Ermonela Jaho financon shkollimin e një fëmije jetim

Feb 22, 2015 | 13:48
SHPËRNDAJE

Askush nuk është varfëruar duke dhënë, shkruante Anne Frank në ditarin e saj. E megjithatë, bamirësitë, nuk janë gjithnjë të mirë-interpretuara nga publiku. Kur shohin që personazhe të njohura mediatizojnë atë çka bëjnë, reagojnë keq.

Ermonela Jaho

Brenda vetes, me siguri i vlerësojnë, sepse nuk mund të reagosh përveçse mirë ndaj një dere që i hapet dikujt, falë një tjetri. Sidoqoftë, reagimet tona janë shpesh të pakuptimta. Me hapjen e mundësive për të lënë komente, gjithandej, bëhen edhe vulgare.

Këtë, ndoshta e ndiejnë edhe vetë bamirësit (jo të gjithë), ndaj edhe rezervohen sa herë vjen rasti për ta bërë veprën e tyre publike. O mbase jo! U qëndrojnë ende besnikë të vjetërve kur thoshin bëje të mirën e hidhe në det. Mirëpo, sot që dëgjojmë lajme të këqija gjithfarësh e që duket sikur e keqja mëson të keqen, njerëzit kanë nevojë për lajme e modele të mira.

Askush nuk mund ta mohojë që të investosh për një fëmijë, që ai të ndjekë një edukim të mirë shkollor, nuk është një gjë e mirë. Është e shkëlqyer! Njësoj siç është sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho. Nguroi ta jepte këtë intervistë sepse nuk është nga ato të zakonshmet ku flet për muzikën o për përvojat e saj nëpër teatrot më të famshëm të botës.

Tashmë që zërin e interpretimet e saj i përgëzojnë edhe kritikët ndërkombëtarë, vlerat artistike të Ermonela Jahos nuk janë për t’u diskutuar. Sot, po i zbulojmë një tjetër vlerë që, nëse nuk do ta kishim mësuar fare rastësisht, ajo vetë, nuk kishte për ta përmendur. Prej muajsh, Jaho kujdeset në distancë për shkollimin e një fëmije jetim nga shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli”.

Vajza, sapo ka nisur klasën e parë në një shkollë private dhe me gjasë, nëse ajo do ta dojë shkollën e do t’u përkushtohet studimeve, do të vazhdojë gjatë. Mbështetjen financiare ka për ta pasur për të gjithë rrugën që do të dojë të ndjek.

Fëmija është në dijeni që një njeri që ende nuk e ka takuar nga afër po kujdeset posaçërisht për të. Sikur të ishte në gjendje të perceptonte edhe famën e bamirëses së saj, kënaqësinë që përjetojnë sa e sa njerëz nëpër botë duke e parë e dëgjuar do të donte ta takonte edhe më shumë. Por ka për ta bërë shpejt. Sapo të gjejë një dritare, në axhendën e koncerteve që tashmë i ka të mbyllura deri në 2019-n, sopranoja e mirë (njerëzisht) ka për ta takuar.

Hë, thoni, a është kjo për t’u mbajtur e fshehtë?! Ndoshta nesër, dikush tjetër, një- soj si Ermonela, mund të kujtohet se ka dashur ,por ende nuk e ka bërë një dhuratë të ngjashme. Të mos ishte për të nxitur, për të “zgjuar” ata që munden të ndihmojnë tjetrin, Ermonela Jaho nuk do të fliste sot për “Panoramën”.

Sepse për famë, një zë i mahnitshëm si i saji, pa i hequr asgjë plastikës interpretative (të dyja bashkë, siç cilëson kritikja Sarah Stewart, performancat e saj ndrijnë si diamant) nuk ka nevojë! 

INTERVISTA

Pse e keni bërë këtë zgjedhje?
Zgjedhja ka qenë në mendjen time prej shumë kohësh, por u konkretizua kur mësova rastësisht se shkolla “Ernest Koliqi” kishte ofruar një bursë studimi për një nga fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”. Siç duket, edhe pse do të bësh diçka, duhet një ngacmim që të bëhet realitet. Duke pasur njohje të herët dhe respekt për drejtuesin e kësaj shkolle, vendosëm, bashkë me tim shoq, që të japim kontributin tonë për një fëmijë tjetër. Pra, sot janë dy vajza nga shtëpia e fëmijës që kanë nisur studimet në këtë shkollë.

Ju kemi parë edhe më parë të jeni e pranishme në koncerte bamirësie. Me këtë vetëkuptohet që reagimi juaj nuk ka qenë vetëm për shkak të rastësisë së lidhjes me këtë shkollë…
Po, ju thashë që ka qenë në mendimet e mia, por konkretizimi nuk kishte ndodhur. Sapo mësova për nismën që ju tregova, vendosa që nuk duhet ta anashkaloja më gjatë këtë dëshirë. Ajo që dua unë është që veprimet tona të nxisin edhe njerëz të tjerë për të bërë të njëjtën gjë. Dituria është një thesar që e ndjek njeriun përgjithnjë, nuk mund të ketë investim më të mirë. Siç e dini, unë jam munduar të jap ndihmën time me koncerte të shumta bamirësie, siç ishte edhe ai i fundit që u realizua në dhjetor të vitit që shkoi në Tiranë, për fëmijët me aftësi të kufizuara. Mendoj që, duke ndihmuar një qenie tjetër humane, pasurohemi edhe vetë, shpirtërisht.

Ç’marrëdhënie keni krijuar me këtë vajzë, përveçse keni vendosur të investoni në shkollimin e saj?
Me kohën e reduktuar dhe gjithë aktivitetet e mia, për momentin investimi për shkollimin ka qenë e vetmja mundësi që kam pasur, por shpresoj që kjo të ndryshojë në të ardhmen e afërt.

Sado që vajza është vetëm në klasën e parë, a e ndiqni mbarëvajtjen e mësimeve të saj?
Përpiqem të marr sa më shumë informacione për ecurinë e studimeve përmes drejtuesit të shkollës, Ermal Hasimes, i cili përpiqet me të gjitha mundësitë e veta që fëmijëve të mos u mungojë vëmendja për të cilën kanë nevojë. Gjithsesi, nëse mundësitë do të na lejonin, dhe këtu kryesore është koha, do të përkushtoheshim edhe më shumë, qoftë unë, qoftë im shoq.

Ju jeni vazhdimisht duke udhëtuar nëpër botë. Nga këto udhëtime, Shqipëria mund të zërë vetëm pak ditë të vitit për t’u vizituar. Me këtë, dua të them që e përditshmja mund t’ju ketë hasur vazhdimisht me fëmijë në nevojë. Pse zgjodhët pikërisht vajzën nga “Zyber Hallulli”?
Është e vërtetë që jeta të vë shpesh përball njerëzish me probleme të ndryshme, që gjenden kudo nëpër botë. Megjithatë, problemet e vendit tënd kanë një tjetër peshë emocionale. Ndoshta vajza më kujton diçka që nuk jam në gjendje t’i jap përgjigje për momentin. Gjithsesi, mendoj se është një gjë e drejtë për t’u bërë nga kushdo që ka mundësitë dhe dëshirën.

Për sa kohë mendoni ta ndiqni shkollimin e fëmijës?
Shpresoj që dëshira për shkollën t’i rritet me kalimin e viteve, atëherë kur studimi vërtet ka nevojë për kohë e vëmendje. Dhe të jetë ajo vetë që do të dojë të ndjekë shkollën, në nivelin më të lartë që do të mundet. Unë do të bëj çfarë është e mundur që përkrahja jonë të mos i mungojë në çdo hap që do të vendosë të hedhë dhe të realizojë të gjithë potencialin që mbart me vete çdo qenie humane.

Përtej vajzës që po i referohemi, çfarë marrëdhëniesh keni me fëmijët?
Psikologjia e fëmijëve më ka tërhequr gjithmonë. Marrëdhëniet me fëmijët janë një aspekt i jetës që më intrigon jashtë mase. Shpresoj që, një ditë, përvoja të jetë edhe më personale.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura