Ermal Merdani: Propozimi i fejesës nën ujë që i bëra të dashurës vetëm 1 vit pas njohjes

Aug 18, 2015 | 10:55
SHPËRNDAJE

ermal1ngjyra
Historia e tyre nisi para një viti në ditën e Shën Valentinit, ku përjetuan dashuri me shikim të parë. Vetëm një vit pas njohjes, ish-misteri Ermal Merdani shpall fejesën me të dashurën e tij, Anxhela. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama” tregon detaje rreth propozimit surprizë nën ujë që i bëri të dashurës këtë verë, unazat rreth me diamante që kanë vendosur në duar, dhe plani për të blerë shtëpinë e tyre para martesës…

Pak ditë më parë i bëre të dashurës një propozim të pazakontë fejese, nën ujë. Pse zgjodhe t’ia shprehësh në këtë mënyrë dashurinë?
Kur ke personin e duhur në krah, çdo gjë vjen natyrshëm. Po aq natyrshëm lindi dhe ideja e propozimit. Ne të dy na pëlqejnë të eksplorojmë dhe të provojmë sporte të ndryshme. Në fillim vendosëm të zhyteshim nën ujë, pastaj unë fola me bordin që na drejtonte pa dijeninë e Anxhelës, dhe kështu ndodhi propozimi.

Sa kohë nga dita e njohjës e shpallët fejesën, dhe si u ndjeve atë ditë?
Vetëm një vit pas njohjes vendosëm si ne të dy, ashtu edhe familjet tona, që lidhja të merrte formë më serioze dhe familjare. Familjet tona takoheshin dhe më parë, kur ne ishim të lidhur, por momenti që u prezantuan familjet në mënyrë formale unë kam ndier një lumturi dhe lehtësim me veten. Ndihesha më i plotë.

Në përgjithësi djemtë kanë ato mëdyshjet e tyre për të hedhur një hap kaq të rëndësishëm në jetë. Ty si të bindi Anxhela për të lidhur jetën me të?
Që në ditët e para që komunikoja me Anxhelën, i thosha që ti do të jesh nusja ime dhe këtë siguri e kisha dhe brenda vetes. Ajo më plotëson, më saktë të dy plotësojmë njëri-tjetrin. Anxhela është natyrë familjare dhe e shpenzon gjithë kohën me familjen. Është shumë ambicioze dhe të transmeton vetëm energji pozitive.

Në ditën tuaj, ju vendosët unaza diamanti. Sa kushtuan dhe çfarë ka të personalizuar në dizenjimin e tyre?
Vlera monetare e unazave nuk ka rëndësi të madhe. Vlera e tyre është që ne të dy ndanim të njëjtën dëshirë për t’i mbajtur. Anxhela e ka unazën flori të bardhë me një diamant, ndërsa e imja është flori i verdhë me diamante gjithashtu. Të dyja unazat brenda kanë të gdhendur emrat tanë. Dhe të dy ndihemi mirë që kemi simbolikë të fejesës në duart tona.

Kur dhe si jeni njohur me Anxhelën?
Fillimisht shkëmbimi i parë me Anxhelën ka qenë në Shën Valentinin e vitit 2014, ndërsa unë isha në një intervistë pune dhe ajo ishte kliente aty. Sa e pashë, ndjeva diçka ndryshe tek ajo, kishte një stil ndryshe nga vajzat e tjera si në veshje, ashtu dhe në mënyrën e të reaguarit. Me pak fjalë e kam gjuajtur. Por, fatkeqësisht, ajo nuk e vuri re interesin tim, dhe u detyrova të pyesja disa miq tanë për emrin dhe pastaj…normal që i shkrova në rrjetet sociale. Prita përgjigje, por erdhi pas disa ditësh sepse ajo ishte kthyer në vendin ku jeton. I tregova disa detaje të asaj nate që më bënë përshtypje tek ajo si femër dhe filluam të flisnim intensivisht, deri sa arriti puna deri këtu që unë kam një rreth unaze në dorë tani. Nuk jam ndier ndonjëherë si tani! Tani jam i lumtur në një mënyrë të bukur!

Çfarë marrëdhënie është kjo e krijuar brenda një viti lidhje, pasionante dhe plot xhelozi, apo e qetë dhe me këmbë në tokë?
Lidhja jonë është e ndërtuar me besim dhe të them të drejtën, asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë skenë xhelozie apo debat me njëri-tjetrin. Unë behëm xheloz vetëm sepse Anxhela çfarë do që të veshë duket bukur, ndërsa ajo bëhet xheloze për flokët e mi (qesh). Dashuria jonë është pasionante dhe jemi të vetëdijshëm që lidhja në largësi ka vështirësitë e saj, por shumë shpejt ne do të jetojmë bashkë.

Nga pikëpamja profesionale, ku takoheni dhe ku ndaheni?
Karriera e Anxhelës nga profesioni im janë pak të ndryshme, për faktin se ajo ka një karrierë të ndërtuar jashtë vendit. Anxhela ka mbaruar studimet për Drejtësi, por që ka ngritur një karrierë në fushën e ekonomisë. Unë kam luajtur pak me profesionet, por tani do mblidhem dhe unë se jam i fejuar. (qesh)

Bëni plane çift për të ardhmen nëse një ditë do të jeni burrë e grua?
Të gjithë bëjmë plane për të ardhmen, po ashtu dhe ne kemi disa plane tonat. Në fillim duam të stabilizohemi, të blejmë një shtëpi ku të jetojmë bashkë, dhe pastaj të lajmë rrobat tona në një lavatriçe. (qesh).

Meqë e keni marrë kaq seriozisht lidhjen, kur do të martoheni dhe si e imagjinoni ceremoninë?
Ashtu si erdhi lidhja e fejesa, natyrshëm, ashtu do të vijë dhe momenti i duhur për martesë. Dasmën e kemi menduar që të ndodhë në një 2-3 vjeçar të ardhshëm dhe do të jetë një dasmë për çiftin, jo për fisin. Pra një dasmë e thjeshtë dhe e bukur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura