“Engjëjt e Amerikës”/ Puthje homoseksuale dhe fjalor provokues në teatër

SHPËRNDAJE

“Engjëjt e Amerikës” Puthje homoseksuale dhe fjalor provokues në teatër1111Ani Jaupaj 

“E vërteta është që nuk ekziston një problem personal. Nëse ke një problem, ka gjasa që miliona të tjerë e kanë kaluar të njëjtin problem, po e kalojnë apo do ta kalojnë. Kjo, natyrisht nuk e minimizon problemin dhe nuk do të thotë që s’duhet të të lëndojë. Thjesht, tregon se ti nuk je special/e.

Në momentin që ti kupton se problemet e tua nuk janë të privilegjuara në dhimbje dhe vështirësi, sapo ke hedhur hapin e parë më të rëndësishëm drejt zgjidhjes”. Kishte të njëjtën qasje të Mark Menson, edhe autori i veprës “Engjëjt e Amerikës”, Tony Kushner, kur e pyetën se ç’mendonte për shndërrimin e pjesës së tij në teatër apo serial të suksesshëm.

“Njerëzit kanë ide të ndryshme kur vjen puna për atë që e bën jetën e tyre të rehatshme, apo se cili është qëllimi i saj. Ca do t’i mbështesin, ca do t’i kundërshtojnë. Mirëpo, nëse do t’i kundërshtoj, do të përdor artin si alternativë. Përmes artit do të kuptosh se ti nuk je i vetmi, që po i bën pyetje munduese vetes, nuk je vetëm në përpëlitjet e tua. Dhe nëse jemi shumë, ja vlen ta bëjmë luftën e brendshme film apo teatër!” Më shumë se sa për të nxitur debate politike, fetare o seksuale, autori Kushner synonte pranimin.

Të vetes, të tjetrit. Përmes kësaj, mbështetjen. E shkruar në fund të viteve ’90, “Engjëjt e Amerikës” që pati premierën mbrëmë në arTurbina, me regji të Arben Kumbaros, ndoshta nuk shkakton më në Amerikë debatet që ka provokuar ca dekada më parë, por për shkak të lëvizjes së ngadaltë kulturore e politike, do të krijojë ca zhurmë këtu te ne, qoftë edhe për shkak të fjalorit që ndryshe edhe nga kolegët më të afërt shqiptarë të Kosovës, në Teatrin Kombëtar nuk ishte guxuar më parë.

Për këtë arsye, lakuriqësisë së pjesshme, puthjeve homoseksuale, por edhe një rëndese të përgjithshme, shfaqja nuk lejohet për publikun nën moshën 16 vjeç. Edhe nëse homoseksualiteti nuk do të kishte zënë vend gjerësisht në shfaqje, krizat dhe frika që përcakton kohën (1985) do të ndiheshin veçanërisht nga Prior (Genti Deçka), i cili arriti të përcjellë poshtërimin, vetminë dhe dështimet e përvojave të tij që po rëndoheshin edhe më nga SIDA. Pjesa i referohet viteve kur Ronald Regan ishte President i SHBA-ve, të drejtat e kristianizmit e kishin ndihmuar atë të arrinte aty ku kishte arritur.

Krizat e AIDS kishin përfshirë mijëra jetë njerëzish, por Regan nuk foli kurrë publikisht për sëmundjen (deri në 1987-in). Në këto rrethana, 31-vjeçari i sëmurë fillon të ketë përjetime të çuditshme, të shohë engjëj, përmes të cilëve vijnë edhe të vërtetat e mëdha të kohës. Duhet veçuar interpretimi i Deçkës nga misteri i shkakut të ulërimave të dhunshme të aktorëve shqiptarë, për të cilat shquhet veçanërisht Laert Vasili. Me gjithë vështirësinë e interpretimit të ereksioneve a orgazmave të befta, sëmundja e djaloshit, vegimet e bipolariteti i tij ishin të ndjeshme.

Njësoj siç ishte edhe depresioni i Harper Pit, interpretuar nga Ina Gjonçaj, e cila pas interpretimit të Oriana Falaçit, tregoi edhe njëherë se rolet e trazirave mendore janë veshja e trupit të saj. “Shpresoj që publiku i Tiranës ta mirëpresë. Është provokative. Them që do të ngjallë debate. Them se është një apel për të reflektuar te vetja. Për të kuptuar të ndryshmit nga ne. Duke filluar që nga problemet e seksit, nga problemet e dashurisë, qasjet politike, qasjet fetare.

Pa dyshim që është një projekt shumë i vështirë. Është një projekt i kahershëm imi. Kam hezituar për shumë arsye, më në fund vendosa që ta ve në skenë. Është vepra më ambicioze e dekadave të fundit e dramaturgjisë botërore”, tha përpara pre mierës regjisori Kumbaro. Me interpretimin e aktorëve të tjerë pjesëmarrës si Luiza Xhuvani, Helidon Fino, Donald Shehu e Indrit Çobani, “Engjëjt e Amerikës” do të vijojë të shfaqet në javët e ardhshme në arTurbina.

LULI BITRI, ENGJËLLI PROVOKUES

“Është e guximshme jo vetëm për aktorët, por edhe për regjisorin që po e vë në skenë. Një realitet shqiptar që ka probleme akoma më të thella dhe më ekzistenciale sesa trajtimi i një shfaqje që ka qenë tabu ndoshta edhe në SHBA. Ka një fjalor provokativ. Unë jam një engjëll që vetëm pamjen e engjëllit nuk e kam. Jam një personazh fryt i imagjinatës së sëmurë, mendjes, shpirtit, zemrës së sëmurë të një djali, i cili vuan nga SIDA dhe vuan nga humbja e dashurisë. Jam një personazh që përpëlitem dhe në këto përpëlitjes midis jetës dhe vdekjes, në mungesë të dashurisë, krijon një engjëll si vjen si me sazher i krijuesit që vë në dyshim progresin përpara”.

INA GJONÇI: “RRALLËHERË DASHURIA KA ARDHUR E TILLË NË TEATËR”

“Unë mendoj se vepra është provokuese sepse në thelb flet për luftën e përbotshme, e njeriut me veten. Të gjithë personazhet janë vendosur përpara frikërave të tyre më të mëdha, nuk ka të bëjë vetëm me homoseksualitetin apo me politikën. “Engjëjt e Amerikës” sigurisht provokon sepse ky imazhi që i vjen këtij djali, i cili nuk është vetëm një i sëmurë, por edhe një profet që rrëfen atë që do ndodhë një ditë, ky engjëll nuk është fryt i një fantazie krejt të sëmurë, ky engjëll thotë të vërteta të mëdha. Rrallëherë dashuria ka ardhur në teatër në të gjitha format”.

“Engjëjt e Amerikës” Puthje homoseksuale dhe fjalor provokues në teatër111 “Engjëjt e Amerikës” Puthje homoseksuale dhe fjalor provokues në teatër11 “Engjëjt e Amerikës” Puthje homoseksuale dhe fjalor provokues në teatër1 “Engjëjt e Amerikës” Puthje homoseksuale dhe fjalor provokues në teatër

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.