Ëndrrat, admirimi për Nejmarin dhe fintet “nervozuese”. Djali i një postieri po mahnit Interin

Apr 20, 2018 | 14:58
SHPËRNDAJE

Tek Interi kanë “uri” për talent, paparashikueshmëri dhe kryelartësi. Janë kohë të vështira krahasuar me një të kaluar ndoshta jo gjithmonë në elitë, por me siguri plot me dritë e art futbollistik. Gjeneratat e ndryshme të interistëve kanë kaluar nga Suarez, Korso, Bekalosi, Mateus, Berkamp, Ronaldo, Rekoba, Baxhio, Ibra, Eto e shumë të tjerë.

Karamoh

Mjaftonin edhe disa “magji” të Kasanos për të ëndërruar në një stadium, të cilit sot po i duhet të “vetëkënaqet” me një skuadër solide, të organizuar, fizike, e me raste monotone e të kuptueshme në fazën ofensive. Ja përse mbrëmjen e së martës, në “San Siro”, të gjithë u ngritën në këmbë për të duartrokitur Jan Karamoh: një “shigjetë e çmendur”, frymë e re, energji e pastër, shkëndija e nevojshme për sprintin final drejt Ligës së Kampionëve.

Po, disa raste-gol francezi i shpërdoroi vërtet. Ndaj ato duartrokitje duken si një mesazh për trajnerin Luçiano Spaleti: tifozët, pavarësisht duan ta shikojnë në fushë djaloshin; kërkojnë së paku një lojtar “ndryshe”. Përfshi fintet me takë. “I tepruar ai në pjesën e parë kundër Kaljarit? Është mënyra ime e të luajturit, – tha Karamoh.

Karamoh

– Më pëlqen. Futbolli është i ndërtuar edhe mbi këto”. Spaleti e qortoi (“Nuk duhet t’i përsërisë më ato veprime nëse dëshiron të bëhet një kampion”) dhe në fushë braziliani Kastan atë finte e priti keq… Por, publiku u entuziazmua (brohoritje në momentin e xhonglimit), fundja në stadium shkohet për t’u argëtuar, por rezultati ishte 0-0 dhe ndeshja në atë pikë ishte ende e hapur.

IDHULLI “O’NEY” – Është ambicioz, Jan: i është dashur pak kohë për t’u ambientuar në “Appiano Gentile”, punon fort gjatë javës dhe bën një jetë larg reflektorëve. Ndonjë ves? Është një gjumash i madh dhe i dedikon një kohë të madhe modës: gjithmonë i veshur me marka në trend gjatë daljeve të mondane. Prindërit e takojnë shpesh në Milano, në zonën e “San Siro”-s, ku Karamoh ka gjetur shtëpinë e duhur dhe mund të ëndërrojë “pushtimin” (një ditë) e Milanos.

Karamoh4

Babai, mes të tjerash, punon ende në Postën franceze. Jan është i fejuar, por miqtë i qëndrojnë ende pranë dhe shpeshherë zaptojnë një kënd të tribunës. “Idhulli im? Nejmar mbi të gjithë, më pas Kristiano Ronaldo. Por jam me origjinë nga Bregu i Fildishtë: Drogba mbetet një pikë referimi”. Ja ku shpjegohen, pra, fintet me takë…

“NJË DITË…” – Ka vuajtur shumë në muajt e parë: “Këtu punohet vërtet shumë, si fizikisht po ashtu edhe nga ana taktike”, rrëfente Karamoh, i transferuar në futbollin italian në limitet e merkatos, në fund të gushtit, i kërkuar me ngulm nga drejtori sportiv, Piero Auzilio, e nga koordinatori teknik i “Suning”, Valter Sabatini. Ka dhënë megjithatë maksimumin, nuk ka hequr kurrë dorë nga stërvitjet në “Pinetina”, ku ka marrë qortime e këshilla me shumicë: nga Spaleti mbi të gjithë, por edhe nga shokët e skuadrës më ekspertë. Dhe mësimet taktike nuk kanë mbaruar ende, ka ende shumë për t’u mësuar:

Karamoh5

“Është një lojtar i fortë, – u shpreh tekniku Spaleti në përfundim të ndeshjes së fituar 4-0 ndaj Kaljarit, ku francezi luajti për një pjesë të madhe të 90′ përpara se të zëvendësohej nga Kandreva.

– Për nga pikëpamja e mentalitetit të befason, të bën për vete. Ndërsa për sa i përket pikëpamjes së ekuilibrit dhe të arsyetimit, e shoh të vështirë bashkëpunimin me pjesën tjetër të skuadrës. Është një lojtar që duhet ndërgjegjësuar, i duhet të rritet edhe në veprimet përballë portës. Megjithatë, ka një marzh të gjerë rritjeje”.

Karamoh3

Jan ndërkohë ka shënuar një gol në dy paraqitje me kombëtaren U-21 të Francës, e ka grumbulluar në total 11 paraqitje në Serinë A. Vendimtar dhe spektakolar e majta nga jashtë zone që vendosi sfidën ndaj Bolonjës (2- 1, më 11 shkurt). “Kam një objektiv të qartë në kokë: dua të pushtoj ‘San Siro’-n”.

Përgatiti: LEDIO NASE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura