Enveri kishte frikë nga përmbysja, zbulohet letra për Stalinin në 1949

Feb 11, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Në vitin 1949, autoritetet komuniste të Tiranës kanë kërkuar të transferojnë në bankat e Moskës një sasi të konsiderueshme të arit shqiptar.

Stalini dhe Enver Hoxha
Stalini dhe Enver Hoxha

Negociatat sekrete, të panjohura deri tani, janë udhëhequr drejtpërdrejt nga kreu i regjimit gjatë njërës prej vizitave zyrtare që ka bërë në ish-Bashkimin Sovjetik. Gazeta “Panorama” ka zbuluar letrën që Enver Hoxha i drejtonte Stalinit, ku i lutet të shqyrtojë kërkesën e qeverisë shqiptare për të depozituar në bankën e Moskës një sasi prej 2556 kg ar dhe 3980 kg argjend, “për t’i ruajtur nga çdo rrezik”.

Nuk dihen rrethanat në të cilat kreu i Kremlinit është njohur me kërkesën e Hoxhës, por në shënimin që ky i fundit bën në tekstin e letrës, bëhet e ditur se ai ka kundërshtuar të depozitojë në bankat sovjetike arin shqiptar. Nuk dihen sakaq motivet e vërteta pse kjo negociatë e finalizuar pa rezultat nuk ka lënë gjurmë në dokumentet e shumta të marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike.

As në librin e Hoxhës “Me Stalinin”, ku përshkruhen gjerë e gjatë mbresat e përjetimet nga takimet me “babain e komunizmit” dhe “revolucionit proletar”, nuk përmendet askund. Hoxha që ka dalë i frymëzuar e i kënaqur nga të gjitha takimet me kreun e Kremlinit, ka renditur në kujtimet e veta me një saktësi të çuditshme të gjitha kërkesat e pranuara nga Stalini, por në asnjë rresht nuk bën fjalë për fatin e negociatës për arin.

Në aq sa rezulton në dokumentacionin e kohës, nuk qartësohet as mënyra si është konsumuar kjo kërkesë e kryetarit të qeverisë shqiptare me idhullin e tij në pranverën e vitit ’49. Sidoqoftë, përtej këtyre dilemave, një moment është fort i dukshëm: Realiteti tronditës që e detyronte Hoxhën të transferonte thesarin e shtetit, apo një pjesë të tij, në një vend të sigurt, siç vlerësohej asokohe ish-Bashkimi Sovjetik.

I porsa dalë nga dueli në Parti me grupin e Koci Xoxes, më i rrezikshmi deri atëherë për lidershipin komunist shqiptar, në kulmin e konfliktit me Titon dhe Jugosllavinë e i kërcënuar seriozisht nga presioni i anglo-amerikanëve që kërkonin me forcë rrëzimin e qeverisë së Tiranës, Hoxha, me përpjekjet për transferimin e arit, i paraprinte, me sa duket, pasigurisë në rritje, duke u investuar kësisoj për një situatë edhe më të rëndë, jo vetëm për fatin e regjimit, por edhe për fatin e tij.

Me përulësi e servilizëm, në letrën që i drejton Stalinit, kryeministri i Shqipërisë shprehet gjithë përgjërim: “Kjo (depozitimi i arit shqiptar në Moskë) do të jetë një ndihmë tjetër e madhe që do t’i bëhet nga qeveria sovjetike popullit shqiptar, i cili do t’ju jetë shumë mirënjohës dhe do të jetë i qetë se pasuria e tij do të ndodhet në vendin më të sigurt”.

Por kreu i Kremlinit, që e njihte mirë filozofinë e sjelljeve të tilla, e ka shpërfillur hapur kërkesën e mysafirit nga Tirana, duke kundërshtuar në mënyrë kategorike tërheqjen e arit shqiptar në bankën e Moskës. Negociata është mbyllur këtu dhe Hoxha ka arkivuar letrën e shkruar në dosjen e vizitës zyrtare, duke mos e zënë kurrë në gojë dështimin e saj. Ishte kjo hera e dytë që ai vizitonte Moskën.

Për herë të parë ishte gjendur aty në verën e vitit 1947. Më poshtë botojmë të plotë tekstin e letrës që kreu i regjimit të Tiranës i drejtonte Stalinit për të tërhequr dhe depozituar arin shqiptar në bankat e Bashkimit Sovjetik…

letra e Enverit

LETRA

Shokut Stalin

Moskë

Në emër të qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, vij t’ju lutem për sa më poshtë:

Në thesarin e shtetit tonë ndodhen aktualisht në monedhë dhe në shufra një sasi e konsiderueshme ar dhe argjend e pikërisht 2556 kg ar dhe 3980 kg argjend.

Këto fonde të rëndësishme që përbëjnë një pasuri të madhe për popullin tonë, dëshirojmë t’i sigurojmë nga çdo rrezik.

Prandaj vijmë te ju t’ju lutemi që të pranoni kërkesën tonë që lejon arin dhe argjendin ta transferojmë dhe ta depozitojmë në bankën e Moskës.

Kjo do të jetë një ndihmë tjetër e madhe që do t’i bëhet nga qeveria sovjetike popullit shqiptar, i cili do t’ju jetë shumë mirënjohës dhe do të jetë i qetë se pasuria e tij do të ndodhet në vendin më të sigurt.

Duke shpresuar se lutja e jonë do të shqyrtohet dhe do të pranohet,

Me shumë konsideratë dhe me përulësi e respekt për ju

Në emër të qeverisë shqiptare dhe të komitetit qendror të Partisë

Kryeministri Enver Hoxha

Afrim Imaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura