Ermonela Jaho. Mes rolit të kurtizanes dhe bamirëses

Dec 8, 2014 | 15:12
SHPËRNDAJE

Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu, në operën “Traviata”
Prej datës 5 dhjetor në Operën Shtetërore të Vjenës po shfaqet “Traviata”, ku sopranoja shqiptare luan rolin e Violetës. Bashkë me të edhe një tjetër yll nga Shqipëria, tenori Saimir Pirgu. Në datën 14 dhjetor, sopranoja do të jetë në Tiranë për një koncert bamirësie

Një fundvit i ngjeshur ky për sopranon Ermonela Jaho. Nga skena e Teatrit të Vjenës në atë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Nga tragjedia e kurtizanes Violetë, drejt një misioni human, në një koncert bamirësie. Prej datës 5 dhjetor, në skenën e Teatrit Shtetëror të Vjenës po shfaqet një nga operat më popullore të Giuseppe Verdit “Traviata”. Në dy rolet kryesore, atë të Violetës dhe të Alfredos, interpretojnë dy yjet shqiptarë Ermonela Jaho dhe tenori Saimir Pirgu. Pas interpretimit së bashku të së njëjtës vepër në Covent Garden në Londër, Jaho e Pirgu kthehen sërish në të njëjtën skenë, por kësaj here në Vjenë. Vepra do të dirigjohet nga Myung-Whun Chung, regjia nga Jean-François Sivadier. Por duket se kjo vënie do të ketë një ngjyrim tërësisht shqiptar. Përpara shfaqjes Jaho shkruante në faqen e saj në Facebook: “Nesër, premiera e ‘Traviates’ në Operën e Vjenës, me kolegun tim bashkatdhetar Saimir Pirgu dhe shumë kolegë të tjerë shqiptarë në skenë dhe orkestër… Ndihem si në shtëpi…”. “Traviata” do të shfaqet në datat 8, 12 dhe 16 dhjetor, për të vijuar në marsin e vitit që vjen. Dhe vetëm në dy ditë pauzë mes dy shfaqjeve, sopranoja Ermonela Jaho do të fluturojë drejt Tiranës, për të dhënë ndihmesën e saj në një kauzë të rëndësishme. “Nuk ka rëndësi sa ndihmojmë, por sa dashuri dhurojmë teksa ndihmojmë”. Kjo është motoja e koncertit të bamirësisë që do të zhvillohet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, në datën 14 dhjetor. Një koncert në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuara, i cili organizohet nga Caritas Shqipëria, Ministria e Kulturës dhe TKOB. Në krah të sopranos Ermonela Jaho do të jetë edhe baritoni Gëzim Myshketa, një tjetër emër i rëndësishëm operistik që po korr sukses në skenat e vendit fqinj Italisë. Biletat shiten pranë TKOB dhe Caritas.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura