Energjia dhe Transporti dominojnë borxhin e jashtëm, ja detyrimet sipas sektorëve

May 26, 2016 | 9:48
SHPËRNDAJE

Sektorët e transportit, energjisë dhe buxheti i shtetit janë kredimarrësit më të mëdhenj në tregun e jashtëm. Në fund të tremujorit të parë të vitit borxhi i jashtëm i vendit arriti në 5 miliardë euro. Rreth 36 për qind e kësaj shume ka shkuar si mbështetje për buxhetin e shtetit, për të mbuluar shpenzimet që nuk janë mbuluar nga të ardhurat.

Pjesa tjetër prej 24 për qind e detyrimeve të jashtme dominohen nga sektori i transportit. Këto hua, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, janë marrë në dy dekadat e fundit për hartimin e projekteve dhe ndërtimin e rrugëve nacionale në vend.

foto ilustruese
foto ilustruese

Pjesa më e madhe e huasë mbi 300 milionë euro është marrë për ndërtimin e rrugës së Kombit.

Huamarrësi i tretë më i madhe është sektori i energjisë me 12 për qind të totalit të borxhit. Huatë e dhëna për zhvillimin infrastrukturor dhe strukturor të sektorit, duket se nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.

Aktualisht sektori energjetik në vend vuan pasojat e një administrimi të dobët dhe asetet tërësisht të amortizuara. Detyrimet e sektorit sipas të dhënave të Ministrisë së Energjetikës arrijnë 1 miliardë dollarë.

Teksa shihet se dy sektorët jetikë arsimi dhe shëndetësia kanë kontribut më të ulët. Arsimi mbart vetëm 1.4 për qind të borxhit të jashtëm, ndërsa shëndetësia 2.1 për qind.

Që nga viti 2015 dhe përgjatë këtij viti vlerat neto ndërmjet borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm janë ngushtuar ndjeshëm. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti borxhi i jashtëm shënoi 556 miliardë lekë, ndërsa borxhi i brendshëm 502 miliardë lekë.

Diferenca ndërmjet detyrimeve të jashtëm dhe te brendshëm është vetëm 54 miliardë lekë. Në vitin 2015 kjo diferencë ishte 60 miliardë lekë në dhe në vitin 2014, kjo diference ishte 152 miliardë lekë në favor të borxhit të jashtëm.

Emetimi e një Eurobondi të dytë me vlerë 450 milionë euro vitin që shkoi duket të ketë qenë arsyeja kryesore që rriti balancën. Ekspertët e fushës pohojnë se balancimi i detyrimeve rrit diversifikimin e rrezikut që vjen nga portofoli i borxhit.

MONITOR

tabela borxhi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura