhe çfarë lojtarësh kanë luajtur aty”, shtoi më tej Grezda. Eros Grezda aktivizohet prej 2 vitesh në ekipin e Lokomotivës së Zagrebit dhe ka në ekip edhe 2 shqiptarët e tjerë, Prenga dhe Çekiçi. Kartonin e këtij të fundit e zotëron pikërisht Dinamo.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura