Enver Dondollaku i shpëton dënimit me burg të përjetshëm

Feb 10, 2012 | 11:28
SHPËRNDAJE
Enver Dondollaku

TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda dënoi dje me një çerek shekulli burg Enver Dondollakun, një nga të akuzuarit si përbërësit kryesorë të “bandës së Lushnjës”. Pas më se 35 seancash gjyqësore, një trupë gjyq-tarësh dha vendimin përfundimtar të rigjykimit të Dondollakut te Krimet e Rënda. Ai u deklarua i fajshëm për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave, gjashtë vrasje. Gjykata vendosi dënimin e Dondollakut me burgim të përjetshëm, por ai përfitoi ulje për shkak të gjykimit të shkurtuar. “Bashkimin e dënimeve dhe dënimin në një dënim të vetëm të të pandehurit Enver Dondollaku me burgim të përjetshëm. Në aplikim të nenit 406, të K.Pr.Penale, vendosi dënimin përfundimtar të të pandehurit Enver Dondollaku me 25 vjet burgim”, thuhej në vendimin e pesëshes së kryesuar nga gjyqtari Ilir Çeliku. Enver Dondollaku u gjykua në mungesë në këtë proces, për shkak se aktualisht ai ndodhet në Itali ku po vuan një dënim me 18 vjet burg, për një vepër penale të kryer në këtë vend. Sipas vendimit, Dondollaku u deklarua i fajshëm për “vrasjen me paramendim” në bashkëpunim të shtetasve Bledar Haxhiu dhe Artan Sulçe, ngjarje e ndodhur më 13 nëntor 1998. I fajshëm ai u deklarua edhe për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në bashkëpunim, të punonjësit të Policisë Sinan Meta, ish-shef i Policisë së Komisariatit të Lushnjës. Gjykata vlerësoi si të provuar autorësinë e Dondollakut për kryerjen e së njëjtës vepër penale në dëm të shtetasit Klenti Bano, ish-oficer i Policisë Gjyqësore. Po sipas gjykatës, ai u fajësua edhe për vrasjen me paramendim të shtetasve Nosh Gjolaj, në prill 2001, Alfres Pirrës, në prill 2002 dhe vrasjen me paramendim mbetur në tentativë të Bernard Linatopit, po në prill 2002. Njëkohësisht, Dondollaku u deklarua i fajshëm për akuzat e “krijimit, organizimit ose drejtimit të organizatës kriminale”, “kryerjen e krimeve nga organizata kriminale” dhe për “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Enver Dondollaku u dënua me 25 vjet burg nga Krimet e Rënda në qershor të vitit 2009, por dosja e tij u kthye për rigjykim nga Apeli. Në anën tjetër, Apeli i Krimeve të Rënda pret të nisë rishqyrtimin e të akuzuarit si “kreu” i “bandës”, Aldo Bare.    ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura