Erjona Shehu braktis televizionin, kthim te Mjekësia

Jan 21, 2013 | 15:33
SHPËRNDAJE

Deri vonë, pakkush e lidhte portretin e saj me bluzën e bardhë të mjekes. Kjo sepse daljet publike në ekran, si folëse e lajmeve pranë “Top Channel”, në edicionet qendrore, por edhe ato gjatë ditës, kishin krijuar, përmes televizionit, portretin e spikeres profesioniste. Por, Erjona Shehu është diplomuar për Dermatologji, ndaj profesioni i parë i saj është ai i mjekes, ndonëse dikur rendte për të kapur ritmet e të dyjave: xhaketës së spikeres dhe bluzës së bardhë të mjekes. Sot ka zgjedhur këtë të dytën.

për tetë vite me radhë, ishte kthyer në angazhimin profesional të pashmangshëm për Erjona Shehun. Ndaj, të gjithë kur e etiketonin, e quanin folësja e lajmeve të “Top Channel”, pa e ditur se përveç daljes publike, ajo ushtronte një profesion që nuk i lejonte gabimet, sikundër mund të ndodhte me ndonjë lapsus o problem teknik, që lindte aty për aty në studiot e lajmeve. Për të qenë folëse nuk nevojitet enkas një diplomë, por natyrisht një përkim i përafërt me fushën e gazetarisë o krijimtarisë. Por, fusha e formimit të saj dallonte nga bota e televizionit. Megjithatë, për folësen e lajmeve, e cila thotë se ka hequr dorë përfundimisht nga ekrani, për t’u rikthyer në investimin e plotë kohor dhe profesional si mjeke, çdo përvojë është e vlefshme për të mësuar gjëra të reja dhe interesante. Ashtu si tetë vite të shkuara vendosi raportet reciproke me promterin, impostimin në studio, skaletën e lajmeve e gjithë detajet e tjera të nevojshme në këndin e folëses, sot është e fokusuar e gjitha tek aparaturat e teknologjia e fundit e dermatologjisë, produktet kozmetike e ato kurative.
KTHIM TE DIPLOMA
Për mjeken dermatologe Erjona Shehu, recetat tashmë janë katërçipërisht mjekësore, nga ato klasiket që kurojnë problemet e ndryshme të dermoestetikës. Shkëputja nga televizioni i erdhi natyrshëm, ndonëse siç është shprehur miku e kolegu Dhimitër Gjoka, ajo ndodhi pikërisht në kulmin e maturisë profesionale. Por, Erjona nuk ka brerje ndërgjegjeje për këtë. “Shkëputja nga televizioni është vërtet një vendim drastik. Ishte një vendim i marrë prej kohësh në subkoshiencën time. Pa e shprehur verbalisht, e dija që po largohesha nga ekrani. Kisha tetë vite që merresha me dermatologjinë, pa u shkëputur asnjë moment prej mjekësisë, ndërsa spikerimi erdhi si një mundësi rastësore gjatë kohës që isha studente në Mjekësi. Kur isha në fillimet e mia në media, ndihesha e penduar për zgjedhjen që kisha bërë. Më dukej absurde që kisha zgjedhur mjekësinë, e cila ishte degë e lodhshme, e zgjatur në kohë, kërkonte sakrifica, ishte e pashpërblyer etj. Përgjegjësia në ekran është vërtet publike dhe shumë e madhe, por krejt e ndryshme nga ajo e mjekes. Pozicioni i mjekut ka ngarkesa shumë të mëdha psikologjike dhe emotive. Në qoftë se kur jep lajmet dhe del nga studio nuk e kthen më kokën pas, në mjekësi merr me vete në shtëpi shumë stres, dilema, probleme të pacientëve jo vetëm shëndetësore, por edhe sociale”, thotë Erjona Shehu. Ka të ngjarë që Erjonës t’i nevojiten po aq vite sa edhe eksperienca në televizion, që publiku e pacientët në tërësi të mësohen me imazhin e ri të mjekes dhe profesionin e vërtetë, atë për të cilin ajo është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë. Ajo, ndoshta i rezistoi gjatë dualitetit spikere-mjeke, por gjithmonë e ndërgjegjshme për zgjedhjen e të ardhmes: fushën e dermoestetikës. “Edhe televizioni, edhe profesioni i mjekes për të cilin jam diplomuar, më kanë vlejtur për shumëçka. I pari më ka formuar në marrëdhëniet me publikun, pikë që për hir të së vërtetës e kam pasur disi të mangët. Një tjetër moment në të cilin më ka ndihmuar shumë, është edhe formimi i shijeve të mia estetike. Të merresh me dermoestetikë, me atë që unë jam e angazhuar sot, do të thotë të formosh dhe zhvillosh shqisat artistike dhe televizioni më ka ndihmuar shumë për këtë. Televizionit i detyrohem shumë: emrin publik, formimin estetik, dhe mbi të gjitha, njohjen e natyrës njerëzore”, përfundon Shehu.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura