“Enveri urdhëroi arrestimin e Kadaresë dhe Qemal Lame i ndërroi mendjen? Kaq budalla ishte Hoxha?!”- Demalia flet për librin e kryehetuesit: Si nuk ka një dëshmitar të gjallë apo dokument! U largua nga sytë-këmbët kur…

Aug 28, 2020 | 20:59
SHPËRNDAJE

Qemal Lame-Enveri-ArratisjaNGA ILIR DEMALIA

Në një kohë që flitet dhe përdoret deri në inflacionim “lufta për dekomunistizimin” e Shqipërisë, në një kohë që janë ngritur Institute dhe Autoritete dhe Shoqata, të cilat, disa paguhen nga taksat e shqiptarëve, e disa të tjera si fondacione përfitojnë financime të ndryshme, dekomunistimizimi ka mbetur vetëm një fushatë banale e inflacionuar nga një retorikë bajate, që shërben jo për të kuptuar se çfarë i ka ndodhur shoqërisë shqiptare gjatë regjimit komunist, por për t’u krenuar si antikomunistë shërbëtorët e atij regjimi, dhe kjo si vazhdim i kulturës sonë të gënjeshtrës dhe falsifikimit, të njerëzve, që nuk i udhëheq asnjë kod moral në raport me veten, por që kanë hall vetëm se si do të duken në shoqërinë e trimërive dhe heroizmave.

Mosreagimi me një fryme serioze, për t’ju kundërvënë kësaj kulture gënjeshtrash, ka bërë që postkomunizmi shqiptar të mbushë faqet e gazetave, botimet e librave, emisionet e dokumentaret me fantazi delirantive-manipuluese, me fiction-letrarë e autobiografi, që shiten si të vërteta dokumentare. Ka bërë, që ata, të cilët në 1990, u zhdukën nga sytë-këmbët, jo vetëm nga skena politike dhe funksionet shtetërore që kishin, por edhe ikën si minjtë në errësirë nga Shqipëria, nga frika e ndonjë hakmarrje nga ata që ishin persekutuar nga regjimi komunist, janë rikthyer me botime apo edhe me funksione e biznese. Një nga arsyet është se ata që çirren sot pas 30 vjetësh për anti-komunizëm nuk mundën të krijojnë një profil dinjitoz, intelektual, moral në ballafaqimin dhe luftën për dekomunistizmim e Shqipërisë, por shumë shpejt u shkrinë në kulturën e manipulim-falsifikimit duke inflacionuar dhe vuajtjet e tyre e duke u kompromentuar me regjimet sunduese të post-diktaturës në shërbim të tyre.

Në këtë rikthim kemi edhe ish kryehetuesin Republikës së Socialiste të Shqipërisë prej vitit 1982-1992 Qemal Lame,  i cili u largua nga Shqipëria ilegalisht në fillim të viteve 90, pasi i kishte dalë emri për t’u arrestuar për krime kundër njerëzimit.  Lame pas librit  “Kur hidheshin themelet”,  vjen tash së fundmi, me  librin “DRITËHIJET E KOHËS. LETËRSIA DHE ARTI NË DIKTATURË PËRNDJEKJA E ISAMIL KADARES”.

Qemal Lame u vendos në krye të Hetuesisë së Republikës Socialiste të Shqipërisë në vitin 1982, fill pas vrasjes së Mehmet Shehut dhe fillimit të fushatës së pastrimit në Shqipëri të “grupeve armiqësore” që kishin lidhje me Mehmeht Shehun, Kadri Hazbiun & CO.  Ata që kanë jetuar dhe kuptojnë atë kohë, e kanë të qartë  se në çfarë filtrash bindje dhe besueshmërie për udhëheqjen e lartë të partisë kishte kaluar njeriu që do të vendosej në krye të Hetuesisë së Republikës.

Qemal Lame, do të ishte drejtuesi i asaj Hetuesie, që nëpërmjet torturave fizike dhe psikike deri dhe futjen në arkivol për së gjalli të të arrestuarve, do t’i shtrëngonin të pranonin veprimtarinë armiqësorë kundër pushtetit dhe të shkruanin ato çfarë servirej nga direktivat e vetë Enver Hoxhës nëpërmjet njerëzve të tij, që kalonin nga Ramiz Alia apo Hekuran Isai, te Qemal Lame dhe më poshtë.

Sikur vetëm për dhunën fizike dhe psikike që sipas nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale ka qenë e ndaluar,  kryehetuesi dhe kolegët e tij duhet të ishin në bankën e të akuzuarve e jo më  për akuzat e sajuara pa asnjë bazë. Por në vend që ky njeri të ishte para drejtësisë,  ose sëpaku i përbuzur nga shoqëria, sot na boton libra me falsifikime dhe me dëshmitare  të vdekur.

Në fakt librit të tij të fundit i është dhënë publicitet për të vetmen arsye; se ky Qemal Lame, dëshmon për persekutimin dhe arrestimin dhe vrasjen dhe zhdukjen e varrit të Isamil Kadaresë. I gjithë ky fiction imagjinar në shërbim të shkrimtarit Ismail Kadare dhe sigurisht me dijeninë dhe pse jo kontributin e  tij, synon t’ia shesë Kadarenë Perëndimit si disident dhe i persekutuar nga regjimi.

Duke paraqitur Ismail Kadarenë si një shkrimtar që ka qenë i ndjekur nga Sigurimi Shtetit dhe si komplotist me grupin e Mehmeht Shehut, Qemal Lame nxjerr dhe veten si njeri që ka qenë në anën e atyre që ishin kundër pushtetit. Sipas dëshmive të tij, nxjerrë nga ditari që ka mbajtur në atë kohë(?!!), në takimet me Enver Hoxhën,  ky i paska ndryshuar mendjen E.Hoxhës për arrestimin e Ismail Kadaresë, pasi ai kishte dhënë urdhër të arrestohej(?!!).

Nuk ka një dokument një dëshmi nga një person i tretë, që kryehetuesi Lame, të ketë takuar Enver Hoxhën, apo se ky paska qene ai që i ka ndërruar mendjen E.Hoxhës për mos të arrestuar shkrimtarin Ismail Kadare. Po nuk është vetëm mungesa e dokumenteve që bën të mos besohet kjo? Urdhrin e arrestit nuk e jepte Hetuesia, por Prokuroria.

Sikur Enver Hoxha të kishte dhënë një urdhër të tillë, do të zbatohej menjëherë dhe në zbatimin e këtij urdhri do të firmoste Prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino, të cilit do t’i ishte dërguar materiali komprometues për Ismail Kadarenë. Rrapi Mino ka deklaruar: Se nuk ka pasur kurrë një urdhër arresti apo materiale të tillë për arrestimin e Ismail Kadares.

Ismail Kadare njëkohësisht  ishte anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe anëtar i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Me ligj, për funksionet që kishte, nuk mund ti hapej dosje ndjekje agjenturore si komunist, anëtar i Kuvendit Popullor etj., siç thotë Lame. Ishte me ligj që anëtari partisë nuk mund të interrnohej, arrestohej për pa u bërë përjashtimi nga radhët e partisë dhe largimi si anëtar i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Megjithatë Lame thotë se Ismail Kadare ka pasur një dosje voluminoze 2A si “Shtrigat” dhe “Krokodili” me agjentët Bloza, Katrani, Aventurirët.

Shkruan Lame në ditar:

“TAKIMI ME ENVER HOXHËN:

URDHRI PËR ARRESTIMIN E ISMAIL KADARESË

E hënë, më 27 shtator 1982, 18:00

Të pranishëm në zyrën e Enverit ishin edhe Ramiz Alia dhe Hekuran Isai, ministri i Brendshëm.

Enveri foli i pari: – Të arrestohet ai Kadareja! Të bisedojmë e të vendosim për këtë qelbësirë. Boll ka livadhisur. I është rritur shumë mendja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhé! Të shkojnë në hale të gomerëve!

Me ty, Ramiz, dhe ty, Hekuran, kemi biseduar në vazhdimësi. Tani të dëgjojmë Qemalin. I lexove dokumentet, shoku Qemal?

– I lexova dhe i analizova, shoku Enver.

Hë, mo, si thua? I ka ardhur koha. T’ia përveshim edhe atij…

Pra Enver Hoxha pasi kishte vendosur arrestimin e Ismail Kadaresë, po i merrte mendim Qemal Lames, duke thënë në sy të tre vetave, – “I është rritur mendja.”  Nuk përmendet as komplot, as agjentur. Po pse kaq budalla ishte Enver Hoxha sa ndërkohë që kishte ngritur akuza për komplot të thoshte në sy të tre vetave që Kadarenë do ta fusim se i është rritur mendja. Por sikur të jetë vërtet kështu, Lame bie vetë brenda me këtë pohim. Sepse mese një herë na thotë në librin e tij se i ka qenë vetëm për akuzat me prova dhe të dhëna që vërtetonin veprimtari armiqësore. Po si ka mundësi që ky ka mbështetur akuzat për tërë familjen Shehu, për Kadri Azbiun e të tjerë që ishin pa asnjë provë, por thjesht trillime?

Qemal Lame, shkruan edhe për një raport që paska përgatitur në lidhje me arrestimin e Kadares dhe që ja dërgon këtë dorazi nëprmjet Sulo Gradecit, shokut Enver.

Qemal Lame, 28 shtator 1982

Punova gjithë natën për ta analizuar dhe formuluar sa më të saktë e të përmbledhur raportin. Raportin e dërgova dorazi tek Enveri. Në orën 07:30 bisedova me Sulo Gradecin. I thashë:

– Kam një dokument shumë të rëndësishëm për shokun Enver. Të lutem, dorëzoja në dorë.

– Pa diskutim, shoku Qemal. Shoku Enver ka besim dhe ju vlerëson personalisht. Mos ki merak.”

Lind pyetja, ku është ky dokument-raport i Qemal Lames? Letrat drejtuar apo dhënë doras apo nëpërmjet sekretarëve, takimet me Enver Hoxhën, të gjitha protokolloheshin dhe arkivoheshin ne Arkivin e Komitetit Qendror.  Le të marrim anën e Qemal Lames, që këta dokumente janë zhdukur(?!)  Po si nuk ka një dëshmitar të gjallë për të vërtetuar këtë?  Del se kryehetuesi Qemal Lame, që thotë se këtë libër e paska mbaruar në dhjetor 1990,  ka pritur 30 vjetë për t’a publikuar duke pritur vdekjen e të gjithë dëshmitarëve të këtyre takimeve dhe ngjarjeve që ai përmend në libër.

Të njëjtën gjë ka bërë  edhe në librin “Kur hidheshin themelet” me priftërinjtë katolikë Dom Simon Jubani, Zef Hardhia dhe At Zef Pëllumbi, ku pasi i përdhunoi në janar 1990 pas demonstratës së Shkodrës për tentimin e hedhjes së bustit Stalinit, i përdhunon dhe të vdekur, duke gënjyer për biseda me ta.  Kryehetuesi shkruan, “Enver Hoxha u imponua të anuloje urdhrin për arrestimin e Ismail Kadaresë, për shkak se nuk do të mbështetej dhe do të kishte reagime të fuqishme nga opinion brendshëm dhe ai ndërkombëtar.”
E para, nuk ka ndodhur që Hoxha të tërhiqej nga diçka që kishte projektuar në mendjen e tij. Fakti që eliminoj bashkëpunëtorin dhe gijotinën e tij të diktaturës, kryeministrin e Shqipërisë për 35-vjet, tregon se Enver Hoxha, nuk ndalej para kalkulimeve të tij paranojake nga frika e “reagimeve të fuqishme” brenda dhe jashtë vendit.

E dyta, Lame edhe na thotë se Hoxha  i paska thënë se do ta fuste me të tjerët sepse i është “rritur mendja” edhe na thotë se Kadareja kishte dosje 2A. Por po të kishte vërtet  dosje 2A ajo do ti kishte shkuar Enver Hoxhës dhe dihet se muhabeti do të ishte ndryshe.

Atë dosje-komlpot e krijoi hetuesia e Qemal Lames. A nuk do të ishte më mirë që kryehetuesi Qemal Lame, të tregonte për të gjitha këto montime proçesesh politikë nga hetuesia, nëpërmjet dhunës fizike dhe psiqike, torturave ç’njerzore. . . dhe jo të fshihet pas gishtit të shkrimtarit Ismail Kadare, duke  na e paraqitur si pjesë e komplotit Shehu, dhe veten si shpëtimtar të tij.

Meqë jemi në familjen Shehu, është e papranueshme  heshtja e Bashkim Shehut, për të thënë të vërteten në lidhje me këtë komplot dhe përfshirjen e Ismail Kadaresë në të nga e ëma apo edhe vetë Bashkimi dhe Skënderi siç thotë Lame.  Bashkimi duhet ta bënte këtë për t’i bërë drejtësi nënës së tij Fiqerete Shehun të vdekur në burg dhe vëllait të vdekur (vetëvrare) Vladimir Shehu.  Apo hesht për t’i bërë një shërbimi servil dhe të pavërtetë Ismail Kadaresë?

Libri i Qemal Lames, për persekutimin e shkrimtarit Ismail Kadare,  nuk është gjë  e re. Për të paraqitur Kadarenë si njeri i persekutuar nga regjimi ka pasur shumë manipulime, fallsifikime, dëshmi të rreme, te sajuara me dëshmi të vdekurish apo të vdekur-gjallësh. Këta janë librat e Maks Velos për Pashallarët e kuq, Librat e Dashnor Kaloçit, dëshmitë e Maks Velos, Visar Zhitit, Bashkim Shehut, Vera Bekteshit, Spartak Ngjelës, etj.

Përpos Dashnor Kaloçit, këta që përmenda kanë vuajtur burgjet e diktaturës komuniste. Shehu, Ngjela, Bekteshi si fëmijë të ish nomenklaturës dhe pastaj të dënuar si shkak i baballarëve të shpallur armiq nga diktatura. Velo dhe Zhiti njeri si elite intelektuale e Tiranës, tjetri si mësues fshati në Peshkopi.  Si ka mundësi që në këtë ndërmarrje të dirigjuar nga vetë Ismail Kadare, këta puqen bashkë dhe bien në dakordësi, herë duke plotësuar njëri tjetrin-dhe herë duke i heshtur njëri-tjetrit, me xhelatët e tyre dhe të familjarëve të tyre?!! Sindromi Stokolmit?

Gurin e parë të këtij manipulim-fallsifikimi  e ka vënë vetë Ismail Kadare, me “arratisjen”  nga Shqipëria në tetor te vitit 1990. Kjo filloi me ripunimin dhe transformimin e veprave të tija në përshtatje me Perëndimin dhe me intervistat që filloi të jepte. Në librin “Bisedë me Alen Bosquet, Ismail Kadare në faqen 51 ai thotë: “Të qenët deputet në Shqipëri ishte një gjë kaq formale, saqë pas ceremonisë së pare, ti vetë harroje që ishe deputet dhe të tjerët gjithashtu. Unë do t’jua vërtetoj këtë. Më 1975, kur pas vjershës Pashallarët e kuq, më larguan nga Tirana dhe më hoqën të drejtën e botimit,  unë  isha pikërisht deputet  Tiranës. Mund ta përfytyroni ju një deputet që s’ka të drejtë të banojë në qytetin ku është zgjedhur dhe që s’ka të drejtë të botojë . . . romane?”

Ja çfarë na thotë në “Kohë barbare’’ në një interviste me Denis Fernandez Recatala ne Paris në 1999 në faqen 41: “Isha deputet kur ndodhesha nën një ndalim kritik të veprës sime. Në tetor 1975 më detyruan të jetoja në një fshat të humbur. Madje më dëbuan (nënkupto internuan shen I.D) nga Tirana. Përfytyroni një deputet që nuk ka të drejtë të jetojë në qytetin që e ka zgjedhur.”

Mbi bazën e këtyre intervistave dhe shkrimeve të manipulatorëve nga Shqipëria, një ekip xhirimi nga Franca  bëri një dokumentar për Ismail Kadare. Ky grup xhirimi  erdhi në Shqipëri për të xhiruar fshatin, “barakën” dhe vendet ku kishte punuar në këneta, kanale, bujqësi si i “interrnuar” Ismail Kadare, për poezinë,  “Në mesditë u mblodh byroja”, apo siç u quajt “Pashallarët e kuq”.
Ja një pjesë e “Pashallarëve të kuq”, për të cilën shkrimtari Ismail Kadare, thotë se e kanë larguar (internuar) nga Tirana dhe i kanë hequr të drejtën e botimit;

“Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe aherë në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve
Tek ndanin mantelet sec i pa.”
“Je për socializmin?
Vrapo në rrjeshta
Shpall kudo dhe mbi këdo
kontroll punëtor.
Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasen që u përmbys nën këmbë e mbaj.
Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur
tek Bulevardi i Madh.”

Falsifikimi me “Pashallarët e kuq” filloi kur i burgosuri politik Maks Velo, botoi një libër të konsultuar me Ismail Kadarenë në Paris, duke e quajtur zhdukjen e kësaj poezie krim letrar.

Ja çfarë shkruan Maks Velo në lidhje me Kadarenë: ”Kadareja për mua është padyshim disident dhe këtë e kam shumë të lehtë ta vërtetoj. Vepra e tij është disidente. Vlera edukuese e veprës së tij për miliona shqiptarë ishte një nga rezistencat e heshtura, sepse ajo në tërësinë e saj është humane, njëkohësisht është antidiktatoriale. Personalisht, veprat e tij janë një pjesë e rëndësishme e edukatës sime artistike dhe qytetare. Një nga këto është se nuk më mësuan të dua dhunën, përkundrazi bën thirrje për ndershmëri, dinjitet, përgjegjësi.

“Se ku e gjen Maks Velo humanizmin tek vepra e Kadaresë mjafton të lexosh “Pashallarët e Kuq”.

Ndërsa i burgosuri tjetër politik Visar Zhiti, ka shkruar se e kanë pyetur në hetuesi për Isamil Kadarenë. Çlidhje kishte arrestimi i një mësuesi fshati në Peshkopi apo Kukës, që shkruante poezi (dhe që pretendon se është dënuar për këto poezi, por nuk na i tregon këto poezi?!) me shkrimtarin Ismail Kadare?! Ja çfarë shkruan Zhiti për poezinë “Pashallarët e kuq” që citova më lart:

“Pashallarët e Kuq”, ata që dinë të lexojnë, nuk e kanë të vështirë të zbulojnë aty fjalët e ndërgjegjes së shkrimtarit me fjalët e mbijetesës së njeriut. Politikën dhunuese dhe mendimin që përpëlitet për të qenë i lirë. Është si mundi i flakës së qiririt me natën e pamasë. Unë them se fitimtar është qiriri. Ndërgjegjja e shkrimtarit aty është ajo e kundërshtarit të diktaturës dhe e regjimit të saj, që rrëfehet habitshmërisht se ka shkruar “një poezi të zezë, të rrezikshme, kundërrevolucionare, të shtrembër, me armën e poezisë ka goditur Partinë, etj.” ç’duhet më tepër, zotërinj?”

Vërtet, ç’duhet më tepër për të kuptuar hipokrizinë. Jo pa qëllim i vura këta dy shkrimtarë, si dy të dënuar politikë, për atë ç’ka shkruajnë për poezinë Pashallarët e kuq, por edhe Kadarenë në përgjithësi.

Në vitin 2002 për veprën pashallarët e kuq u bë një debat i madh. Në një krah qëndronin Fatos Lubonja dhe Ardian Klosi që kundërshtonin se kjo poezi, që në libër reklamohej si e zhdukur, ishte kundër regjimit.
Në gazetën Shekulli në atë kohë, në shkrimin “Amnezi apo Amnesti”, Ardian Klosi shkruante:

“Kjo poezi, jo vetëm që nuk kishte brenda asgjë disidente, sikurse na thonë sot disa moshatarë të Kadaresë, porse, përkundrazi, kishte dashur të mbështeste me vargje luftën që bënte Enver Hoxha atje lart kundër armiqve të pabesë. E dëften edhe vetë togfjalëshi “pashallarët e kuq”: në shumë fjalime dhe materiale të kohës na thuhej, se këta puçistë jetonin si pashallarë, se Petrit Dume kishte një kalë privat që e ushqente me vezë të rrahura, se Beqir Balluku shtrohej përditë e përnatë në ahengje etj.

. . . fundja çfarë mund të thuash më shumë për një poezi, në të cilën Enver Hoxha ka dalë me qiri në dorë, si Diogjeni, për të pastruar hauret e Partisë nga armiqtë?”

Ndërsa Fatos Lubonja në gazetën Shekulli në shkrimin Kundër kulturës së simulim manipulimit shkruante:

“Mbledhja e byrosë politike në mesditë” është një vjershë e paraqitur për botim së bashku me një cikël vjershash, në kohën kur Enver Hoxha ka goditur grupin ideologjik, atë ushtarak dhe përgatitej apo e kishte bërë tashmë, të godiste “armiqtë” në ekonomi. Në qendër të saj qëndron figura e Enverit i cili paraqitet si i vetmi njeri i pagabueshëm, i cili, me “pishtar ndezur” zbulon armiqtë e mbledhur skutave për të konspiruar kundër identitetit Parti/Enver. Pashallarët janë gjeneralët goditja e të cilëve pasoi armiqtë e grupit ideologjik të Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës. Vjersha, në fakt, krahas ekzaltimit të figurës së Enverit në mënyrë eklipsuese ndaj çdo figure tjetër (frymë kjo e trajtimit të Hoxhës nga Kadareja dhe tek Dimri i madh) bën thirrje për thellim të luftës së klasave ndaj armiqve duke marrë modele edhe nga revolucioni kulturor kinez.”

Qemal Lame, sipas meje i inkurajuar nga Kadareja, vazhdon të na thotë se Ismaili pas kësaj poezie u internua. Interrnimi bëhej me një vendim të komisionit të Dëbim Internimeve. Ku është ky vendim? A mund të largohej nga Tirana (internohej) anëtari PPSH, deputeti Kuvendit Popullor të Republikës Socialiste të Shqipërisë? E shpjegova më lart: ka qenë e ndaluar një gjë e tillë. Për këtë interrnim manipulon duke falsifikuar dhe Elena Kadare në librin “Kohë e Pamjaftueshme”.

Kadare ka jetuar në Tiranë si rezident permanent i pa shkëputur dhe kjo vërtetohet me regjistrat e gjendjes civile. Ku ka dokument si i interrnuar në Agim te Fierit dhe rezident i këtij fshati si i interrnuar dhe pagesat për punët që ka bërë në interrnim?

Kadere  gjithë jetën ka marrë pagesën nga Lidhja Shkrimtarëve dhe Artistëve si krijues i lirë qysh prej vitit 1963 në mënyrë të pashkëputur deri ditën që u “arratis” në tetor 1990. Ismail Kadaresë nuk i është ndaluar kurrë botimi. Në këto vite që pretendon se ka qenë i dëbuar ka pasur shkrimë në gazetën Dita, Zëri Popullit dhe revistën Ylli, pa numëruar ato me pseudonimin Gent Arbana në faqen editorial si vijë politike e partisë. Kemi jetuar në Tiranë, dhe Kadaren, e shikonim gjithmonë në xhiro apo duke hyrë në Hotel Dajti me fëmijët e anëtarëve të Byrosë Politike, Agim Myftiun, djalin e Manushit, apo Bashkim Shehun, djalin e Mehmetit, apo vajzat e Adili Çarcanit, e.t.c. gjatë kësaj periudhe. Hotel Dajti ishte i ndaluar për qytetarët e thjeshtë e jo më për një të ‘interrnuar” si Ismail Kadare për të cilin në fakt shoqëria dhe disidenca dhe “internimit” ishin fëmijët e byrosë politike.

Se çdo të thoshte interrnim, sëpaku kryehetuesi Qemal Lame duhet ta dijë mire. Të vinte Skoda me punonjësit e policisë në mëngjes herët, të hidhnin mobilje, plaçka e ç’kishte shtëpia në karroceri, hipnin familjen sipër karrocerisë, prisnin orën 7-8 të mëngjesit kur njerëzit dilnin për punë dhe të rinjtë niseshin për në shkolla, që ta shikonte e gjithë lagjia këtë shfaqje, dhe pastaj,  nisej kamioni me kokat të ulura të familjarëve e me lotët që i rridhnin nga ajo çka i priste në barakat e fshatrave të interrnimit. Kur i paska ndodhur kjo çiftit Kadare?!! Në cilat gurore, kooperativa, brigade ndërtimi ka punuar Ismail Kadare?

Ajo çka Kadare dhe përkrahësit e tij e quajnë “internim” është shkuarja në bazë e artistëve për të jetuar afër punëtorëve, kooperativistëve në prodhim. Ky ishte një vendim partie për të gjithë.  Kadare u caktua në Agim të Fierit, ashtu si kryetari Lidhjes Dritëro Agolli në fshatrat e Korçës e kështu me radhë. Kadaren shkonte e merrte çdo të premte makina e L.SH.A që e sillte në Tiranë dhe e kthente të hënën për tu njohur me jetën e bazës sipas orientimit të partisë për të gjithë artistët për një muaj. Ky ishte “internimi” i Kadaresë.
Tash që shkruaj këto radhë, them: po si ka mundësi që edhe çifti Kadare, flet dhe shkruan për këtë “interrnim”?! Dobësi morale, intelektuale, njerëzore. Fyerje për ata qindra të internuar nëpër barakat e interrnimeve dhe moçalet e punëvë të rënda në bujqësi apo miniera ku i’u shkatërrua jeta dhe shumë dhe vdiqën, siç vdiq Mysine Kokalari në barakat e Burrelit  e vetmuar duke fshirë rrugët e qytetit e sëmurë me kancer. Ku e gjejnë forcën çifti Kadare dhe përkrahësit e tij që flasin për internimin e Kadaresë?!

E pyes Qemal Lamen: A kishte mundësi një njeri i “internuar”, i ndjekur me dosje agjenturore të dilte jashtë vendit në Europë për librat e tij të botuara edhe me sponsorizimin e shtetit dhe lejen e shtetit, pikërisht kur atij i bëhej gati “arrestimi”, “pretenca dënim me vdekje” dhe “zhdukja e varrit të tij”?

Për të mos u zgjatur edhe më po e mbyll këtë shkrim me tri letra të Kadaresë të shkruara në kohën për të cilën flet Qemal Lame në librin e tij, të cilat flasin shumë qartë se çfarë kundërshtari i regjimit ka qenë Kadareja dhe çfarë falsifikatori është Qemal Lame:

Nga letra që i dërgon Enver Hoxhës në 2 prill 1980: “…Jeta dhe vepra ime kanë qenë e do të jenë të lidhura pazgjidhshmërisht me kohën tone, me popullin e Partinë, ky angazhim e kjo lidhje do të jenë përherë të plota e pa rezerva. Arsyeja që Ju shkrova këtë letër nuk është vetëm zgjidhja e problemit të filmit që do ta dëshiroja si autor e në radhë të pare si qytetar, por mundësia për të fituar klimën e mire të penës, mundësinë për angazhimin tim të plotë krejt jetës sime e forcave të mija me punën letrare. Jam duke punuar me intensitet për pjesën e trete të një triologjie (mesi së cilës është Dimri i madh) për rrugën epike 35 vjeçare të Partisë sonë dhe dëshiroj të jap të gjitha energjitë dhe mundësitë e mija për kryerjen me sukses të kësaj vepre, me punën krijuese në përgjithësi, qëllimi i vetëm i pandryshueshëm i jetës sime.

Duke ju kërkuar dhe njëherë falje për shqetësimin

Me respekt të thellë

Ismail Kadare

Tiranë 2 prill 1980

Letra Nexhmie Hoxhës në prill 1982

Gjithë veprën time unë e kam vënë në shërbim të socializmit dhe stabilitetit të rendit socialist në Shqipëri. Duke qenë plotësisht i ndërgjegjshmen se destabiliteti i këtij rendi do të krijonte në vendin tonë katastrofa të tmerrshme, jo vetëm shoqërore, por edhe kombëtare, duke kuptuar thellë këtë, kam dashur të jap ndihmën time modeste për forcimin dhe konsolidimin e tij ….
Kam patur dhe kam besim të plotë te Partia, pa të cilën unë s’do të isha shkrimtar. Është Partia, është kuptimi i gjerë e i thellë i çështjeve të letërsisë prej udhëheqësit të saj, faktori kryesor në sajë të së cilit kam krijuar çdo gjë me vlerë dhe të cilit i detyrohem për gjithçka. Jam krejtësisht i ndërgjegjshëm se pa këto unë nuk mund të isha veçse një krijues mediokër. Ndaj mirënjohja ime mbetet përherë e pandryshueshme.

Letra drejtuar Le monde pas vdekjes së Enver Hoxhës

Populli shqiptar ka një histori të gjatë plot me kurthe, dhe është pikërisht për këtë që ai e din shumë mire se për cilën arsye ai ndjenë dhembje, si ai e çfarë dhe përse ai duhet të jete në zì. Emri i Enver Hoxhës është i lidhur përjetësisht me themelet, me historinë dhe me ndërtimin e Shqipërisë së re. Ja kjo që përcakton dimensionet e figurës së tij, për rrjedhim, zinë e madhe ..
Për mua dhe për bashkëvëllezërit e mijë është e çuditshme, qe gazeta LE MONDE (….) ka vendosë me këtë rast deklaratën e një krimineli siç është i biri i ish-mbretit Zog, të kësaj fantazme qesharake i cili don të vendosë përsëri monarkine në Shqipëri, atë monarki që Franca e juaj ka rrëzuar dy shekuj ma parë, atë për të cilën ajo me të drejtë është krenare. Vetëm njerëzit me qellim të keq mund të dëshirojnë që të bëhet një hap mbrapa në historinë e Shqipërisë.

LEXO EDHE

“I është rritur shumë mendja. Të shkojnë në hale të gomerëve!”- Kryehetuesi tregon prapaskenat: Si më urdhëroi Enveri të arrestonim Ismail Kadarenë

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura