Episode në favor të Interit, ja vendimet e dyshimta të arbitrave në Serinë A

May 13, 2022 | 23:48
SHPËRNDAJE

Ky sezon i Serisë A nuk ka kaluar pa polemika dhe në qendër të tyre gjithmonë kanë qenë arbitrat. Por kur mungojnë vetëm dy javë nga fundi dhe me kampionin ende të papërcaktuar, shanset që vendimet e tyre të ndikojnë në verdikt nuk janë të pakta.

afp_xix_20210925_195514_009903

Episodet në secilën prej javëve kanë parë të favorizuar Interin që me penallti të dyshimta në favor dhe me episodet në dëm të tyre të pavërshëllyera, kanë parë zikaltrit të favorizuar në të paktën 10 raste.

Sampdoria – Inter 2-2 Orsato (Në VAR – Naska) Java e 3-të

Orsato rikthehet në gjykimin e Interit pas 3 vitesh, pas polemikave të shumta që kishte shkaktuar më parë në arbitrimin e Inter-Juventus dhe e bën si protagonist.

Në të 18-ën goditja e dënimit që solli golin e Interit u akordua pas një prekjeje të lehtë ndaj Lautaros, një standard që nuk u përdor në rastin e golit të dytë të zikaltërve, kur aksioni që çoi te goli nisi nga një faull flagrant i Çalhanoglusë ndaj Damsgardit, i pakonsideruar nga Orsato dhe VAR-i. Në të 96-ën një tjetër episod që mund të ndryshonte shifrat: Dumfris pengon në zonë Kandrevën, por loja vazhdon normalisht nga kryesori dhe Naska në VAR.

Sasuolo – Inter 1-2, Paireto (Në VAR – Naska) Java e 7-të

Në bilancin e kartonëve, Sasuolo e përfundon ndeshjen dhe 4 kartonë të verdhë për 10 faulle të kryera, ndaj 2 të verdhëve për 19 faulle zikaltër, një raport që çuditi jo pak. Sasuolo gjen golin në të 12-tën me 11-metërsh dhe në minutën e 45-të Defrel me një kundërsulm ka shansin të dyfishojë, por ndërhyrja e Handanoviçit e rrëzon në tokë, jashtë zone. Kur pritej që të vinte goditja e dënimit, Paireto, pa shpjegim, mbyll pjesën e parë dhe Naska nga VAR-i nuk ndërhyn.

Inter – Napoli 3–2, Valeri (Në VAR – Aureliano) Java e 13-të

Në një nga ndeshjet më delikate, skenën e mori Paolo Valeri. Brenda 30 minutash lojë, arbitri ndëshkon me të verdhë gjysmën e skuadrës napolitane për ndërhyrje dhe protesta, por fal shumë prej atyre të zikaltërve. Goli i parë i Interit vjen me penallti, me Valerin që thirret në VAR, pasi Kulibali prek me dorë topin që kishte prekur në fillim krahun e ngjitur me trupin. Më pas Valeri lë pa ndëshkuar një ndërhyrje të Bastonit ndaj Osimhenit në zonë, në kufijtë e penalltisë.

Inter – Specia 2–0, Gersini (Në VAR – Maxoleni) Java e 15-të

“15 metra sprint bëri Lautaro për të dëmtuar lojtarin tim. E gjitha do të shkonte ndryshe nëse për më shumë se 45 minuta do të luanim 11 kundër 10”, ishte deklarata e Tiago Motës, trajnerit të Specias, që përmbledh atë që ndodhi në të 44-ën kur ndeshja ishte 1-0. Argjentinasi godet Erliç dhe Maxoleni në VAR e lë të shkojë situatën me vetëm një karton të verdhë, duke e lënë Interin të padëmtuar.

Atalanta – Inter 2-2, Masa (Në VAR – Di Paolo) Java e 22-të

Nëse ekzistojnë dyshime për raste të tjera, nuk ka dyshime për një penallti të mohuar të Atalantës. Pasaliç godet me kokë dhe prekja e dukshme me dorë e D’Ambrozios kalohet si nga Masa dhe nga Di Paolo në VAR, që nuk e thërret kryesorin për ta riparë episodin.

Inter – Venecia 2–1, Marketi (Në VAR – Maxoleni) Java e 23-të

Një Venecia e bukur u përmbys në “San Siro”, me ndihmën e Marketit dhe Maxolenit. Lagunarët kaluan të parët në avantazh, por Barela në të 40-ën barazoi shifrat. Rikuperimi i topit ama erdhi nga një ndërhyrje e Xhekos me bërryl në fytyrën e Modolos, një ndërhyrje që nuk u vlerësua e mjaftueshme për të anuluar golin, por më vonë pikërisht Modolo ndëshkohet me të verdhë për një dorë të ngritur ndaj boshnjakut.

Xhenoa – Inter 0-0, Kifi (Në VAR – Maxoleni) Java e 27-të

Në ndeshjen e mbyllur barazim, një ndërhyrje e rëndë e Perisiçit ndaj Heftit ndëshkohet vetëm me karton të verdhë, ndërkohë që Maxoleni edhe këtë herë nuk ndërhyn.

Torino – Inter 1–1, Guida (Në VAR – Masa) Java e 29-të

Kur torinezët udhëhiqnin 1-0, në zonë Ranokia ndërhyn në dëm të Belotit, duke mos e lejuar italianin të godasë. Penallti e qartë, por Guida lejon lojën dhe Masa nuk ndërhyn. Dy ditë më vonë, transmetohet komunikimi mes arbitrave. “Vazhdoni lojën, ka prekur në fillim topin”, ishte komunikimi i Masës, që pas konfirmimit se pamjet në dhomën e VAR-it ishin të njëjta me ato të transmetuara, solli pezullimin e tyre.

Juventus – Inter 0–1, Irrati (Në VAR – Maxoleni) Java e 31-të

Në “Derbin e Italisë” goli vjen me penallti dhe pavarësisht kontestimeve për akordimin, më i dyshimtë akoma është vendimi për një karton të kuq të padhënë për Lautaron. Argjentinasi merr një të verdhë për ndërhyrjen ndaj Lokatelit në fytyrë në minutën e 2-të dhe më pas falet për një ndërhyrje po aq të rrezikshme ndaj Kielinit.

Inter – Empoli 4-2, Manganielo (Në VAR – Banti) Java e 36-të

Pasi u gjend në disavantazh 0-2, goli i barazimit për Interin erdhi nga një aksion i nisur në mesfushë, aty ku Barela ndërhyn në dëm të Asllanit, një faull që në kushte normale do të ndëshkohej me karton të verdhë, por VAR-i nuk e merr parasysh. Nga ai moment lind edhe përmbysja e zikaltërve që pjesën e dytë e nisën në komoditetin e barazimit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura