Fotot/ Enveri “kthehet” për 72-vjetorin e Kongresit në Përmet

May 25, 2016 | 8:28
SHPËRNDAJE

Thirrje për Enver Hoxhën në qendër të Përmetit në përkujtimin e 72-vjetorit të Kongresit së Përmetit. Komunistët dhe adhuruesit e diktatorit janë organizuar së bashku, pa ndonjë ceremoni zyrtare, pasi Bashkia e drejtuar nga demokratët nuk kishte parashikuar një aktivitet të këtij lloji.

Adhuruesit e diktaturës në sallën ku u mbajt Kongresi
Adhuruesit e diktaturës në sallën ku u mbajt Kongresi

Parulla, portrete të Enver Hoxhës dhe brohoritje në mbështetje të veprës së ish-diktatorit komunist kanë qenë prezente përgjatë ceremonisë së djeshme përkujtimore, me rastin e ngjarjes e cila hodhi themelet e para të krijimit të shtetit shqiptar të pasluftës.

Ceremonia e zhvilluar në qytetin e Përmetit nisi me vendosjen e kurorave me lule në monumentin e “Partizanit të Panjohur” nga ana e organizatorëve të veprimtarisë, me rastin e 72-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike. Asnjë prej personaliteteve shtetërore nuk kanë qenë në këtë tubim, ndonëse ftesat te ta ishin dërguar.

Sipas tyre, ftesat u janë dërguar deputetëve të PS-së së qarkut të Gjirokastrës, si dhe drejtuesve të Kuvendit. Askush prej tyre nuk kanë qenë prezent ndryshe si dy vjet të shkuara, ku në 70-vjetor ishte vetë kryetari i Kuvendit Popullor Ilir Meta, si dhe drejtues të lartë të PS-së dhe LSI-së, si Gramoz Ruçi e Spartak Braho, e deputetë të tjerë nga qarku.

Gjatë përkujtimit në Përmet, gjatë 72-vjetorit të Kongresit
Gjatë përkujtimit në Përmet, gjatë 72-vjetorit të Kongresit

Ftesat u janë përgjigjur vetëm drejtuesit e PKSH-së, PPSH-së dhe organizatave të veteranëve të LANÇ-it nga rrethet e Përmetit, Tepelenës, Sarandës, Delvinës, Skraparit, Beratit, Vlorës etj. Prezenca e shumtë e ithtarëve të Enver Hoxhës dhe komunistëve ka qenë e dukshme në momentet e para të zhvillimit të ceremonisë në qendër të qytetit me parullat që evokojnë sistemin e dikurshëm dhe portrete të ish-diktatorit.

Më pas organizatorët, kryesisht pensionistë, kanë bërë një vizitë në sallën ku u mbajt 72 vjet më parë kongresi i famshëm nga ku dhe u lëshuan deklarata mbështetëse të sistemit të shembur 26 vjet më parë si: “Lavdi komandantit Enver Hoxha!”, “Rroftë LANÇ!”, “Rroftë PKSH!” etj.

Organizatorët dhe të pranishmit në sallë kanë kërkuar me ngulm që historia e sotme shqiptare të mos i mohojë meritat shtetformuese Enver Hoxhës dhe PKSH-së pas Luftës së Dytë Botërore.

Pothuajse të gjithë të pranishmit kërkuan nga politika shqiptare vlerësimin e saktë të PKSH-së dhe Enver Hoxhës, si dhe dënimin e akteve tradhtare të partive të tjera në atë periudhë që, sipas tyre, kanë qenë kundër shtetformimit dhe bashkëpunëtorë me okupatorin nazifashist.

PIRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura