Enveri në ’83: Omer Nishanin e lamë pa varr, ta çojmë te dëshmorët

Aug 25, 2015 | 13:18
SHPËRNDAJE

Rivlerësimi i disa figurave të njohura historike që kishin përfunduar në vetëvrasje ka qenë një nga temat e tjera të takimit të Enver Hoxhës me bashkëpunëtorët më të afërt, më 13 qershor 1983. 

berat1944: Spiro Moisiu,  Baba Faja i Martaneshit, Enver Hoxha, Myslym Peza. Omer Nishani, Ymer Dishnica Foto e gjetur në arkivin britanik
berat1944: Spiro Moisiu, Baba Faja i Martaneshit, Enver Hoxha, Myslym Peza. Omer Nishani, Ymer Dishnica
Foto e gjetur në arkivin britanik

Sipas dokumentit të Sekretariatit të KQ, diskutimi ka nisur kur kreu i Partisë ka shprehur “habinë” për faktin që eshtrat e Omer Nishanit nuk ishin vendosur në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në debat e sipër, Hoxha ka shfrytëzuar momentin për të shprehur qasjen e tij të re për vetëvrasjet e bujshme të Nako Spiros, Omer Nishanit dhe Mehmet Shehut.

Është një rrëfenjë disi ndryshe e njeriut që për vite me radhë ka konsumuar pa limit vlerësime negative për ish-bashkëpunëtorët që përfunduan në vetëflijim në rrethana misterioze. Pavarësisht se nuk heq dorë nga etiketimi antiparti i aktit të tyre, Hoxha për herë të parë përpiqet të ndriçojë aspekte të veçanta të veprimtarisë së tyre në dobi të Partisë, por jo vetëm. Veçanërisht, në rastin e Nako Spiros që është edhe më i largëti në kohë, tregohet disi më “bujar”, duke u ndalur më gjatë në vlerat e tij.

“Nako Spiroja u hutua në fund, -shprehet ai, -po ka luftuar si komunist, si patriot dhe antifashist. Është e vërtetë që ai ishte ambicioz dhe në Berat gaboi, domethënë u fut në një rrugë shumë të rrezikshme, po nuk ishte i kalibrit të Mehmet Shehut. Ky, qëkurse kish lindur, qe bërë agjent i të huajve, kurse Nako Spiroja nuk ishte agjent, vetëm gaboi dhe gaboi rëndë më vonë”.

Njëherazi me këtë sqarim, Hoxha argumenton te të tijtë faktin e shumëdiskutueshëm pse eshtrat e Spiros, shpallur agjent e tradhtar, duhet të qëndrojnë në Varrezat e Dëshmorëve. Sakaq, i kujton ata se për këtë problem ka shkruar gjatë në librin e tij më të fundit “Kur lindi Partia”. Në vijim të fjalës së tij, kreu i Partisë e sheh të arsyeshme të zbardhë momente të panjohura nga bashkëjetesa me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun gjatë viteve të Luftës, duke ndriçuar në stilin e tij aspekte të veçanta të sjelljes së tyre karrieriste e antiparti.

“Panorama” publikon të plotë debatin në Sekretariatin e Komitetit Qendror, ku Hoxha ka ngritur për herë të parë çështje të rivlerësimit të disa prej figurave historike të anatemuara politikisht si tradhtarë e shërbëtorë të të huajve…

DOKUMENTI

Procesverbal i takimit të sekretarëve të KQ

ENVER HOXHA: Të shtunën në Shtëpinë e Partisë kishte ardhur Shefqeti, me të cilin biseduam për disa çështje të historisë së Labërisë, çështje shoqërore dhe nga të luftës, po nga ato të vjetrat. Me këtë rast ishin atje edhe Adili me Ritën. Më drejtohet pastaj, në muhabet e sipër, Shefqeti dhe më pyet: “More, shoku Enver, atë varrin e doktor Omer Nishanit ashtu do ta lëmë ne, si “varr evgjiti”? Si the?!, e pyeta unë, ç’ka ndodhur? Nuk ka varr ai?! “Jo”, m’u përgjigj, “nuk ka”. “Ka”, si s’ka, ia preu Adili. “Jo, nuk ka”, nguli këmbë Shefqeti, – atje ka vetëm një pllakë të thjeshtë prej guri, ku shkruhet: “Këtu pushon burri im, Omer Nishani”. Kjo do të thotë se edhe këtë ia paska bërë gruaja. Po si nuk marrin iniciativën shokët e Partisë xhanëm dhe të na e ngrenë këtë çështje? Doktor Omer Nishani ishte një antizogist e antifashist i vendosur nga më të shquarit, bashkëpunë- tor i Halim Xhelos dhe i Ali Kelmendit, që ka marrë pjesë në KONARE. Omeri nuk u hodh kurrë kundër Luftës Nacionalçlirimtare. Me të biseduar unë me të, pasi ish kthyer në Shqipëri, “jam me ju, Enver”, m’u përgjigj menjëherë dhe me gatishmëri, “prandaj më thoni ç’duhet të bëj”. Ai ishte i pari ministër i Jashtëm i shtetit tonë të demokracisë popullore, kryetar i parë i Presidiumit tonë të Kuvendit Popullor dhe ne e paskemi lënë pa varr?! Pse e kemi vënë ne Medar Shtyllën në Varrezat e Dëshmorëve? Pasi më informoi për këtë Shefqeti, rrija mendoja se si janë bërë veprime që s’duhet të ndodhnin. Unë mendoj se duhet të venë patjetër lart eshtrat e doktor Omer Nishanit, në Varrezat e Dëshmorëve.
SIMON STEFANI: Ashtu është.
RAMIZ ALIA: Po, po, ashtu është.
ENVER HOXHA: Deri sa kemi dërguar trupin e Medar Shtyllës, s’ka asnjë arsye të mos venë edhe ato të doktor Omer Nishanit. E ç’ishte Medar Shtylla përpara doktor Omerit? Mendar Shtylla ishte një antifashist si edhe ky, që pas Çlirimit u pranua në Parti, kurse Omeri nuk u pranua, po kjo nuk ka rëndësi, nuk ia ul aspak meritat doktor Omerit. Negative është vetëm fakti që doktor Omeri u vetëvra, për arsye, siç më kanë thënë, se kishte kancer dhe nuk duronte dot dhimbjet, megjithëse edhe kjo është me pikëpyetje. Vetë kadi, vetë myfti ishte Mehmet Shehu kur qe në kohën e vet ministër i Brendshëm dhe bënte ç’mundte, prandaj kur mendon këtë se “u vetëvra” Omer Nishani, kjo mund të jetë edhe e dyshimtë. Natyrisht, në vend të tij ne vumë pastaj Haxhi Lleshin si kryetar të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
RAMIZ ALIA: Po, po. Omer Nishani duhet të jetë vetëvrarë, më duket aty nga viti 1953.
ENVER HOXHA: Nuk e di, në atë kohë më duket, megjithëse mundet edhe të jetë vetëvrarë. Sidoqoftë, unë propozoj që eshtrat e tij t’i heqim andej ku janë varrosur dhe t’i çojmë sipër, në Varrezat e Dëshmorëve.
RAMIZ ALIA: Medarin nuk e kemi sipër në Varrezat e Dëshmorëve, më duket.
ENVER HOXHA: Sipër e kemi. Në qoftë se kemi Medarin sipër, Omeri duhet të jetë më përpara se ai.
RAMIZ ALIA: Jo, më duket, nuk e kemi Medarin lart.
ENVER HOXHA: Sidoqoftë, Omeri duhet të vejë atje, se nga meritat qëndron më lart nga Medari.
RAMIZ ALIA: Omeri ka më tepër merita nga Medari, ky vetëm kryetar i Kuvendit ishte.
ENVER HOXHA: Kryetar i Kuvendit ish Medari, kurse Omeri ishte kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ishte pastaj i pari ministër i Punëve të Jashtme. Edhe po të mos jetë Medari atje, prapë eshtrat e Omerit ne duhet t’i vendosim në Varrezat e Dëshmorëve.
RAMIZ ALIA: Nuk e kemi, më duket, po do ta rregullojmë varrin e Omerit atje ku thoni ju.
ENVER HOXHA: Ta vëmë atje ku janë tërë shokët e tjerë kryesorë të Luftës dhe varrin t’ia bëjmë si duhet, ashtu si e meriton. Në qoftë se Medari është lart, ca më shumë duhet të çojmë atje edhe eshtrat e Omer Nishanit.
RAMIZ ALIA: Po, po, se s’ka kuptim pastaj. Për vete nuk mbaj mend që Medari të jetë sipër, se atje janë vendosur vetëm eshtrat e anëtarëve të Komitetit Qendror.
ENVER HOXHA: Më duket se atje është.
RAMIZ ALIA: Po, ne e kemi pasur edhe Medarin atje, keni shumë të drejtë ju.
ENVER HOXHA: Ku?
RAMIZ ALIA: Kur kanë qenë varrezat këtu, në kodrat e parkut të madh të kryeqytetit, aty po, ka qenë varri i Medarit. Më vonë, kur të tjerët i çuam në Varrezat e Dëshmorëve që ndërtuam, eshtrat e Medarit nuk i patëm çuar lart.
ENVER HOXHA: Po mirë, mund të jetë kështu, se ti e di më mirë këtë çështje.
RAMIZ ALIA: Megjithatë, do ta shikojmë me kujdes këtë çështje.
ENVER HOXHA: Në qoftë se s’është atje, doktor Omerit t’i bëjmë një varr në varrezat lart dhe mbi të të shkruhet në pllakë “Doktor Ymer Nishani, President i Presidiumit të Kuvendit Popullor”.
RAMIZ ALIA: Kështu është, të shkruhen siç i ka pasur të tëra funksionet.
ENVER HOXHA: Medoemos, ka rëndësi të madhe kjo. Pse është vepruar kështu me të? Ka luftuar tërë jetën i biri i botës.
RAMIZ ALIA: Ju e keni shqetësimin se pse nuk ka dalë nga Partia kjo çështje?
ENVER HOXHA: Kjo doli nga Shefqeti, se ky është tani kryetar i Komitetit të Veteranëve të Luftës dhe me siguri duhet t’ia kenë ngritur të tjerë në këtë organizatë, nga ata që interesohen për të. Shefqeti pastaj e kish edhe vetë mik doktor Omerin. Ai na tha mbrëmë a parmbrëmë, që kish shkuar edhe vetë te doktori për një vizitë nja dy ditë përpara se të vdiste. Unë, – më tregoi Shefqeti, – vajta pas teje, ia pashë barkun të fryrë. Siç e kishte zakon, doktori më priti tërë humor. Ca i vjetër ishte ai atëherë në moshë, megjithatë “do të vdes, Shefqet”, i tha këtij. – Po mirë, – ia ktheu me shaka Shefqeti, – ç’do të më lësh mua? – Ja, – ia ktheu doktor Omeri, – po të lë valixhen, aty e ke. Kur mësova të nesërmen që vdiq, sa shumë më ka vrarë ndërgjegjja, që ia thashë këto fjalë. Ç’m’u desh mua që bëra këtë shaka të rëndë me të? – përfundoi ai. Janë pra disa gjëra që duken si të vogla, po kanë rëndësinë e tyre, se formojnë opinione dhe ka raste që nuk gjykohet në thellësi nga të gjithë. “Pse qëndron fotografia e Nako Spiros në Muzeun Kombëtar?”, pyesin disa. Po a e kanë kënduar mirë këta njerëz librin tim të kujtimeve? I kanë kënduar dokumentet e Partisë? Nako Spiroja u hutua në fund, po ai ka luftuar si komunist, si patriot dhe antifashist, ishte pastaj edhe në udhëheqje të Partisë. Është e vërtetë që ai ishte ambicioz dhe në Berat gaboi, domethënë u fut në një rrugë shumë të rrezikshme, po nuk ishte i kalibrit të Mehmet Shehut. Ky, qëkurse kish lindur, qe bërë agjent i të huajve, kurse Nako Spiroja nuk ishte agjent, vetëm gaboi dhe gaboi rëndë më vonë. Sigurisht rruga që filloi mund ta çonte në shumë rreziqe, po pastaj bëri kthesë, u korrigjua. Në një moment gaboi ai dhe për ato që kishte bërë bashkë me armiqtë e kërcënuan, prandaj vrau veten. Ka ndryshim çështja e tij me atë të Mehmet Shehut. Tani, ai që këndon Historinë e Partisë sonë, duhet të nxjerrë disa konkluzione nga kjo. Po Kadri Hazbiu? Kadri Hazbiu është armik i poshtër, për arsye se ishte bërë prej kohësh agjent i jugosllavëve dhe vazhdoi të ishte i tillë deri në fund, duke punuar për të përgatitur komplotin për shkatërrimin e pushtetit popullor. Dhe qëndroi me vite të tëra brenda radhëve të armiqve.
RAMIZ ALIA: Sa propozime e sa fjalë janë duke u thënë për çështjen e Nakos!
ENVER HOXHA: Po, ka plot, posi.
SIMON STEFANI: Dhe nuk u është qëndruar disave prej atyre që flasin.
RAMIZ ALIA: Jo, nuk u kemi qëndruar, po do t’u qëndrojmë.
SIMON STEFANI: Dhe shoku Ramiz u tha menjëherë të gjithëve që duhet t’u qëndrojmë. Prandaj tani duhet t’u qëndrojmë këtyre njerëzve, se nuk është vija e Partisë kjo.
RAMIZ ALIA: Nuk është, duhen parë në dialektikën e zhvillimit ngjarjet.
ENVER HOXHA: Në dialektikën e zhvillimit, posi.
RAMIZ ALIA: Ç’domethënë kjo? Pse të marrësh vetëm Nako Spiron? Po ky tjetri, të themi, Ramadan Çitaku?
ENVER HOXHA: Posi. Edhe çështja e Ramadan Çitakut njëlloj është.
RAMIZ ALIA: Ramadan Çitaku erdhi i tha shokut Enver që “nuk jam dakord” për sa thuheshin nga ne kundër Titos.
ENVER HOXHA: “Shoku Enver, – më tha Ramadani, – unë nuk të besoj për këtë, Titoja nuk është tradhtar”. More ti, Ramadan, iu ktheva unë, se e dija që në gjykimin e çështjeve ai ishte ca i avashtë. More, bacë, dëgjomë mua, Titoja është kështu e kështu. “Për këtë nuk të besoj, nuk të besoj, shoku Enver”, më tha. “Çdo gjë që thua mund të ta besoj, po këtë jo”.
RAMIZ ALIA: Ashtu ishin mendimet e tij dhe u morën atëherë masa kundër Ramadanit, u shkarkua si ministër që ishte, u përjashtua edhe nga Partia dhe nga të gjitha funksionet.
ENVER HOXHA: U përjashtua, po u ripranua prapë në Parti.
RAMIZ ALIA: Se reflektoi drejt më vonë.

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura