“Eposi i Kreshnikëve”, gojë më gojë deri tek At Benardin Palaj…

Nov 12, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

Frano Kulli

FRANO KULLI

“Kangët e Kreshnikëve” ase Eposi (tërësia e krijimeve epike të një populli, Fjalori i Gjuhës Shqipe 1980 fq. 432) i Kreshnikëve është trashëgimia jonë më e vyer kombëtare, një aset mjaft i pasur i kulturës sonë shpirtërore. Kjo është gati një aksiomë tashma, jo vetëm e pranuar, por e vërtetuar prej studimeve bindëse të lëvruara, sidomos përgjatë gjithë shekullit të njëzetë. Por kjo “konfermë” të themi, ka ardhur si produkt e përfundim i studimeve mjaft më të hershme që kanë nisë, së paku nga shekulli XVI. Folkloristi i parë i njohur si i tillë, po njëherësh edhe leksikografi dhe etnografi i parë i shqiptarëve ka qenë Frang Bardhi. Frang Bardhi (1606-1643) i lindur në Zadrimë ishte ipeshkvi i Sapës. Ishte hartuesi dhe publikuesi i parë i një fjalori për Gjuhën Shqipe. Fjalor latinisht-shqip, i cili ka rreth 5000 fjalë të përkthyera nga latinishtja në shqip. Porse gjuhëtari skrupuloz e shumë i begatë në studimet e kësaj fushe, Kolë Ashta, detajon se fjalori ka ekzatësisht 2544 fjalë si dhe numërorë, emra vendesh dhe një sasi fjalësh të urta e shprehjesh të mbledhura nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Por, parë nga një këndvështrim i huaj, eposi shqiptar është produkt i një kulture jo shumë të njohur edhe për shkak të një gjuhe të vështirë dhe të studiuar shumë rrallë, siç ishte shqipja. Kështu, për njëfarë kohe ky epos, sipas vëzhgimeve dhe hulumtimeve të huaja të deriatëhershme, ka mbetë nën hijen e eposit serbokroat, po edhe atij mysliman boshnjak, me të cilin, pa diskutim, ka afërsi dhe ndërthurje. Por , megjithatë autenticiteti i saj nuk vonon të njihet prej studiuesve të huaj e për té të shkruhet. Në vitin 1937, Albert Lord (1912-1991), nga Universiteti “Harvard” u kthye i vetëm në Ballkan, ku filloi të mësojë shqip dhe të udhëtojë nëpër malësitë e Veriut të Shqipërisë, ku mblodhi një pjesë të madhe të vargjeve heroike shqiptare, të cilat ruhen në Koleksionin “Milman Parry” pranë Universitetit “Harvard”. Lidhur me këtë veprimtari, ai shkruante: “Në Novi Pazar (Qendra e Sanxhakut në Serbi), Parry, Milman Parry (1902-1935) një hulumtues pararendës i tij, por dhe bashkudhëtar në këtë sipërmarrje eksploruese, kishte pasë regjistruar disa këngë shqiptare nga njëri prej këngëtarëve që këndonte në të dyja gjuhët. Vegla muzikore e përdorur për t’i shoqëruar këto këngë është gusle (shqip, lahutë) por vargu është më i shkurtër se dhjetërrokëshi serb dhe nëpër to vihet re një lloj rime primitive. (“Shqiptarja.com”, 2 korrik 2017). Duket qartë se do të ishte me vlerë një studim i shkëmbimit të formulave dhe pjesëve tradicionale midis këtyre dy grupeve poetike, duke qenë se kjo do të tregonte se çfarë ndodh kur poezia gojore kalon nga një grup gjuhësor në një tjetër, i cili ndodhet ngjitur me të parin. Siç kanë qenë e janë ndërkomunikuese në përgjithësi kulturat fqinje ballkanike, veçanërisht njëra me tjetrën. Megjithatë, Eposi ynë i Kreshnikëve ka rrugëtuar në shekuj nëpërmjet transmetimit gojor nga brezi në brez. Sepse, siç dihet, poezia, teksti poetik, ka nisur të shkruhet mjaft vonë. Por kjo nuk e zbeh aspak hershmërinë e Eposit tonë të Kreshnikëve. “Poezia shqipe dokumentohet e shkruar shumë vonë, ashtu si vetë gjuha shqipe e shkruar. Po sikundër vërtetohet se gjuha e sotme shqipe është vazhdim i gjuhës së ilirëve, duhet pranuar se edhe poezia e sotme shqipe i ka modelet e veta më të hershme në kulturën ilire, që është ndër më të vjetrat e më të lashtat e Mesdheut”, kumton studiuesi Dr. Tonin Çobani në studimin e tij “Një tekst poetik i vjetër sa vetë melodia që e ka përcjellë si këngë” rreth librit të muzikantit të ri Gjon Kujxhija: “Valle kombëtare”. (Gjon Kujxhija një ilir i ndezun, fq. 94) Kurse në vetë parathënien e librit në fjalë, autori Kujxhija shkruan: Vallet [muzikë, poezi dhe danzë] janë muzika ma e vjetra, ma origjinale dhe ma e bukra qi kemi trashigue prej t’parëve tonë” (po aty, fq 94). Të parët studiues që i kodifikojnë ato vlera të trashëgimisë sonë dhe i kthejnë ato nga gjendja orale (gojore) e tyre në një kolanë botimesh të mirëfillta studimore e shkencore, duke ruajtur gjendjen e tyre burimore, pra, autenticitetin e tyre, është libri “Visaret e kombit”. Mbledhë e kodifikue prej At Benardin Palaj e At Donat Kurtit. Dy famullitarë, priftërinj katolikë të urdhrit françeskan, të cilët në misionin e tyre kulturor, atdhetar, kishin eksploruar në imtësi dhe më pas i kishin përmbledhur hulumtimet e tyre në librin e sipërpërmendur, “Visaret e Kombit”. Me nëntitullin: “Kangë kreshnikësh dhe legjenda”, libri përmban këngë kreshnikësh dhe legjenda, të mbledhura dhe të redaktuara nga dy autorët e sipërpërmendur. Çka do të shënonte edhe të parën punë të mirëfilltë studimore moderne në këtë fushë. Do ta vijojnë këtë punë-mision edhe prof. Karl Gurakuqi e Filip Fishta. Edhe ata, referuar teksteve të botuara tashma, i përgatisin për botim dhe ia paraqesin lexuesit të interesuar të zgjedhura e të komentuara. Kurse i gjithë korpusi, përgjatë atij viti jubilar, pra, 1937, përmbush 15 vëllime (gjithnjë nën titullin “Visare të kombit”) me krijimtari folklorike, tashmë jo vetëm nga eposi, por nga të gjitha zhandrret e kësaj fushe të krijimtarisë së popullit, me një shtrirje nga e gjithë bota shqiptare, nga veriu në jug si dhe nga shqiptarët e Greqisë dhe Arbëreshët e Italisë.

Është e njohur se instrumenti muzikor, me të cilin janë shoqëruar e përcjellë Këngët e Eposit të Kreshnikëve ka qenë lahuta… “Në Shqipërinë Veriore, malësorët tanë e përdorin me ëndje këtë vegël dhe e dëgjojnë me vëmendje kur shoqëron këngët e trimërisë nga epika jonë historike ose baladat dhe rapsoditë e epikës sonë legjendare. Lahuta përdoret në ato krahina të Shqipërisë Veriore ku këndohen Këngët e Kreshnikëve, domethënë nëpër trevat mbi lumin Drin”, do të pohonte etnomuzikologu ynë më i shquar, Ramadan Sokoli…

Po kthehem edhe një herë te muzikologu ynë jetëshkurtër e me fat tragjik, për të cilin nuk është rendi me folë këtu, por me një vepër plot vlerë, sidomos në rrafshin e trashëgimisë sonë muziko-letrare, Gjon Kujxhia. Në parathënien e librit të tij të sipërcituar, ai shkruan: “Në fillim plani i studimit t’em dhe i botimeve t’mija ishte tjetër: Kishe caktue me mbledhë folklorën e Shqipnisë së Veriut. Tue fillue prej maleve e fshateve e dalë nga dalë me zbritë në qytete, përse, sikuer pastertija e gjakut, e dokeve dhe e gjuhës qi kemi trashigue prej t’parëve t’onë Iliro-Thrakë janë të ruejtuna ma mirë ndër këto vise, ashtu edhe muzika shqiptare e trashigueme prej tyne, atje asht ruejt ma e paprekun; per ma tepër unë jam i mejtimit se muzika e jonë nder qytete, ka zanafillen e vet nga ajo e maleve, por asht zhvillue ma fort, paralelisht si me jeten shoqnore”. (Gjon Kujxhija një ilir i ndezun, fq. 104)

Gjon Kujxhija, studiuesi skrupuloz i trashëgimisë muzikore që fati tragjik e ndau nga kjo jetë në moshën 23 vjeç, në vitin 1943 na sjell këtë devizë, e cila edhe sot rrin kaq e freskët ndër ne.

Kjo trashëgimi e jona e mrekullueshme ishte prezente edhe në një festival tipologjik. Ishte prezente me lëndën muzikore, ishte prezente me interpretët virtuozë. Është trashëgimia jonë e ndritur që vjen nga lashtësia e që u shpërfaq me 9 nëntor 2020. Shekulli XXI. Në një festival tipologjik kombëtar, në Lezhë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura