Epidamn Zeqo rrëfen amanetin e pa përmbushur dhe fatin e veprave të të atit: Pse e ktheve familjen në Shqipëri në vitin 1997 nga SHBA

Jun 21, 2020 | 11:53
SHPËRNDAJE

Në portretin e tij, ndërsa mes dhimbjes përcjell atin e dashur, lehtësisht dallon të ndjerin Moikom Zeqo. Dhe fjalët e të birit, Epidamnit në Muzeun Historik, gjatë homazheve, rrëfejnë edhe një herë se pse eruditi zgjodhi të përshkojë në jetë dete dijesh, një rrugëtim, në të cilin bashkë me bashkëshorten, Lidën, “thirrën” dhe tre fëmijët e tyre.

2036fe8c-3655-4193-a12d-3c57226339c3

Jeta e studiuesit nuk shkoi asnjëherë drejt interesave personale, ndaj edhe amaneti i tij është gjithëpërfshirës. “Amaneti i babait tim nuk është përmbushur, pasi ai kërkonte një Shqipëri më të mirë. Shqipëria që ai donte dhe për të cilën luftoi, është një Shqipëri që ndoshta nuk e kemi pasur asnjëherë dhe do të ishte mirë ta kishim një ditë. Amaneti i tim eti nuk ishte përcjellja apo varrimi i tij, ishte Shqipëria, por edhe njerëzimi”.

Kjo lidhje e tij e fortë me vendin shpjegon edhe kthimin e Moikom Zeqos në Shqipëri gjatë vitit 1997, kur sapo kishte përfunduar studimet e doktoratës në Amerikë dhe iu dha mundësia të qëndronte atje. Një nismë e tillë të birit i pat ngelur “peng”, pasi, si pasojë, do t’u duhej që gjatë viteve në vazhdim të duronin ndarjen nga prindërit e një sërë vështirësish të tjera që hasin të rinjtë në vend të huaj.

Ndërsa dje, gjatë ceremonisë së përcjelljes së babait të tij, i rrethuar nga familjarë, miq, njerëz të thjeshtë, të botës së artit e kulturës, shkencës, figura politike të majtës e të së djathtës, Epidamni u shpreh: “Jam i lumtur që im atë është një figurë përbashkuese, por sot është një ditë zie”. Sa u përket dorëshkrimeve që Moikom Zeqo la pas dhe në veçanti librit të tij të jetës, “Kështu foli Mona Liza”, të cilin po e rishkruante dhe zgjeronte gjatë muajve të fundit me një entuziazëm të veçantë, Epidamni u shpreh se ai dhe familja e tij do të kujdesen që të shkojnë te lexuesi. “Librin ‘Kështu foli Mona Liza’ donte ta ribotonte dhe kështu do të ndodhë, jo vetëm me të, por të gjitha veprat që la pas. Madje, e deklaroj sot, se do të krijohet fondacioni Moikom Zeqo, që do të jetë një kontribut në letërsinë shqiptare”, tha më tej. Më pas, Epidamni mbajti një fjalim të veçantë në nder të të atit.

Eulogji – Lavdëri për Moikom Zeqo nga Epidamn Zeqo

8c39998f-9a4e-428e-b1ea-468da8bfea16

Kjo nuk është një eulogji standarde. Im atë është një figurë unike, sui generis, pra, aspak standarde (edhe pse i thjeshtë dhe i kuptueshëm). Sa më mungon, o babi! Ku je tani, babi? Si ike kështu në mënyrë të pakthyeshme? Po Pandorës të vogël çfarë t’i them unë tani, ku t’i them iku gjyshi që ajo e ka pikë të dobët dhe e ka shumë xhan, xhan? Tani e thërras gocën BABI. Ke uri, babi? Të lexojmë librat e gjyshit, babi i vogël?

Kam veshur sot të njëjtin kostum që kisha në dasmën time në vitin 2015. Kur erdhe në Londër për dasmën, dukej që ishe i sëmurë, kishe leukemi kronike. Luftove për pesë vite si askush – sa krenar jam për ty, o ba! Ti, Moikom, je këtu me ne përjetësisht. Ne të gjithë duhet t’ia përcjellim gjeneratës së re këtë dritë-uri për të shpëtuar Shqipërinë nga gjendja toksike, në të cilën ndodhet.

Moikom Zeqo do të mbetet ati i përjetshëm i familjes Zeqo, por edhe ati i kombit shqiptar. Moikom ia kushtoi jetën zhvillimit dhe pasurimit cilësor, konceptual dhe sintetik të politikës, kulturës, arkeologjisë, letërsisë dhe mësimdhënies. Moikomi dhe vepra e tij është pasaporta kulturore e Shqipërisë europiane. Është i vetmi që është i lirë, por edhe i ditur. Ai ishte një njeri jashtëzakonisht i mirë dhe modest. Ai admironte bukurinë dhe dijen e vërtetë. Atij nuk i pëlqente bukuria kitch dhe lajmet e rreme.

Moikomi ishte i majtë edhe për të nderuar sakrificën e bërë nga partizani shqiptar Zihni Zeqo. Por Moikomi nuk mund të përkufizohet as si i majtë dhe as si i djathtë – Moikomi u përket njerëzve (të mirë) dhe njerëzimit. Moikomi do të mbetet përfaqësuesi më pjellor i konceptit të kombit dhe njerëzimit në vendin tonë të vogël.

Moikomi veshi shumë kapele profesionale (edhe kapele republike) gjatë jetës së tij: nga notar, peshkatar, punëtor hekurudhe, shkrimtar, redaktor, mësues, arkeolog, arkeologu i parë nënujor shqiptar, ministër i Kulturës, deputet, piktor, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar.

Por karriera e tij profesionale, ndryshe nga ajo letrare dhe publicistike, ishte shumë e shkurtër në krahasim me karrierën e të tjerëve, që i këndojnë politikës ose e mbajnë gojën mbyllur. Ai meritonte shumë më tepër. Ah, sa shumë meritonte Moikomi kur ishte akoma gjallë!

Sa dritëshkurtër politika! Mendoni se një komb mund të ndërtohet ose të mbahet i bashkuar pa idealizëm? Pa De Radën e Naimin dhe pa Migjeni e Moikomin? Pragmatizmi është zgjidhja e vetme, thoni ju? Kujdes! Mos harroni se duhet një gjeneratë për të unifikuar një komb, dhe dy gjenerata për ta zhdukur atë.

Moikom punoi vetëm për të mirën e madhe të kombit shqiptar dhe të njerëzimit, dhe jo për interesat e tij personale apo edhe familjare. Misioni i tij ishte të ndikonte te njerëzit përmes dijes. Moikomi i mrekullueshëm gjithnjë ofronte një perspektivë unike në çdo debat për çdo temë: nga gjuhësia dhe arti deri tek ekonomia dhe gjeologjia.

Është e vërtetë që një komb mund të kuptohet si agregat i miliona njerëzve. Por një komb, në fakt, përkufizohet vetëm nga një grup i vogël individësh. Im atë është më i frytshmi midis tyre.

Pse, Moikom, nuk u bërë pragmatik si ne të tjerët? Pse e ktheve familjen në Shqipëri në vitin 1997 nga SHBA, kur të gjithë po largoheshin nga Shqipëria? Mendove se do të shpëtoje këtë vend? Sa ide naive, por e mrekullueshme dhe kuptimplotë në të njëjtën kohë. Sa shpresëdhënëse, por shpresëmarrëse.

Po unë, Epidamn Zeqo? Ndoqa ëndrrat e mia vetëm për t’u zgjuar në një makth. Mora Green Kartën amerikane, realizova ëndrrën e të gjithëve, por humba tim atë. Oh mërgim, si e ndave çdo familje shqiptare! Sa shumë dramë shkakton, sa shumë dhimbje dhe sa shumë pishmane.

Duhet të përqendrohemi te gjërat që kanë vërtet rëndësi, si familja e shëndeti dhe natyra e dritë-uria.

A do të lexohet vepra e Moikomit nga brezi i ri? Familja ime dhe mbështetësit e shumtë të Moikomit do të sigurohemi që kjo të ndodhë. Të rinjtë dhe të vjetrit duhet të bëhen më të mirë në mënyrë që Shqipëria të shërohet. Duke lexuar Moikomin, forcohet vetëdija kombëtare dhe njerëzore.

Ku është tani Moikomi? Ku je, babi im? Në parajsën e mbushur me re të bardha? Jo, Moikomi është duke punuar çdo ditë si përherë, Moikomi është ministri i përjetshëm i kulturës shqiptare, europiane, dhe botërore. Ai është kujdestari fisnik i bibliotekës njerëzore. Amen!

 

 

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura