Erdogani dhe projektimi i “fajit” mbi Nishanin

May 18, 2015 | 12:32
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

   Vizita e Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, la pas trazim. Sa herë ai vjen në Ballkan, merr në bagazhet e veta edhe të kaluarën otomane në emër të së cilës flet me krenari. Gjithsecili prej nesh bën një zbulim.
Unë trishtohem kur shoh qindra bashkëkombës të mi në Kalanë arbërore të Prezës tek duartrokasin një fjalim, suksesi i të cilit do të ishte shpartallimi i kombit tim.
Ndokush gëzohet tek imagjinon kombin e ri religjioz nga Adriatiku deri pranë Murit Kinez. Shumëkush, përfshirë edhe analistë të njohur të Tiranës, mbajtën qëndrim thjesht shqiptar. Amza e kësaj ndjesie sa herë thirret në provë nuk zhgënjen.
Politikanët, të zënë ngushtë nga dëshirat e mikut, pritën me dorë në zemër dhe ankth ikjen e tij. Presidenti Nishani ndoshta për herë të parë nuk përmendi togfjalëshin “populli vëlla turk” dhe mbajti një fjalim korrekt në frymën e harmonisë fetare në ceremoninë e fillimit të punimeve për xhaminë e Namazgjasë. Nuk m’u duk të kem dëgjuar prej tij as formulën e re “partneritet strategjik”.
Kryeministri Rama ndjeu nevojën që të postonte në rrjetet sociale dy fotografi, kur ai me Erdoganin po kalonin poshtë portretit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në korridorin kryesor të pallatit qeveritar. Ai pikasi perceptimin popullor që kujtimi i tyre po fyhej dhe simbolikisht u mundua të demonstrojë njëanshmërinë e tij. Më mirë kaq se hiç.
Nga zëra të caktuar u shit si akt legjendar pothuaj i ngjashëm me rezistencën e Vrana Kontit në Krujë pothuaj “u përgjak” facebook-u. Epizmi rri ligsht dhe merr trajta komike në këtë rast.
Edi Rama, pasi ka marrë një herë pjesë në një seancë poshtërimi në Prizren, kur asokohe Kryeministri Erdogan e quajti Kosovën Turqi dhe nuk bëzajti, por u ul këmbëturqisht ndanë sofrës, kësaj here iu shmang shoqërisë në publik.
Nuk është në kodin tonë zakonor ta lëndojmë tjetrin në shtëpinë tonë, ndonëse virtualisht pritet e njëjta gjë edhe prej tij.
Duket se Nishanit si “zot shpie” i ra në hise të rrinte më gjatë me Erdoganin për hir të pozicionit shtetëror. Pas fjalimit “miklues” për “600 vjet vëllazëri, për 35 kryevezirë, për Shemshedin Samiun etj.” dhe detyrave të shtëpisë që na la për “gylenistët”, Presidenti ynë nuk u pa në Prezë për të dëgjuar pjesën e dytë. Ajo mungesë i bën nder. Në mbrëmje i dha një dekoratë të merituar “miqësisë me popullin turk”, përfaqësuesit të këtij populli dhe një darkë zyrtare diku me 60 të ftuar, siç u raportua në media. Të gjithë u ndjenë më të lehtësuar kur shtrënguan duart e lamtumirës.
Mirëpo, një ditë më pas, Presidenti i Republikës u akuzua se ka hequr bustin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga salla ku u bë ceremonia e dekorimit të Erdoganit. Një gjest i tillë do të ishte akti më fyes që Kreu i Shtetit mund t’i bënte historisë dhe dinjitetit të vendit të tij nëse vërtetësia e saj do të konfirmohej. Trajtë paradoksale mori lajmi sapo u artikulua, sepse në mesditë konferenca e shtypit e dy kryetarëve të republikave bëhej nën hijen e Gjergjit të madh. Atëherë, pse në darkë ai duhej hequr!?
Personalisht e njoh mirë strukturën e Pallatit Mbretëror, të njohur si Pallati i Brigadave, meqenëse për gati 4 vjet kam qenë pjesë e stafit të Presidentit Bamir Topi dhe, sapo pashë fotografitë e botuara, m’u qartësua gjithçka. Atje janë tri salla. Në atë qendroren rri gjithmonë busti i Skënderbeut, një kryevepër e skulptorit Odise Paskali, që nuk lëviz kurrë dhe krah kësaj salle janë edhe dy të tjera ndihmëse, të ngjashme me të.
Darkat shtetërore gjithmonë shtrohen tek ajo kryesorja, kështu për traditë ka ndodhur edhe me atë në respekt të Presidentit turk, i cili ka ngrënë e pirë i ulur poshtë bustit të Skënderbeut.
Në pamundësi që këso ceremonish të bëhen mes tavolinash, gotash e enësh, zhvillohen në ambientin ngjitur, ku kurrë nuk ka pasur bust dhe siç mund të ketë ndodhur edhe në raste të tjera, menjëherë pas përfundimit u drejtohen tavolinave në qendër. Aty duhet të ketë pasur edhe të tjerë shtetarë të lartë, si Rama apo Meta, të cilët mund ta konfirmojnë këtë fakt.
Ajo që përvijohet shqetësuese në këtë histori, është se pamundësia për të reaguar përballë Erdoganit, shndërrohet në dikotomi prej së cilës duan të përftojnë një “patriot” dhe një “tradhtar”, produkte të teknologjisë së komunikimit për reduktim kostosh politike. Njëri, si i tillë, me dy “resme çëk-fëk” dhe tjetri me “atentatin” e pandodhur ndaj Skënderbeut. Frustrimit i duhej gjetur një adresë mbi të cilën të mblidhej vëmendja dhe kanalizohej pakënaqësia nëpërmjet lojës me simbolet.
Në fakt, këtu s’ka vend për mburrje, sepse Shqipëria doli e lënduar nga kjo vizitë dhe jo rastësisht m’u kujtua novela e Ismail Kadaresë “Lamtumira e së keqes”, të cilën e rekomandoj për rilexim popullor.
Projektimi i një faji të pakryer mbi Bujar Nishanin nuk është melhemi i duhur për të na qetuar plagët, përkundrazi, rikonfirmohet si bizantinizëm pararendës i mentalitetit neotoman zotërues mbi këtë nahije politike.
Një pyetje e kam për Presidentin dhe Kryeministrin tani, pas “600 vitesh vëllazëri”, meqenëse thuhet se në Turqi kemi rreth 5 milionë shqiptarë. A e pyetët Erdoganin sa shkolla i ka lejuar të hapin ata, sa katedra, sa gazeta, sa i ruajnë mbiemrat e të parëve apo detyrimi me ligj i prapashtesës turke jua ka fshirë, a kanë status minoriteti, a mund të formojnë parti politike etj.?
Partnerit strategjik i bëhen këto pyetje dhe, nëse po, na e thoni përgjigjen që të mos jetojmë me legjenda, të cilat nuk përkojnë me modernitetin dhe identitetin, që na çukitet sa herë “sulltanët vijnë poshtë mureve të Krujës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura