“Ermonela Jaho, ‘Madame Butterfly’ më e mirë e momentit”

Jul 12, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

“Cio Cio San-i më i mirë i momentit”. Kështu është konsideruar sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, e cila do të korrte suksesin e radhës, duke konfirmuar edhe një herë vendin e saj, ndër yjet e operistikes botërore. Këtë herë në një nga sallat më magjike franceze, Choregies D’Orange, e shoqëruar nga L’Orchestre Philharmonique de Radio France, nën drejtimin e Mikko Franck.

Ermonela Jaho dhe Bryan Hymel në “Madame Butterfly” në Choregies D’Orange
Ermonela Jaho dhe Bryan Hymel në “Madame Butterfly” në Choregies D’Orange

Kanë qenë një sërë komponentësh që i kanë dhënë sukses veprës, që nga skenografia, te regjia dhe zërat e këngëtarëve, por suksesi i padiskutueshëm duket se është meritë e sopranos shqiptare, e cila ka mishëruar në mënyrë perfekte dramën e heroinës së Puçinit në operën “Madame Butterfly”.

Kritika dhe media franceze ka folur me superlativa për sopranon, e shpallur si më e mira në botë në Opera Award, në muajin maj, falë përzgjedhjes së publikut.

“Ermonela Jaho provoi edhe një herë se është një nga interpretueset më të mira të këtij roli, aq sa duket sikur roli i Baterflait është shkruar pikërisht për zërin e saj. Ç’të themi përveçse duket sikur ajo mbart në vetvete gjithë arritjen e kësaj mbrëmjeje të mrekullueshme përmes inteligjencës së interpretimit, muzikalitetin e saj dhe një mishërim teatral me një sinqeritet goditës.

Të gjitha etapat përmes të cilave kalon personazhi janë të pranishme: nga vajza e re në aktin e parë, te nëna e shkatërruar në të tretin, duke kaluar nga e dashura e vetmuar në aktin e dytë”, shkruan Sebastien Herbecq në “Bachtrack”.

Sipas tij, Jaho shpalos të njëjtat kërkesa të larta si në aspektin e interpretimit muzikor, ashtu edhe autorial.

“Nëse ‘Butterfly’ nuk fal interpretime mediokre të kryerolit, ajo gjithashtu është një zbuluese e temperamentit dhe e talentit të fuqishëm. Kjo paraqitje në Choregies, version i 2016-s, ndoshta nuk ka zbuluar Ermonela Jahon (e mirënjohur tashmë), por ka konfirmuar gjerësisht vendin e saj në majën e interpretuesve të këtij roli.

Dhe publiku nuk gabon duke u ngritur më këmbë e duke i rezervuar një duartrokitje të gjatë të merituar. Nën yjet e Orange-s magjia ndodhi, sërish”, shkruan ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura