Ermonela Jaho nderohet nga Albanian Excellence: Dashuria ime për vendin është pa kushte

Mar 17, 2019 | 22:20
SHPËRNDAJE

“Unë gjithnjë, në çdo hap dhe frymë në rrugën time si artiste, kam komunikuar atë çka kam nga vendi im, në të gjithë botën, pa pasur asnjë lloj pritshmërie nga askush. Dashuria ime për vendin është e pakondicionuar në kuptimin e vërtetë të saj”, shkruan Ermonela Jaho, sopranoja me famë botërore, në një mesazh dërguar themelueses së Albanian Excellence, Flora Nikolla, pasi Juria e Çmimit Mbarëkombëtar “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë” i akordoi në unanimitet të plotë Çmimin e madh, Albanian Excellence.

Edhe pse çdo ditë është një sukses në karrierën e saj, edhe pse emri i Ermonela Jahos është ndër më të kërkuarit në skenat më të mëdha botërore, herë për të luajtur Violetën, herë Cio Cio San-in, herë Suor Angelican, e të tjera heroina të operistikes botërore, sopranoja nuk e ka harruar për asnjë moment prejardhjen e saj shqiptare, të cilën është përpjekur ta vërë në dukje kudo që ka shkelur.Ermonela-Jaho-1-720x340

Njoftimin për nderimin që i bëhet në vendin e saj ajo e ka pritur me shumë mirënjohje, dashuri e përulësinë e një njeriu të madh, që suksesin e ka arritur vetëm falë punës. “E nderuar zonja Nikolla, ju falënderoj nga zemra për këtë nderim që më është bërë nga ‘Zonjat që bëjnë Shqiptarinë’ dhe Albanian Excellence”, shkruan Ermonela Jaho, e cila momentalisht është e angazhuar me rolin e Violetës në operën “La Traviata” në Royal Opera House, në një produksion nën dirigjimin e Antonello Manacorda.

Në krah të tij do të interpretojë tenori Charles Castronovo, në rolin e Alfredo Germont, ndërsa në rolin e plakut Germont interpreton Plácido Domingo. Duke kërkuar ndjesë për mospjesëmarrjen e saj për shkak të axhendës së parazënë në muajin dhjetor, kur do të ndahet ky çmim dhe kur do të organizohet ceremonia e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, artistja shkruan: “Mbaroj në Londër nga fundi i dhjetorit dhe kthehem në NY.

Nëse duhet ta tërheqë dikush çmimin, mund të vijë një pjesëtar i familjes sime. Ju uroj suksese në punën tuaj për të promovuar dhe njohur bashkatdhetarë, që me shumë punë dhe sakrifica kanë krijuar dhe krijojnë energjinë pozitive të vendit tonë nëpër botë”, përfundon mesazhin e saj, Ermonela Jaho.

Juria e Çmimit Mbarëkombëtar të Albanian Excellence “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, e përbërë nga përfaqësues të njohur të medias mbarëshqiptare, në mbledhjen e parë të nisjes së procedurave të këtij çmimi në Tiranë, në unanimitet akorduan me “Çmimin e Madh Albanian Excellence” sopranon e mirënjohur shqiptare, zonjën Ermonela Jaho, si simbol i suksesit dhe famës së shqiptarizmës në një dimension botëror.

Po ashtu, Juria e Çmimit Mbarëkombëtar të Albanian Excellence “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë” votoi në unanimitet të plotë që një nga çmimet e “Zonjave që bëjnë Shqiptarinë” të mbajë emrin Ermonela Jaho.

Çmimi “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë” është një çmim mbarëkombëtar, organizuar për herë të parë pas titullit “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, i cili iu është akorduar grave të suksesshme në profesionet e tyre. Mjeke, avokate, artiste, sipërmarrëse, gazetare, ushtarake etj., e kanë merituar këtë titull për punën e tyre të përkushtuar dhe të pabërtitur.

“Kjo është hera e parë që të gjitha çmimet që do të prezantohen nga fusha të ndryshme profesionale për zonjat, që do të nderohen me ‘Zonjat që bëjnë Shqiptarinë’, do të mbajnë emra zonjash të suksesit mbarëkohor shqiptar. Është një nder, që caktimi i emrave të çmimeve do të nisë më emrin e sopranos Emonela Jaho”, u shpreh presidentja e Albanian Excellence.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura