“Enveri s’ua dha pensionin e ‘Heroit të Popullit’, familjeve të Qemalit dhe Vasil Shantos, por ndërhyra unë tek…”, ja dëshmia e ish-nënkryetarit të Gjykatës së Lartë

May 8, 2020 | 20:56
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e familjeve të Qemal Stafës dhe Vasil Shantos, të cilët që në vitet e para pas mbarimit të Luftës, u dekoruan me titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe emrat e tyre gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist e deri më sot janë konsiderua si simbol të Luftës Antifashiste, por që çuditërisht deri në vitin 1950-të, ato dy familje nuk e merrnin pensionin që u takonte me ligj, në bazë të statusit që kishte ai titull.

IMG-20200507-WA0016

Dëshmia e rrallë e Mustafa Qilimit, njërit prej komunistëve të parë të zonës së Delvinës dhe komisar i formacioneve të para partizane të asaj krahine (që e ka njohur nga afër Qemal Stafën, pasi e ka strehuar disa kohë në shtëpinë e tij në Delvinë), i cili pas Luftës, u emërua dhe shërbeu për vite me rradhë në funksionin e nënkryetarit të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë. Si u ankua tek ai, motra e Vasil Shantos në vitin 1950, dhe biseda e Mustafait me Gogo Nushin që derdhi lot kur e mësoi atë fakt dhe vetëm ndërhyrja e tij “lart”, bëri që ajo padrejtësi të vihej në vënd!

Qemal-Stafa-1

Askush nga ata mijra veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që çdo 5 Maj, kanë marrë rrugën drejt ‘Varrezave të Dëshmorëve’ me lule dhe kurora në duar, për të nderuar kujtimin e idealin e shokëve të tyre të rënë gjatë “Luftës Antifashiste”, nuk e dinë dhe nuk e kanë ditur, se 70 vjet më parë, “Komandanti i tyre”, Enver Hoxha, nuk u’a dha pensionin e “Heroit të Popullit”, familjeve të dy prej figurave më të shquara dhe simboleve të asaj Lufte, Vasil Shantos dhe Qemal Stafës.

Vasil_shanto

Dëshmia e bujshme vjen prej Mustafa Qilimit, njërit prej komunistëve të parë të zonës së Delvinës dhe komisar i formacioneve të para partizane të asaj krahine (që e ka njohur nga afër Qemal Stafën, pasi e ka strehuar disa kohë në shtëpinë e tij në Delvinë), i cili pas Luftës, u emërua dhe shërbeu për vite me rradhë në funksionin e nënkryetarit të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, (me gradën e kolonelit), deri sa doli në pension. Në dëshmitë e tij ekskluzive për këtë ngjarje që z. Mustafa Qilimi na i ka dhënë për t’i bërë publike, ai na ka shpjeguar gjithçka me detaje, se si Enver Hoxha u’a mohoi filoimisht pensionin që u takonte me ligj familjeve të dy prej figurave kryesore, simbol të “Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” dhe si u bë e mundur zgjidhja e atij “problemi”, pas ndërhyrjes së tij kur ishte në funksionin e nënkryetarit të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullor të Shqipërisë.

Qilimi: “Enveri, s’ua dha pensionin Qemalit e Vasilit”

Foto-Enver-1279

Po si është e vërteta e mos dhënies së pensionit të “Heroit të Popullit” familjeve të Qemal Stafës e Vasil Shantos dhe kush ishte personi që ua ndaloi ato? Lidhur me këtë Mustafa Qilimi, dëshmonte: “Aty nga fillimi i viteve 1950, kur unë isha në funksionin e Kryetarit të Kolegjit Ushtarak pranë Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht si nënkryetar i asaj Gjykate që kryesohej nga Aranit Çela, më mori në telefon e motra e Vasil Shantos dhe kërkoi që të takohej me mua. Pasi i lashë takimin dhe e prita në zyrën time, ajo më tregoi se ndonëse të vëllait të saj Vasil Shantos, i ishte dhënë titulli i lartë “Hero i Popullit”, pensioni që duhet të merrte familja e tyre në bazë të ligjit, nuk u ishte dhënë. Po kështu e motra e Vasilit më tregoi se e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me familjen e Qemal Stafës, të cilëve nuk u jepej pensioni që u takonte, në një kohë që disa familje të tjera që kishin pjestarë të tyre me titullin “Hero i Popullit”, e merrnin rregullisht atë. Të motrën e Vasil Shantos e kishin rekomanduar që të vinte tek unë, familja e Qemal Stafës, të cilin unë e njihja që nga fillimi i viti 1942, kur ai u strehua për disa ditë në shtëpinë time në Delvinë. Po kështu nga njohja që kisha pasur me Qemal Stafën gjatë periudhës së Luftës, unë kisha ruajtur dhe vazhdoja të kisha miqësi me vëllanë e Qemalit, Alajdinin, me të cilin takoheshim shpesh dhe bisedonim për gjithshka. Pasi e dëgjova ankesën e motrës së Vasilit, telefonova menjëherë Gogo Nushin, i cili në atë kohë ishte në funksionin e Sekretarit të Komitetit Qëndror dhe i tregova për padrejtësinë që u bëhej familjeve të Qemal Stafës dhe Vasil Shantos, duke i thënë se në zyrë kisha motrën e Vasilit. Gogo Nushi u prek nga ato që dëgjoi dhe teksa fliste me mua në telefon, filloi të qante. Ai e mbylli bisedën me mua, duke më premtuar se do ta ndiqte deri në fund atë problem dhe do të më kthente përgjigjie sa më shpejt. Pas kësaj motra e Vasilit u largua nga zyra dhe problemi i pensioneve për familjet Stafa dhe Shanto u rregullua pas disa kohësh. Unë nuk e pyeta më Gogo Nushin se kush ishte ai person që kishte urdhëruar për mosdhënien e pensioneve të “Heroit të Popullit” familjeve të Qemalit dhe Vasilit, por mësova prej tij se ajo gjë u zgjidh vetëm me ndërhyrjen e Enver Hoxhës”, dëshmonte Mustafa Qilimi, duke shtuar se në atë kohë, përveç Enver Hoxhës, asnjë njeri tjetër nuk kishte mundësinë që t’ua ndalonte dhënien e pensioneve familjeve të Vasilit dhe Qemalit, që ishin dy prej simboleve të Luftës Antifashiste.

Si u ekzagjerua numri i dëshmorëve?

20200505_210528

Menjëherë pas përfundimit të Luftës së dytë Botërore, edhe Shqipëria ashtu si gjithë vëndet e tjera të Europës Lindore që morën pjesë në atë Luftë dhe u rreshtuan në krahun e shteteve të koalicionit fitues Anglo-Sovjeto-Amerikanë, filloi të llogariste dëmet që kishte pësuar, për arsye se do përfitonin reparacionet, (dëmshpërblimet) nga shtetet që dolën të humbur si Italia dhe Gjermania. Në atë kohë sipas direktivës së Moskës dhe personalisht Stalinit, shumë nga shtetet e Europës Lindore, i ekzagjeruan dëmet që kishin pësuar nga ajo Luftë si dhe numrin e të vrarëve. Kjo gjë bëhej për dy arsye: e para ishte për propagandë ku shtetet komuniste donin të tregonin se kishin luftuar shumë kundra boshtit nazi-fashist dhe e dyta, se ata donin që të përfitonin sa më shumë nga dëmshpërblimet e Luftës. Në këtë kontekst, u ekzagjerua dhe numri i të vrarëve gjatë Luftës në Shqipëri. Kështu në vizitën e tij të parë që Enver Hoxha bëri në Bashkimin Sovjetik, ai i deklaroi Stalinit se: “vëndi i tij i vogël kishte nxjerrë jashtë luftimit më shumë se 75.000 forca italiane e gjermane dhe nga luftimet me ta kishin rënë 28.000 dëshmorë”. Kjo shifër që iu servir asokohe Stalinit dhe u përdor për 45-vjet me rradhë nga propaganda dhe historioografia e regjimit komunist, u kalkulua në atë mënyrë që të korespondonte dhe me territorin prej 28.000 km. që zinte Shqipëria, ku i binte që për çdo km. të kishte një dëshmor. Por sa është shifra e vërtetë e dëshmorëve të rënë në luftë dhe e ushtarëve italianë e gjermane që u vranë në Shqipëri? Ndonëse shifra e 28.000 dëshmorëve dihej që ishte e ekzagjeruar, ajo u bë publike vetëm pas viteve 1990-të kur u përmbys regjimi komunist. Po t’i referohemi studjuesit të njohur të historisë dhe autoritë të një sërë librash, ish-deputetit Uran Butka, i cili pas viteve 1990-të, është marrë shumë me studimin e arkivave, del se numri i vërtetë i të rënëve në Luftë nuk i kalon më shumë se 3.800 persona. Kjo shifër jo vetëm që ka dalë nëpërmjet dokumentave arkivore zyrtare që z. Butka ka pasur në dispozicion, (si Kryetar i Komisjonit për vlersimin e figurave), por është më se llogjike dhe vërtetohet edhe nga ‘Varrezat e Dëshmorëve’ që janë në të gjithë Shqipërinë. Numri i Brigadave partizane të “Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, ka qenë 28, por në fakt ka pasur 25 Brigada, se tre prej tyre nuk u krijuan fare. Po të kihet parasysh numri i përafërt prej 1000 partizanësh që ka pasur çdo Brigadë, dhe po t’i shtojmë edhe 3.000 të tjerë që kanë qenë pjesmarrës në çetat territoriale, numri i tyre arrin në 28.000 partizanë. Në këtë kontekst dhe po të merret si e vërtetë shifra e 28.000 dëshmorëve, del se duhet të figuronin të vrarë të gjithë ata që u rradhitën nëpër brigadat partizane. Ndërsa shifra e dëshmorëve publikohej në 28.000 vetë, në dy rrethe të veriut nuk kishte fare të rënë në luftë dhe doli si problem se nuk kishte vënd ku të përkujtohej 5 Maji si dita e dëshmorëve. Kjo gjë u zgjidh duke bërë zhvendosje adiminstrative të disa fshatrave që kishin dëshmorë, të cilat u kaluan rretheve fqinje, në mënyrë që të krijoheshin varreza dëshmorësh ku të përkujtohej 5 Maji. Po kështu propaganda komuniste për 45 vjet me rradhë fallsifikoi dhe rriti në mënyrë fiktive numrin e ushtarëve italianë e gjermanë të vrarë në Shqipëri. Po t’i referohemi vetëm kujtimeve të gjeneral Arif Haskos, të cilat janë botuar para dënimit të tij si “armik i popullit”, del se vetëm në luftimet për çlirimin e Tiranës, partizanët kanë vrarë dhe kanë nxjerrë jashtë luftimit rreth 3000 gjermanë. Po të shikohen dokumentet arkivore, e vërteta qëndron krejt ndryshe dhe kjo shifër del se është e ekzagjeruar me një numër të madh zerosh. Kjo gjë vërtetohet dhe nga kujtimet e ish-kryeministrit Ibrahim Biçaku, i cili në mes të tjerash ka dëshmuar: “Gjatë ditëve që luftohej për çlirimin e Tiranës, unë qëndroja në hotel “Dajti” dhe bëja gjithë ditën muhabet për filozofinë antike, me gjeneralin gjerman që kishte ardhur ato ditë, i cili ishte Komandant i Mbrojtjes së bregdetit perendimor të Gadishullit Ballkanik (nga Kepi Matapan i Greqisë deri në Trieste). Sipas dokumenteve që dispononte ai, numri i gjermanëve që ishin instaluar në Tiranë, arrinte në 310 veta dhe ata komandoheshin nga një kapiten i dytë, i quajtur Falke”. Nga kërkimet që kanë bërë vetë gjermanët gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës (fillimi I viteve ’60-të) për të gjetur eshtrat e ushtarëve të tyre të vrarë në Shqipëri, rezulton të jenë gjetur vetëm 61 prej tyre.

Titujt e parë “Hero i Kombeve”

QEMAL_STAFA_08

Menjëherë pas mbarimit të Luftës, qeveria komuniste e Enver Hoxhës filloi dhe shpalljen e “Dëshmorëve të Atdheut” dhe dhënien e titujve të lartë “Hero i Kombeve”. Ky titull u quajt kështu për arsye se komunistët e konsideronin veten internacionalistë dhe pa atdhe. Ndërsa numri atyre personave që u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” ishte shumë i madh, numri i atyre që i’u akordua titulli “Hero i Kombeve” ishte shumë i vogël. Për këtë gjë u vu si kusht: që të përfitoje titullin e Heroit, duhet të kishe bërë një heroizëm në luftë. Aq strikte ishte dhënia e titullit të heroit, saqë ai nuk i’u dha dhe ju mohua edhe disa prej figurave më të shquara të Luftës, siç ishte rasti i Jordan Misjes. Ndërsa dy shokëve të tij që luftuan bashkë me të, Perlat Rexhepit dhe Branko Kadisë, iu akordua ai titull, Jordan Misjes ai nuk i’u dha, por u quajt vetëm Dëshmor i Atdheut. Arsyeja e mosdhënies së titullit “Hero i Popullit” për Jordan Misjen që u ekzekutua nga italianët, ishte se ai nuk u vra që në fillim si Perlati dhe Branko Kadia, por u kap i gjallë prej tyre pasi u hodh në pus. Ndërsa ky titull i’u mohua dhe nuk i’u akordua disa prej emrave të njohur që thuhej se vërtetë bënë heroizma dhe u vranë në Luftë, atë e morën disa të tjerë që ishin të gjallë, si pjesa më e madhe e udhëheqjes së lartë komuniste, duke filluar nga Enver Hoxha. Personat e parë të gjallë që i’u akordua titulli i lartë “Hero i Kombeve”, dhe që e meritonin atë për kontributin që kishin dhënë në Luftë, ishin Myslym Keta dhe Tuk Jakova. Por Tuk Jakovës ky titull iu hoq më pas, kur ai u shpall “armik i popullit” dhe u dënua me burg, kurse Myslym Keta nuk e gëzoi shumë, se pas “vdekjes aksidentale”, të tij në vitin 1966, ai u varros në varrezat publike të Shish-Tufinës, (ku ndodhet edhe sot), ndonëse parcela ku prehen eshtrat e tij, konsiderohej si: “e njerzëve të zgjedhur dhe vlersuar nga Partia”! Por kjo gjë rezultonte vërtetë një ironi therëse, (për të mos thënë një tallje), pasi po të ishte për t’i vlersuar ata njerëz që preheshin aty, siç ishte rasti i “Heroit të Popullit”, Muslym Keta, Partia do t’i vendoste ata fare mirë te “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit”. Po kështu, deri aty nga viti 1948-’49, Qeveria komuniste e Enver Hoxhës u akordoi titullin e lartë “Hero i Kombeve” dhe disa jugosllavëve që kishin qenë në Shqipëri gjatë Luftës, si dhe disa personave të tjerë, kryesisht nga udhëheqja e lartë komuniste e Jugosllavisë, si Marshalli Josif Broz Tito, që nuk kishin qenë kurrë në Shqipëri?! Por ajo gjë justifikohej me kontributin që kishte dhënë Partia Komuniste e Jugosllavisë e drejtuar prej Josif Broz Titos, për krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare, duke dërguar dy emisarët e saj, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç “që morrën pjesë në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit 1941), si dhe më pas një numër këshilltarësh partiak e ushtarak, si: Zvetozar Vukmanoviç Tempo, Niaz Dizdareviç, Velimir Stojniç, etj.

Dënime me burg dhe mollë për familjet e dëshmorëve

20200504_231446

Edhe pse gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, shumë prej familjeve të dëshmorëve që kishin atë titull (“Hero i Popullit”), dhe u trajtuan si të tilla, përveç emrit, që duhet thënë se s’ishte pak, ato e patën atë status si “ombrellë” për t’ë përfituar diçka, apo më shumë, si p.sh.: strehim, punë të mira, të drejta studimi, etj., apo dhe thjesht për t’u mbrojtur nga regjimi komunist! Pasi siç dihet, disa prej familjarëve të tyre, u goditën dhe përfunduan internimeve e burgjeve të regjimit, të akuzuar si “armiq të popullit”. Kështu e pësoi familja e “Heroit të Popullit” Kol Kuqali, babai i të cilit, vdiq në burgjet komuniste, i akuzuar si “agjent i anglo-amerikanëve dhe armik i popullit”, ndonëse dy djemtë e tij, Gjika dhe Thomai, vdiqën në kampet e përqëndrimit të Mat’hauzen-it dhe Prishtinës, e u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”. Të tjerë që vuajtën nëpër burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ishin edhe vëllai i Vasil Laçit, (“Hero i Popullit”), vëllai i Ndoc Mazit, (“Hero i Popullit”), motra e Mihal Durit (“Hero i Popullit”), burri i motrës së Vasil Shantos, (Petro Bullati), që u pushkatua në vitin 1956), vëllai i Xhevdet Nepravishtës, (“Dëshmor i Atdheut”) Abedin Nepravishta që vuajti 20 vjet burg, vëllai i Astrit Kokoshit (“Dëshmor i Atdheut”), vëllai i Hiqmet Buzit (“Hero i Popullit”), Vedat Buzi, që vdiq në burg, babai dhe vëllai i Skënder Libohovës (“Hero i Popullit”), vëllai i Reshit Çollakut (“Hero i Popullit”), e shumë e shumë të tjerë nga të gjitha rrethet e vëndit. Po kështu, regjimi komunist i Enver Hoxhës, eleminoi pothuaj të gjithë ata persona që kishin dhje gëzonin përsëgjalli titullin e lartë “Hero i Popullit”, duke i pushkatuar, burgosur apo internuar, si p.sh.: Koci Xoxe, Bedri Spahiu. Tuk Jakova, Gjin Marku, Dali Ndreu, Nexhip Vinçani, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Rrahman Parllaku, Vehbo Hoxha, Arif Hasko, Abaz Fejzo, Sadik Bekteshi, Muhamet Prodani, Mehmet Shehu, etj. etj. Pas viteve fillimviteve ’70-të, kur ekonomia socialiste shkoi drejt rrënimit të plotë dhe tregu filloi të boshatisej, i vetmi “përfitim” që kishin ato familje që gëzonin statusin si “familje dëshmori”, ishin ndonjë kg. mollë, raki, apo pako kafe, të cilat regjimi komunist u’a jepte çdo 5 Maj si shtesë mbi tollonin, kur tek ato do të shkonin për vizita “shokët e udhëheqjes”!

Trakti i Partisë Komuniste pas vrasjes së Qemal Stafës

TRAKT I PARTISË KOMUNISTE TË SHQIPËRISË ME RASTIN E RËNIES DËSHMOR TË QEMAL STAFËS, ANTAR I KOMITETIT QËNDROR TË PARTISË KOMUNISTE SHQIPTARE

(Maj 1942)

SHOKU QEMAL STAFA RA DËSHMOR

Për me flimun jetën Me dhimbë po t’ përcjellim

Gati qetë çdo orë Në t’vorrit errësinë

Për Idealin Nën Flamurin e Kuq

Kemi ramun therror Do t’a fitojmë, ne, lirinë.

Qemal Stafa, një shok i ri dhe plot vlerë, vdiq duke luftuar burrërrisht ashtu siç i ka hije komunistëve. Që në moshë fare të re, Qemal Stafa filloi luftën që nuk e ndërpreu gjer në çastet e fundit të jetës së tij. Prej afro dy vjetësh, shpëtoi nga thonjtë e gjakëpirësve fashistë që donin ta ndrydhnin të kalbej në errësirën e burgut, dhe në kondita të vështira ilegaliteti, vazhdoi luftën ditë e natë, pa pushuar, për t’i dhënë shqelmin zaptuesit shpirt-mizor e për të siguruar lirinë popullit shqiptar. Në ditët e fundit shoku Qemal tregoi se për lirinë e këtij populli ishte gati të jepte dhe gjakun e tij, dhe e derdhi atë gjak bujar gjer në pikën e fundit duke vaditur tokën ku do të mbijnë filizat e idealit tonë. Në Tiranë, në shtëpinë ku banonte bashkë me shokët të tjerë lufte, Qemali i gjend i rrethuar nga agjentët shpirtkazëm të barbarëve fashistë. Qemali i përcolli me të shpejtë shokët nga një anë e shtëpisë dhe vetë qëndroi që t’u lejonte shokëve të largoheshin sa më parë. Kur agjentët u afruan mjaft, me bombat në dorë dhe me revolverin në dorën tjetër hapi zjarr duke shtrirë dy prej tyre të plagosur rëndë. Me këtë mënyr çau rrethimin, doli jashtë dhe iku duke luftuar me agjentët e tjerë që po e ndiqnin. Po në një luftë inegale (e pabarabartë) një plumb tradhëtari e mori Qemalin sydragua. Pak nga pak plaga iu ftoh, fuqitë iu prenë dhe ra në tokë. Kur pa se po afroheshin, shoku Qemal mblodhi forcat që i kishin mbetur dhe thirri me sa fuqi që pati: “Rroftë Shqipëria e lirë Demokratike. Rroftë Komunizmi dhe shoku Stalin. Vdekje egërsirës fashiste!” Po në këtë çast katilët e etur për gjak, ia ngulnë shokut bajonetat në gojë. Qemal Stafa vdiq ashtu siç vdesin heronjtë. Vdiq duke luftuar ashtu si vdiqën komunistët e tjerë zemërluanë: Bakua, Kadija, Shijaku, Noku. Vdiq si vdesin burrat, por shokët e tij janë të gjallë dhe flamurin për të cilin ra dëshmor do ta ngrenë akoma më lart. Shokët e tij janë në këmbë dhe luftën do ta vazhdojnë gjer në fund, gjersa gjaku i dëshmorëve të lahet me gjakun e tradhëtarëve katilë, gjersa t’ja marrin krejt shpirtin kuçedrës fashiste dhe të sigurojnë një Shqipëri të lirë. Demokratike dhe Popullore.

Këndoje dhe shpërndaje, armikut mos ja dorzo!

Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura