Ermonela Jaho, tri ditë kurs me këngëtarët e operës

Mar 11, 2016 | 15:02
SHPËRNDAJE

“Mendja nuk duhet të jetë një enë që mbushet, po një zjarr që ushqehet gjithmonë”. Për të dytën herë, sopranoja Ermonela Jaho, nominuar së fundmi nga “International Opera Awards” në Readers’Award, rikthehet në Shqipëri me këtë moto.

Ermonela Jaho në operan “Suor Angelica”
Ermonela Jaho në operan “Suor Angelica”

Megjithëse me një kalendar tepër të ngjeshur artistik dhe një ngarkesë fizike e emocionale pas interpretimit të “Suor Angelica” në Royal Opera House në Londër, prej ditës së djeshme, duke vijuar sot e nesër, ajo ka nisur fazën e dytë të kursit të specializimi për këngëtarë lirikë, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Pas kontributit dhënë në tetor të vitit 2015, Ermonela Jaho, një nga këngëtaret lirike më të kërkuara në skenat botërore, është rikthyer në Tiranë, për të ndarë pak nga eksperienca e saj me artistët e rinj të TKOB-it dhe studentë të Universitetit të Arteve. Ka qenë vetë ajo ideatore e masterklasit “Kurs specializimi për këngëtarë lirikë”, një projekt ky që është mbështetur plotësisht nga TKOBAP.

Ermonela Jaho do të bëhej e para artiste që iu përgjigj thirrjes e filozofisë “TKOBAP shtëpia e të gjithë artistëve shqiptarë të kudondodhur”, duke kontribuar në kalendarin artistik të teatrit, çka u ndoq më pas edhe me shumë artistë të tjerë shqiptarë që e zhvillojnë karrierën e tyre jashtë vendit.

Ashtu sikurse edhe në fazën e parë, qëllimi i këtij projekti tepër të vlefshëm është të frymëzojë artistët e rinj e të ndihmojë në përgatitjen e përditshme të tyre për të arritur majat e shprehjes artistike.

Sipas drejtuesve të TKOB, “ky kurs specializimi është një mundësi e jashtëzakonshme për rritje artistike për artistë të rinj dhe studentë të artit lirik, të cilët shumë shpejt mund të jenë potencial i gjeneratës së re pranë Teatrit”. Në këtë fazë të dytë, të shoqëruar nga pianistja e institucionit Ardita Bufaj, janë përzgjedhur të punojnë me sopranon Jaho këngëtarët e rinj Zana Abazi, Ulpjana Aliaj, Denis Skura, Marina Kurti, Antonio Zefi, Ivana Hoxha dhe Enkelejda Kamani.

Kursi i specializimit do të finalizohet me një koncert në hollin e TKOBAP, në datën 12 mars 2016, ora 19:00, në të cilin do të interpretojnë pjesëmarrësit në kursin e specializimit, me koncertmaestër Ardita Bufaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura