Ermonela Jaho: Ka xhelozi në Shqipëri, por unë s’heq dorë…

Nov 5, 2012 | 14:42
SHPËRNDAJE

Sopranoja shqiptare me famë botërore, pas qëndrimit disaditor në Tiranë, i kthehet axhendës artistike në skenat ndërkombëtare. Me gjithë zhgënjimin e një aktiviteti të anuluar, Ermonela Jaho thotë se nuk do të heqë dorë nga skena shqiptare, edhe pse për ta thënë “po”-në do të mendohet dy herë. Karriera e artistes nga fillimet e ndrojtura, kur mezi merrte lejen e qëndrimit në Itali për hir të kombësisë shqiptare, deri te sukseset e mëdha.

Ermonela Jaho është nga ato artiste, të cilat i gjen rrallë në Shqipëri. Jo sepse është e zonja. Kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar, ndryshe emrin e saj nuk do ta gjeje në kalendarët e teatrove më të rëndësishëm të botës, por sepse është korrekte si një orë zvicerane, e qeshur, modeste dhe e drejtpërdrejtë. Nuk ka qejf t’u bëjë bisht pyetjeve, veçse nëse ato lidhen me jetën e saj private, të cilën ajo do ta lërë pas kuintash. Përpiqet t’i lërë pa shpine gjithë ngjarjet e pakëndshme… Ndoshta kjo është strategji që e ndihmon të mos e ngarkojë veten emocionalisht. Erdhi në Tiranë për të marrë pjesë në festivalin operistik “Marie Kraja”, por iu desh të kthehej mbrapsht, për shkak se aktiviteti, në edicionin e tij të 13-të, nga sa na thotë sopranoja, nuk zhvillohet për mungesë fondesh. E zhgënjyer? Pa dyshim! Iu desh të anulonte një aktivitet në Berlin, megjithatë ajo nuk e bën çështjen personale. Më së shumti i vjen keq për “dhunën” që i bëhet kulturës shqiptare. Nga incidenti i fundit ajo flet mandej për karrierën e saj, që nga fillimet te sukseset në skenat e mëdha botërore.

Në rolin e Violetës në operën “Traviata” të Verdit

Gjendeni në Tiranë prej disa ditësh. Tashmë është përhapur lajmi i pjesëmarrjes suaj në festivalin operistik “Marie Kraja” në cilësinë e kryetares së jurisë…
Ndonjëherë të papriturat vijnë pikërisht atëherë kur nuk i pret. Vendosa të vija në Shqipëri, për të marrë pjesë në këtë kompeticion të rëndësishëm të muzikës operistike shqiptare, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë mësoi lajmin që festivali nuk do të organizohet, domethënë u anulua gjithçka. Arsyeja qenka mungesa e fondeve për të realizuar këtë edicion të 13-të të festivalit “Marie Kraja”. E mora me shumë dëshirë këtë angazhim, pas vitesh të tëra kërkese të vazhdueshme për të qenë e pranishme. Për më tepër, që për praninë time në Tiranë m’u desh të anuloja një shfaqje që kisha në Berlin. Angazhimet e mia artistike nuk më kanë mundësuar praninë këtu, por këtë herë e ndava mendjen. Mora një javë leje për të qenë më në fund pjesë e një festivali në vendin tim. Dhe nuk e kisha menduar thjesht si pjesëmarrje individuale, por do të sillja edhe njerëz të tjerë të artit, personalitete të muzikës operistike ndërkombëtare. Kjo fatkeqësisht nuk u bë e mundur dhe, të jem e sinqertë, pësova zhgënjim.

Në rolin e Liut në operën “Turandot”

Pse është anuluar, çfarë ka ndodhur?
Bisedova me producenten e këtij festivali, Zana Çelën dhe ajo më tha që gjithçka ka ndodhur për mungesë fondesh. Nuk këmbëngula më për të mësuar arsye të tjera, sepse ishte e kotë. Kur merr vesh që diçka nuk bëhet, është e kotë të gërmosh për detajet. Nuk mund të fajësoj askënd. Rezultati final është produkti. Kuptohet, vendi po kalon momente të vështira ekonomike. Mbase kriza ekonomike ka pasur efektet e veta ose ndoshta dua unë të gjej justifikimet për të qenë sa më pak e zhgënjyer. Por kjo nuk është diçka personale. Gjithçka ndodhi, ishte më tepër një zhgënjim që i bëhet kulturës, artit shqiptar. Shqipëria është një vend i vogël. Ne nuk jemi Italia që ka institutin “Bel Canto”, nuk jemi as Franca që ka shkollën e vet të muzikës. Në momentin që zhvillohet një festival operistik, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që nuk jemi toka e “Bel Canto”-s, i gjithë ky festival duhej parë si një shkëndijë që duhet kultivuar. E kam shumë për zemër këtë angazhim. Sidomos, kur bëhet fjalë për gjëra që kanë lidhje me vendlindjen time. Doja të ofroja kontributin tim, sepse edhe unë kam qenë dikur si ata të rinj, në fillime me vështirësi, me dhe pa kushte.
Mos do të thotë kjo se do të mendoheni dy herë para se të pranoni një ftesë për të ardhur në Shqipëri?
Dua me shpirt të bëj diçka të bukur, por vlerësimi këtu është ende në nivele të ulëta. Kemi një të metë të madhe, që ne nuk vlerësojmë njëri-tjetrin. Ekziston një lloj xhelozie, por jo ajo pozitive. Tjetri duhet pranuar, sepse është gjen më vete, dhe ka diçka të vetën për të dhënë. Natyrisht, do mendohem mirë përpara se të pranoj një ftesë tjetër, edhe pse kudo ku shkoj e them me zë të lartë që jam shqiptare dhe e prezantoj veten si Ermonela artiste. Por përpos ngjarjeve negative që më ndodhin, nuk dua që këto episode jo korrekte të më pengojnë mua për të ardhur në Shqipëri, për të shpalosur artin tim. Nuk dua të përfshij të gjithë publikun, apo artdashësit në kësi ngjarjesh. Ata nuk kanë faj në këtë pikë. Patjetër që dua të rikthehem në Tiranë. Të jap kontributin tim, jo si Ermonela e famshme në skenat botërore, por t’u tregoj të rinjve se pasioni dhe puna të çojnë drejt suksesit. Dua ta bëj të prekshme veten time. Mbase ndonjë koncert, por pse jo e shoh edhe një të ardhme pedagogjike këtu, si pedagoge, do të më pëlqente realisht!

Ermonela Jaho pas një interpretimi në teatrin “La Scala” në Milano

Tashmë emri juaj lakohet në gjithë botën… cili është përjetimi përballë pritjes me ovacione të publikut?
Gjithçka më jep një përmbushje personale. Sepse secili prej nesh qëndron në këmbët e veta. Duke respektuar disa norma le të themi universale, siç është respekti për individin, kulturën. Dashje pa dashje prezanton veten, por i bën figurë të mirë edhe vendit të origjinës.
Sa herë shkruhet për ju, përmendet edhe kombësia juaj, pra edhe Shqipëria…
Nuk dua të jem hipokrite, por e sinqertë. Në fillim ndihesha inferiore ndaj origjinës sime, të qenët shqiptare. E thosha me zë të ulët, të tilla ishin kushtet. Kam ikur nga Shqipëria në vitin 1993 drejt Italisë, ku vazhdova studimet. Në fillimet e para e shprehja origjinën me një lloj idealizmi, por me kalimin e kohës u ndesha me shumë vështirësi. Problem ishin dokumentet. Sa herë shkoja në kuesturë, për më tepër një vajzë e vetme, sa merrnin vesh që isha shqiptare, opinioni nuk ishte shumë pozitiv. Sa herë rinovoja lejen e qëndrimit, kisha sytë e policëve që më ndiqnin, ndaj nuk e thosha më origjinën time me qejf të madh. Ndaj, nënvlerësimi vinte si pasojë e kësaj. Punova fort që ta bëja publikun të fliste për mua dhe ta shihte botën me sytë e Ermonelës, të një artisteje shqiptare, ashtu siç isha. Në çdo rol që këndoja përfshija karakterin, elementet prej mesdhetareje që më karakterizonin. Ndonjëherë emocionet, frika apo drama, të gjitha i shpreha nëpërmjet gjuhës së shpirtit, siç është muzika. Kur këndoj një “Traviata” apo “Madam Butterfly”, secila heroinë me dramaticitetin brenda, bëhem njësh me to. Janë histori heronjsh që i kam prekur me dorë. Jam me fat që kam gjetur rrugën e muzikës për të shprehur shpirtin tim.

Në rolin e Violetës në Verona

Nuk ka pasur ndonjë moment kur jeni ndier mirë prej të qenët shqiptare?
Ka ndodhur para pak javësh. Isha në një interpretim në Bilbao të Spanjës. Kisha rolin e Violetës në operën “Traviata” dhe atë ditë po jepej një dokumentar për jetën dhe karrierën time. Ndërsa një ditë më pas u bë jehonë për një tjetër figurë të rëndësishme shqiptare, Ismail Kadare, që merrte çmimin “La Risa di Bilbao”. Ishte e bukur të dëgjoje për vendin tënd, për shqiptarët, dy ditë rresht dhe për më tepër në një shtet të huaj.
E ka një sekret suksesi juaj?
Puna e palodhur. Kjo është subjektive. Respektoj veten dhe punën e tjetrit. Dua përsosmërinë dhe jam në një kërkim gati patologjik të saj. Kam një moto timen të preferuar: sa më shumë punoj, aq më shumë fat kam. Puna të nxjerr diku. Sepse arti, muzika që unë bëj, janë gjithsesi një nevojë shpirtërore.
Jeni rritur në një familje tipike shqiptare, me shumë fëmijë… Si u tërhoqët nga muzika klasike?
Vij nga një familje e thjeshtë, tipike shqiptare. Jemi pesë fëmijë dhe falë Zotit, kemi një harmoni të madhe mes motrash e vëllezërish. Prindërit nuk kanë pasur lidhje me muzikën. Nëna mësuese e babai oficer. Është e vërtetë që qasjen ndaj muzikës e kam timen, jo të trashëguar. Kur kam parë për herë të parë operën “Traviata” u dashurova, ishte si një dashuri me shikim të parë. Në fëmijëri kam qenë tip i mbyllur, por të kënduarit më ndihmonte që të shkarkohesha emocionalisht. Ndaj, prindërit nisën të më çonin që në moshë të vogël në Pallatin e Pionierëve për të kënduar. U rrita me modelet e Parashqevi Simakut, Vaçe Zelës. Por nuk rritesh dot profesionalisht duke ndjekur vetëm idhujt. Muzika është e brendshme, është ushqim shpirtëror, edhe pse për mua çdo imitim është një imitim i keq. Punova me veten për të qenë kjo që jam sot. E them me bindje, që nga modeli i familjes kam kuptuar disa vlera të jetës që në moshë të vogël. Kam parë prindërit e mi, që sakrifikonin aq shumë në ato vite dhe si gjithë shqiptarët e tjerë mbanin radhët për të marrë ushqime me tollona. Pikërisht këto detaje më kanë shërbyer që të kuptoj disa vlera të jetës, edhe pse sot jam personalitet i muzikës botërore.

Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu në operën “Traviata”, në “Covent Garden”

Teksa bisedonim pak më parë, më thatë që në New York rrini shumë pak. Po t’i mbledhësh të gjitha ditët, rezultojnë rreth dy muaj në vit. A ju kushtëzon ndopak jeta me valixhe në dorë?
Kaloj shumë pak kohë në shtëpi. Karriera ime është në kulmin e saj. Kërkohem shumë, edhe pse e di se është diçka që nuk zgjat gjithë jetën. Në momentin që kam mundësinë ta ndjek këtë ëndërr, shfrytëzoj çdo shans duke kultivuar artin dhe pasionin tim për të, pse të mos jepem pas këtyre angazhimeve?! Më ndodh kur zgjohem natën të mos e kuptoj në cilin vend ndodhem, sepse udhëtoj shumë. Të qenët e ikur gjithë kohës nga shtëpia është një fakt që e kam pranuar pa kushte. Është sakrificë për të dyja palët, për mua dhe familjen, por kjo më ndihmon që t’i shërbej artit dhe punës sime.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me artistët e tjerë shqiptarë, që gjithashtu po bëjnë emër nëpër botë?
Raporte shumë të mira. Kam interpretuar në disa opera me Sajmir Pirgun, me Gëzim Myshketën, një artist tepër i talentuar edhe ky i fundit. Mes artistësh shqiptarë, kur ecën bashkëpunimi, është një gjendje e vyer që ndodh mes individësh me kombësi të njëjtë, por që i  bashkon puna. Bashkëpunimi profesional mes ne artistëve shqiptarë është një bashkim magjik, që unë e vlerësoj shumë. Nuk jemi egoistë për njëri-tjetrin, përkundrazi vlerësojmë arritjet respektive.
Folëm shumë për profesionin… Kuriozë të dimë ndonjë detaj më tepër rreth jetës private…
Jeta private dua të mbetet e tillë. Të paktën të kem diçka timen. Besoj se interesi është më shumë për Ermonelën artiste dhe në këtë drejtim besoj se u shpreha bollshëm. Për jetën personale, kërkoj mirëkuptimin tuaj që ta mbaj për vete çdo detaj që ka lidhje me të.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura