“Erdhën nazistë, u kthyen partizanë!”-Rrëfimi i historianit për robërit e Luftës së II Botërore: Një mijë gjermanë në krah të shqiptarëve

Aug 28, 2022 | 22:38
SHPËRNDAJE

Roberit e LuftesAFRIM IMAJ/ “Vërtet që në një dokument zyrtar rezulton që nga Shqipëria janë riatdhesuar 1523 robër nazistë gjermanë, por kjo duhet parë me rezerva”. Argumenti i profesor Bernard Zotos, publikuar në numrin e kaluar, me referenca të burimeve arkivore dhe dëshmive autentike, hedh dritë mbi një pjesë të historisë së ushtarëve të huaj, që mundën të mbijetojnë gjatë operacioneve luftarake në vendin tonë.

“Në këtë shifër, nënvizon studiuesi i njohur i çështjeve ushtarake, nuk është përfshirë numri i robërve të vrarë e vetëvrarë, si dhe i atyre që vdiqën gjatë periudhës së qëndrimit në vendin tonë”.
Bernard Zoto

Në vijim, profesor Zoto, kryetar i Shoqatës së Historianëve Ushtarakë, zbardh procedurat e ndjekura nga autoritetet shqiptare për trajtimin e robërve në kazermat urbane, mënyrën e sjelljes së komandave partizane dhe angazhimin e tyre në operacionet e çminimit. “Po duhet shpjeguar, shton ai, se një numër jo i vogël i robërve gjermanë pranuan të bëhen pjesë e ushtrisë antifashiste nacionalçlirimtare, duke u inkuadruar në brigada të ndryshme partizane.

Profesor Zoto sakaq tregon se robërit nazistë në përfundim të luftës janë përdorur për të kryer punë dhe shërbime të ndryshme, shpeshherë specifike dhe të kualifikuara, siç ishte rasti i çminimit të zonave të minuara nga pushtuesi gjatë veprimeve luftarake, sigurimi i masave mbrojtëse në qytet, garnizon, rrugë, ura etj. Ndërkaq, sipas tij, një pjesë e tyre u angazhuan me rindërtimin e urave dhe objekteve të artit, të shkatërruara gjatë luftës si dhe për riparimin e ndërlidhjes ndërqytetëse, rindërtimin e aeroporteve, si ai i Tiranës, Kuçovës etj. Ishin këto procese specifike, në të cilat morën pjesë ishushtarë të forcave naziste me kualifikime përkatëse, si xhenier dhe specialistë të urave, rrugëve, shtëpive, natyrisht, gjithmonë në shoqërinë e ushtarakëve dhe specialistëve shqiptarë..

INTERVISTA

Flitet se robërit nazistë, ndryshe nga ata italianë, refuzuan apelin e autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar në luftën kundër okupatorit. Çfarë rezulton nga dokumentet arkivore?
Jo vetëm me ushtarët italianë ka ndodhur në ato vite lufte edhe me një pjesë të ushtarëve nazistë, kryesisht me origjinë armene, bjelloruse, çeke, turkmene, franceze, austriake, madje edhe gjermane, që pas dezertimit nga fronti, u rreshtuan me dëshirën e tyre në formacionet partizane. Afrimet e para, megjithëse të vogla në numër, i përkasin fundit të vitit 1943, ndërkohë që në periudhën shtator-tetor të vitit 1944, pati një dyndje të madhe të ushtarëve nazistë drejt Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Vetëm në Brigadën I Sulmuese, në vjeshtën e vitit 1944, numëroheshin 70 syresh, të cilët morën pjesë aktive në luftimet për çlirimin e Tiranës. Pak a shumë një sasi e tillë, kryesisht me ushtarë armenë, iu bashkëngjit reparteve të Brigadës VIII dhe luftoi bashkë me forcat partizane deri në skajet e largëta të Jugosllavisë. Gjithnjë sipas dokumenteve të kohës, gati në çdo formacion të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, ka pasur ishushtarë gjermanë që pranuan të bashkohen në frontin kundër nazizmit. Madje, janë dokumentuar se 25 syresh janë vrarë në luftime për çlirimin e vendit.

Ku ishin grumbulluar robërit gjermanë pas luftës
?
Në prag të përfundimit të luftës në Shqipëri, periudhë kjo që përkonte me përmbylljen e operacioneve të mëdha të forcave të ushtrisë nacionalçlirimtare, robërit gjermanë, sipas urdhrave dhe udhëzimeve përkatëse dhe rregulloreve të Shtabit e Komandës së Përgjithshme të UNÇSH, u grumbulluan pranë qendrave të njësive të mëdha të ushtrisë nacionalçlirimtare, si pranë Divizionit të parë Sulmues dhe të divizioneve të tjerë që u krijuan në rrjedhën e muajve tetor-nëntor, 1944. Ndërkaq, qendra të përshtatshme për grumbullimin e robërve u ngritën edhe pranë Shtabit të Korparmatës së Parë dhe atij të Përgjithshëm. Ndërkohë me grumbullimin, ruajtjen, sistemimin dhe trajtimin e tyre ishin përcaktuar rregulla, duke nisur me identifikimin dhe mjekimin e robërve të plagosur e të sëmurë.

Qendra më e madhe e grumbullimit të tyre ka qenë e ngritur në zonën e veprimit të Divizionit të Parë Sulmues në Tiranë, ndërkohë që forcat e këtij të fundit, ku përfshiheshin një sërë brigadash e njësish sulmuese, kryenin veprime mësymëse për çlirimin e kryeqytetit të vendit, Tiranës. Natyrisht, vendgrumbullime të robërve gjermanë ka pasur edhe në zona të tjera, por ata u përqendruan kryesisht në Tiranë, nga ku edhe u riatdhesuan.

Ndërkaq, kush merrej me trajtimin e tyre?
Trajtimi i tyre, shërbimi logjistik, përkujdesja njerëzore, siguria e jetesës, ndiqej nga komandat ushtarake të garnizoneve përkatëse. Sipas urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm, ishin krijuar struktura të veçanta që menaxhonin detyrat për grumbullimin dhe sistemimin e robërve të luftës në rajone e kazerma të caktuara. Me përfundimin e veprimeve luftarake dhe afrimin e ditës së çlirimit, kjo procedurë u institucionalizua dhe zyrtarisht. Tanimë, kur emocionet e luftës po fashiteshin, trajtimi i tyre nisi të vlerësohej si një çështje humane. Një impakt të ndjeshëm për këtë dha kontakti i autoriteteve shqiptare me faktorin ndërkombëtar, sidomos aleatët e bllokut antifashist…

A ka shpjegime e dëshmi në dokumentet arkivore lidhur me zbatimin e Konventës Ndërkombëtare, në kushtet e robërve gjermanë në vendin tonë?

Në atë periudhë as që bëhej fjalë për Konventën Ndërkombëtare. Çdo situatë në përballjen me robërit gjermanë zgjidhej partizançe, që parakuptonte vullnetin e çastit, temperamentin e eprorit dhe sjelljen e kundërshtarit. Më vonë, komanda qendrore dhe ato të zonave operative në terren, u munduan ta disiplinojnë si proces me urdhra e porosi të veçanta. Një kohë të gjatë me robërit janë marrë skuadrat e disiplinës, siç u quajtën strukturat e ngritura enkas për trajtimin e tyre. Me rigrupimin e tyre nga periferia në qendër të zonave dhe nga periferitë në Tiranë, procesi mori profil institucional. Megjithatë, në dokumentacionin që posedojnë arkivat tona, në asnjë rast nuk përmenden ligjet ndërkombëtare dhe sidomos Konventa e Robërve.

Në kujtimet e tij nga vitet e luftës, Bedri Spahiu, një nga personazhet historikë të regjimit komunist dhe drejtues i lartë i njësive partizane pohon se robërit gjermanë janë përdorur për banka gjaku. A ka gjurmë në dokumentet arkivore që e konfirmojnë këtë dëshmi?

E kam dëgjuar këtë dëshmi të Bedri Spahiut dhe jam befasuar. Të paktën unë këtë fakt nuk e kam hasur në asnjë dokument autentik dhe nuk e kam dëgjuar nga asnjë prej ish-drejtuesve të ushtrisë antifashiste nacionalçlirimtare. Pohimi i Bedri Spahiut se gjatë mjekimit të Nako Spiros në Spitalin Ushtarak ka parë intervenimin e disa mjekëve për t’u marrë gjak një grupi gjermanësh të rreshtuar te koka e liderit që jepte shpirt, nuk është përmendur nga askush tjetër prej bashkëkohësve.

Sidoqoftë, kjo është vetëm një e dhënë, që pavarësisht rrethanave, në të cilat është konsumuar, paraqet interes dhe mund të gjurmohet më tej për tu ndriçuar përfundimisht. Vlen të theksohet se një pohim i kësaj natyre nuk është evidentuar as nga vetë robërit gjermanë që janë riatdhesuar në vitin 1951 dhe janë intervistuar një për një nga autoritetet gjermane dhe ato të Kryqit të Kuq.

Si u procedua me riatdhesimin e robërve gjermanë?
Procedurat për riatdhesimin e robërve nazistë filluan pas çlirimit të vendit dhe ngritjen e shtetit komunist. Fillimisht ata u grupuan në qendra të mëdha komunitare. Pjesa më e madhe u vendos në kazermat e Xhenios, aktualisht garnizoni i akademisë ushtarake. Që këtej u përcollën e transferuan sipas marrëveshjes për trajtimin dhe riatdhesimin e robërve për në Gjermani.

Fillimisht është bërë një takim dypalësh shqiptaro-gjermano-lindor, se me Gjermaninë Perëndimore nuk kishim marrëdhënie diplomatike, në Bukuresht të Rumanisë në vitin 1950 dhe prej aty janë nënshkruar modalitetet dhe procedurat përkatëse dhe ka nisur operacioni i evakuimit aty nga shtatori i vitit 1951…

Dokumentet, robërit gjermanë që luftuan kundër nazistëve

Në dokumentet e shumta të Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura ruhen listat e plota të robërve nazistë që bashkëpunuan me forcat partizane. Sipas tyre, të parët që braktisën formacionet e pushtuesit ishin pesë ushtarë nazistë, të cilët në vjeshtën e vitit 1943 u bënë pjesë e batalionit të Çermenikës. Evidencat e kohës të brigadave sulmuese konfirmojnë se fluksi më i madh i vërshimit të tyre drejt reparteve partizane i përket periudhës gusht-tetor, 1944.

Pikërisht në gusht të këtij viti, në radhët e Brigadës III Sulmuese, në periferinë e Tiranës, u futën 42 ish-ushtarë nazistë, me të cilët u krijua një togë e veçantë. Në shtator 1944, në Brigadën II Sulmuese u rreshtuan 20 të tjerë, kryesisht armenë. Po në këtë periudhë, në përbërje të Brigadës I Sulmuese u rreshtuan gjithashtu 70 ish-nazistë, të cilët u “pagëzuan” në luftimet për çlirimin e Tiranës.

Një sasi e tillë u bë pjesë e Brigadës VIII Sulmuese. Po kaq ishin në përbërje të Brigadës XII Sulmuese. Gjithnjë sipas dokumenteve arkivore, të tillë “mysafirë” ka pasur në Brigadën e V, të XIV dhe të VI. Ndërkaq, robërit që luftuan në radhët e Brigadës XIX u përkisnin etnive austriake, gjermane, çeke e polake.

VIJON…

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura