Eni Vasili dhe Rudina Xhunga promovojnë gratë në emisione: “Gratë do ta bëjnë më të ndjeshme Shqipërinë”

Jun 15, 2015 | 14:01
SHPËRNDAJE


Moderatoret më të njohura të ekranit shqiptar po tregojnë sensibilitet të madh për gratë me probleme të ndryshme apo në nevojë. Larg sloganeve të rëndomta apo kauzave të përsëritura, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin, Eni Vasili nga “Studio e hapur” në “News 24” dhe Rudina Xhunga nga emisioni “Shqip” në “Top Channel” po u japin leksione terreni politikanëve dhe shoqatave, se si ndihmohen gratë. Ndërsa Eni Vasili që prej fillimeve të emisionit në “News 24” i pati femrat në fokus kryesor dhe vijon t’i ketë, së fundmi Xhunga u ka kushtuar një “serial”. “Një grua për gratë”! Kështu titullohet cikli i emisioneve që drejtuesja e emisionit “Shqip”, Rudina Xhunga, i ka kushtuar fushatës së zgjedhjeve lokale 2015. Të ftuara do të jenë të gjitha kandidatet gra për bashkitë kryesore në vend, por edhe ato më periferike, duke dëshmuar mbështetje femërore, në panele të fokusuara te roli i gruas që zgjedh dhe zgjidhet. Si asnjëherë tjetër, për qytete të rëndësishme si Shkodra, Pogradeci, Saranda, Gjirokastra, Burreli në garë janë gra, që do të qeverisin. Por fushata do të mbyllet shpejt dhe problemet e gruas shqiptare mbeten. Ndaj dhe Xhunga u ka krijuar hapësira emisioneve me tema sociale, nga gjakmarrja te dhuna. Marsela nga fshati Bardhaj, fëmijë i një familjeje të ngujuar ka qenë një nga protagonistet. “Nuk dua të përdor gjakmarrjen për fushatën, por fushatën për gjakmarrjen”, thotë Rudina Xhunga, e cila në vazhdimësi ka sjellë përmes ekranit histori tronditëse mjerimi dhe dhune. Xhunga beson se gratë do ta bëjnë më të ndjeshme Shqipërinë, më të dhembshur, përndryshe, mirë janë burrat. Ç’nevojë do të kishte nëse gratë janë në qeverisje dhe nuk përfshihen në zbutjen e plagëve sociale, por vetëm në përmirësimin e gardërobës së tyre, siç koha ka treguar më shumë gra në drejtim?
Drejtuesja e emisionit të njohur beson se marrja në dorë e disa bashkive të rëndësishme të vendit nga gratë, do të sjellë shembuj angazhimi befasues për administrimin dhe përmirësimin e jetës në qytetet tona. Duke çuar me punë e dinjitet Shqipërinë në drejtimin e duhur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura