Erdogan kundër Makron, betejë civilizimesh apo përpjekje e një të dëshpëruari nacionalist?

Oct 27, 2020 | 8:55
SHPËRNDAJE

GENC BURIMI

genc-burimi1

Ofendimet e Presidentit turk ndaj atij francez që e trajtoi si të sëmurë mendor, janë të rënda në dy aspekte. E para është se përdoret një fjalor i rrallë në praktikat diplomatike në këtë nivel kaq të lartë shtetëror, për më tepër kur bëhet fjalë për dy vende aleate në gjirin e NATO-s.

E dyta që shokon Francën është se Erdogan e ofendon në emër të myslimanëve, ndërkohë që francezët janë viktima të terrorizmit islamist. Madje, edhe reagimi i menjëhershëm i Parisit ishte t’i thoshte Erdoganit që në vend që t’u shprehte ngushëllimet francezëve pas aktit makabër të prerjes së kokës së profesorit francez nga terroristi islamist, Presidenti turk preferon të ndërmarrë një fushatë plot urrejtje, shpifje dhe sharjesh kundër Francës dhe Presidentit të saj. Në shenje reprezalje, Franca ka tërhequr ambasadorin e saj nga Turqia për një afat të papërcaktuar dhe në shenjë solidariteti përfaqësues të lartë europianë kanë dënuar ashpër fjalorin e Presidentit turk. Më vonë mund të ketë edhe sanksione kundër Turqisë, e cila në këtë moment kërcënohet me sanksione të ashpra dhe nga SHBA-të për shkak të testimeve të fundit nga Turqia të sistemit rus të mbrojtjes antiajrore S-400.

Por, përtej “konfrontimit” Turqi-Perëndim, është një tjetër rrezik që po ravijëzohet dhe të cilit Erdogan i fryn qëllimisht. Ai i konfrontimit midis vlerave të civilizimit perëndimor, në themel të të cilit qëndron liria e opinionit dhe e liderëve manipulues të botës arabo-myslimane, që, për qëllimet e tyre ekspansioniste jashtë apo shtypëse në planin e brendshëm, luajnë me simbolet fetare për t’i kontrolluar me mirë popujt e tyre. Ndaj edhe reagimi i parë e personal i Emanuel Makron me “Twitter” ishte t’i thoshte Erdoganit dhe opinionit publik ndërkombëtar se asgjë nuk do ta bëjë Francën që të zmbrapset nga rruga që ka zgjedhur, ajo e lirisë së shprehjes, por dhe e barazisë e vëllazërisë midis shtetasve të saj, të cilido besimi fetar qofshin.

ERDOGAN SI KADAFI I RI I BOTËS MYSLIMANE?

E vërteta është se lideri turk sot, si Kadafi në kohën e tij, kërkon të marrë stafetën e liderit të botës islame. Këtij qëllimi i shërben dhe ofendimi trashanik ndaj Makronit, për të federuar kështu myslimanët e trazuar nga karikaturat e profetit të tyre. Këtë rol “protektor” të myslimanëve kërkon ta luajë tradicionalisht Arabia Saudite, atdheu i Mekës, por Erdogan, duke sfiduar njëkohësisht edhe SHBA-të, vendi më i fuqishëm perëndimor, ndaj të cilit varen monarkitë arabe për mbrojtjen e tyre, vetvetiu vetëshpallet si i vetmi mbrojtës real e ideal i besimtarëve myslimanë kudo qofshin. Atentati makabër ndaj profesorit francez ishte kështu rasti ideal për Erdogan, për të provokuar Francën dhe përtej Francës, qytetërimin perëndimor, në mënyrë që ta nxirrte kështu si në dritë të diellit hendekun që ekziston me qytetërimin islam, mbrojtjen e të cilit kërkon ta mishërojë ai vetë, Erdogan. Makron, sipas liderit turk, është i sëmurë mendor, sepse lejon lirinë e karikaturës kundër profetit, duke ofenduar bashkërisht milionat e myslimanëve në botë. Me këtë strategji perverse, Erdogan tenton të shtyjë popujt e fesë islame të ndërmarrin akte dhune kundër Francës apo të bëjnë presion ndaj politikanëve të tyre kundër Francës, kundër Perëndimit. Dhe madje, menjëherë pas fjalimit të Erdoganit, u panë thirrje për bojkot të produkteve franceze në një sërë vendesh arabe apo protesta para ambasadave franceze.

Fakti që Erdogan e kishte përgatitur këtë strategji të përplasjes së vlerave fetare me ato perëndimore të lirisë së shprehjes që para vrasjes së profesorit francez, provohet edhe nga ndërhyrjet e vazhdueshme të përfaqësuesve të lartë turq kohët e fundit kundër një projektligji, që po përgatit Franca për të kufizuar midis të tjerash influencën fetare të Turqisë në Francë. Aktualisht, pjesa më e madhe e imamëve që vijnë nga jashtë për të predikuar në xhamitë e Francës janë nga Turqia, e cila financon shumë për përhapjen e islamit me influencë turke në Francë, por edhe në vende të tjera europiane, ku ka komunitete turke. Kësaj lidhjeje të frikshme të nëndheshme, por edhe të hapur, mundohet t’i presë rrugën Makron dhe Parlamenti francez, duke e ndaluar ardhjen e imamëve nga jashtë dhe formimin e tyre jashtë. Për t’u hakmarrë, Erdogan vendos atëherë të ndërsejë komunitetin mysliman botëror kundër Francës, me shpifje sikur Franca është vend racist antimysliman. Në fillim të tetorit, shumë ditë para atentatit kundër profesorit francez, dy bashkëpunëtorë të afërt të Erdogan, zëdhënësi i tij, Ibrahim Kalin, dhe zëdhënësi i partisë së tij Akp, Omer Celik, botonin një seri ‘twett’-esh kundër Makronit. Në to lexohet për shembull se “projekti i Makronit për të ndërtuar në Francë një islam të “Lymjerëve” është një provokim i rëndë ndaj gjithë myslimaneve”, apo se Makron sillet si përfaqësues i ekstremit të djathtë francez. Ironia e fatit është se kur Erdogan vendosi gjatë verës ta transformonte kishën e famshme të Shën Sofisë në Stamboll, si në kohën e sulltanëve në xhami, i njëjti Erdogan kërcënonte tribunave perëndimorët që të mos ndërhynin në punët e brendshme të Turqisë.

NJË GJUHË KONFLIKTUALE ME JASHTË QË SHËRBEN PËR TË SHTYPUR DHE “ARMIQTË” E BRENDSHËM.

Është e njohur teorema, sipas së cilës liderit antidemokratë bëjnë shpesh diversione me armiq imagjinarë jashtë për t’i shtypur më mirë kundërshtaret vendës.

Që prej rizgjedhjes së tij si President në 2018, që në raundin e parë me shumicë absolute, Erdogan nuk po pushon së rëni në sondazhe sa më shumë që ekonomia turke po rrënohet.

Vetëm një e treta e turqve e mbështet tani Presidentin turk sipas anketave të opinionit, me një rënie të theksuar të simpatisë te të rinjtë dhe gratë. Në dhjetë vjet, të ardhurat për frymë në Turqi kanë rënë me 25% dhe monedha vendëse nuk ka pushuar së zhvlerësuari. Në pamundësi për të mbajtur premtimet për mirëqenie ekonomike dhe sociale, Erdogan përpiqet tani t’u dhurojë turqve një ëndërr madhështie dhe influence në botë, me sytë e ngulitur drejt 2023, kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme presidenciale turke, që do të përkojnë edhe me 100-vjetorin e themelimit të republikës turke. Por, zhgënjimi në opinion është kaq i madh sa kërkesa për zgjedhje të parakohshme qarkullon tani në Turqi dhe ajo mishërohet nga partia kryesore e opozitës, Partia Republikane e Popullit (CHP) dhe nga partia që doli në vend të dytë në opozitë në zgjedhjet bashkiake të vitit të kaluar, partia pro kurde, Partia Demokratike e Popujve (HDP).

Pikërisht këto dy formacione politike madhore të opozitës në Turqi po pësojnë tani inatin e “Sulltanit”, që po përpiqet t’i shkatërrojë për të dominuar i vetëm, si përfaqësues unikal i interesave të larta të kombit turk. Në këtë prizëm, përballja e Erdoganit me Francën për karikaturat, apo me SHBA-të për dosje të mbrojtjes, apo me Merkelin dhe europianët para disa kohësh për refugjatët sirianë, këtij qëllimi i shërben, ashtu si dhe angazhimet ushtarake të Erdoganit në frontin e jashtëm si në Siri, në Libi, në detin Egje apo edhe ndërhyrja trashanike në zgjedhjet e fundit presidenciale në Qipron turke, të gjitha këto diversione i shërbejnë atij si mesazhe frikësimi dhe në frontin e brendshëm për t’u treguar turqve dhe opozitës se është më i forti, se nuk pyet njeri nga liderët botërore e jo më për disa politikane vendës të opozitës.

Konkretisht, në fillim të verës, kur një përfaqësues i lartë i partisë kryesore të opozitës, CHP, kërkoi në një emision politik që të ketë zgjedhje të parakohshme në Turqi për shkak të rënies së vazhdueshme ekonomike, rrezikut të falimentimit të tri bankave kryesore turke, dhe autoritarizmit në rritje, sidomos falë epidemisë së COVIDit, Erdogan e cilësoi menjëherë këtë parti si fashiste, që ka si synim të organizojë grusht shteti meqenëse kërkon zgjedhje të parakohshme. Madje, televizioni ku partia kryesore opozitare e bëri këtë deklaratë për nevojën e zgjedhjeve të parakohshme u dënua me gjobë të rëndë nga pushteti turk i Erdoganit. Ndërsa partisë tjetër të opozitës, asaj pro kurde, HDP, Erdogan po ia punon dhe më ashpër. Ditët e fundit, mbi 80 kuadro të lartë të kësaj partie janë arrestuar me motivin se në 2014 kishin manifestuar në mbështetje të kurdëve në Siri, që i rezistonin ISIS-it në Kobane. Me këto arrestime të bujshme, Erdogan shpreson të shkojë deri te ndalimi me ligj i kësaj partie madhore të opozitës, qe ka fituar një sërë komunash në zgjedhjet bashkiake të vitit të kaluar.

Si konkluzion, Erdogan ka arritur në një pikë ku kërkon të krijojë vetëm mjegull dhe tymnajë me represion brenda si në kohën e valës antiguleniste dhe me propagande antifranceze jashtë, gjoja në mbrojtje të turqve dhe myslimanëve, e gjitha kjo për të maskuar erozionin e imazhit të tij te turqit, të cilët janë gjithnjë e më të shumtë, që e konsiderojnë Erdoganin si kërcënim për demokracinë, për paqen sociale dhe për rimëkëmbjen ekonomike të Turqisë. Erdogan nuk kishte nevojë tani dhe për epitetin e nxitësit të urrejtjes në planin ndërkombëtar midis besimtarëve myslimanë dhe Francës si përfaqësuese e vlerave të “iluminizmit” perëndimor. Një gjë është e sigurt, në Perëndim askush nuk e ka me pishman tani varrosjen e perspektivës së integrimit të Turqisë në BE, një guxim që e pati ta kërkojë para më shumë se dhjetë vitesh një francez, ish-Presidenti Nikola Sarkozi… Europa është një sistem vlerash para se të jetë një bashkësi ekonomike. Qoftë e aftë Shqipëria, që e ka tashmë reputacionin si pro turke, të evitojë kurthin e predikatorëve islamistë radikalë, që ofensiva antifranceze e Erdoganit vetëm sa i përforcon!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura