Eno Koço: Si incizonim me Gaqo Çakon ariet e ndaluara

Jun 10, 2015 | 14:06
SHPËRNDAJE

Në kohëra të vështira, është e vështirë që njerëzit të ruajnë dinjitetin. Dirigjenti dhe muzikologu Eno Koço dhe tenori Gaqo Çako janë ndër ata që ditën ta bëjnë këtë edhe nën diktaturë. 

Eno Koco

Pas vitesh të gjata bashkëpunimi në Radio Televizionin Shqiptar, pas ndarjesh që jeta ua imponoi pas ndërrimit të sistemeve, Koço e Çako i bën sërish bashkë një monografi, por edhe një disk, që do të dalë së shpejti. “Gaqo Çako, legjenda e gjallë e tenorit”, është monografia me autor Eno Koçon, botuar nga shtëpia botuese “Neraida”, që u promovua dje në ambientet e Akademisë së Shkencave.

Në 80-vjetorin e lindjes së tenorit, muzikologu vendosi t’i bëjë një dhuratë të veçantë, një monografi, ku do të qëmtonte momentet kulminante të jetës së artistit, që lëvroi të gjitha zhanret muzikore, që nga operistika, muzika e lehtë dhe ajo qytetare shqiptare. Muzikantë e pedagogë si Vaso Tole, Suzana Frashëri e Hajg Zaharian do të rendisnin cilësitë e Çakos dhe kontributin e tij në muzikën shqiptare, si një tenor me një zë unik, si një artist me disiplinë të rrallë në punë dhe dashurues i muzikës shqiptare.

Ndërsa botuesi Jani Malo do të veçonte skrupulozitetin e të dyve, prej të cilit mund të mësojë çdokush, pavarësisht profesionit. Vetë Gaqo Çako nuk do të dinte ç’të thoshte. “Gjithë çfarë kam dashur, i kam thënë në këngë. Gjithnjë jam përpjekur të jap më të mirën dhe të bëj të njohur vendin tim në shtetet e tjera, ku kemi bërë turne”, thotë ai.

REGJISTRIMET E NDALUARA
Çako e Koço kanë punuar në kohëra kufizimesh, atëherë kur artistët jo vetëm që nuk mund të bënin gjithë çfarë donin, por edhe mund të dënoheshin për shkelje të “vijës së Partisë”, “sjellje liberale”, “ndikime të huaja”… Por Gaqo Çako thotë se edhe atëherë ata i gjenin hapësirat.

“Shumë nga regjistrimet janë bërë në mënyrë ilegale, pasi nuk lejohej të këndoheshin arie të huaja. Kur futeshin në studion e regjistrimit për të incizuar vepra shqiptare, Eno e kthente orkestrën dhe regjistronim edhe 2-3 arie të huaja, të cilat dolën në dritë vetëm pas ardhjes së demokracisë”, thotë Çako. Për dirigjentin dhe muzikologun Eno Koço, sigurisht që puna nuk ka qenë edhe aq e thjeshtë, por duhej pak pasion dhe mirëkuptim. Me të qeshur ai thotë se Çako nuk ka qenë “një tip i lehtë”, por gjithsesi arrinin të mbylleshin në studio e të regjistronin perla të muzikës botërore, edhe pse të ndaluara.

“Pas 1967 u ndalua repertori klasik botëror. Në atë kohë unë punoja violinist në Opera dhe luanim vetëm muzikë shqiptare. Me këtë rast u inkurajuan shumë kompozitorë shqiptarë që të shkruanin vepra të reja, për të mbushur këtë boshllëk. Por më vonë, pak nga pak filloi të rikthehej repertori i huaj, që kishte ekzistuar në vitet ’60 dhe ishte ndërprerë. Në opera filluan të vihen opera të huaja, por përktheheshin në gjuhën shqipe”, tregon Koço. Absurditeti i kohës arrinte deri aty, sa edhe nëpër turne pretendohej që ariet e mëdha të operistikës botërore të këndoheshin në gjuhën shqipe.

“Më kujtohet në një turne që shkuam në Turqi, nuk lejohej që ariet të këndoheshin në gjuhën italiane. U munduam t’u mbushnim mendjen se s’mund të këndonim ‘Nesun dorma’ në shqip, do të ishim qesharakë…”, kujton Koço.

DISKU
Dëshmi e atyre viteve është edhe një disk me interpretime të tenorit Gaqo Çako. Janë arie të mëdha nga repertori klasik botëror, por edhe nga opera shqiptare apo këngë qytetare, që Çako i dha një fizionomi të vetën. “Regjistrimet e para i kemi filluar në vitin 1979.

Gaqoja dëshironte që repertorin e tij klasik ta regjistronte jo vetëm në shqip, në të cilin ishte i detyruar, por edhe në gjuhët origjinale, italisht, frëngjisht, rusisht. Unë habitesha se si ai i dinte të gjitha, sepse në praktikën e ditës ato nuk lejoheshin. Jo vetëm aq, por edhe diksioni, shqiptimi i fjalëve edhe në gjuhë të huaj ishte shumë i pastër. Ne kemi regjistruar vazhdimisht deri në vitin 1991, por ’79-’82 kanë qenë vitet më intensive kur ai ishte në kulmin e vet dhe regjistronte shumë”, thotë autori i monografisë.

“Këto regjistrime janë unikale në plot kuptimin e fjalës. Do të duheshin të kalonin 2-3 breza që të bëheshin sërish. Kemi këngëtarë lirikë shumë të suksesshëm nëpër botë, por për të regjistruar nuk është edhe aq e thjeshtë. Ne, në ato kushte mbylljeje shumë të vështira arritëm të realizonim këto regjistrime. Këtë disk ne e realizuam me rastin e 80-vjetorit të tij. Janë 4 arie të operave shqiptare dhe 14 këngë popullore qytetare, të cilat Gaqo i porosiste vetë dhe i këndonte sipas mënyrës së tij. Ky fakt ka shumë rëndësi, sepse brezat e ardhshëm, nëse do kenë interes, edhe pse unë shumë pak e shoh për këtë lloj zhanri, duhet t’i referohem dhe ta citojnë atë. Po kështu, në disk janë përfshirë edhe arie të huaja, për të treguar që edhe në kohë të vështira këtu këndohej Verdi, Massenet, Tchaikovsky në gjuhët origjinale”, thotë Koço.

ALMA MILE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura