Ëndrra me INUK!

Dec 21, 2014 | 11:33
SHPËRNDAJE

Ai sapo kishte ardhur dhe dukej që qejfi ia kishte të rrinte, por nuk mundej. U habite nga ajo që i lexohej në sy. Sa herë e kishe pritur dhe, të vinte kështu papritur… Të paktën të ishe bërë gati! Jo, asnjë njoftim përveç ardhjes dhe kohës së kufizuar të ndenjjes. Po e shijoje të gjithën e shoqëruar nga një ndjesi moskuptimi. E mblodhe shpejt që nuk kishe pse t’i harxhoje minutat për të kuptuar. Fundja ç’të kuptosh, ku kuptohet gjë sot?! Doje t’i thoshe sa gjëra por atë kohë, vetëm heshtja po të dukej zgjidhje. Se prapë moskuptimi… Pastaj, ashtu si mjegullisht, gjërat sikur po të sqaroheshin. Jo se ai kishte nisur të fliste diçka. Që ishte zhurmë, zhurmë ishte, por jo e çjerra e tij. Si fillim, qas sytë nga telefoni për të gjetur ndonjë alarm. Përveçse kupton që ora është vetëm 7:30, e shoqëron këtë me zhgënjimin se hamendjet e mëparshme kishin qenë ëndërr. Kupton gjithashtu se zhurmat vijnë nga dera. Sa herë të kishte rënë dera në gjithë këto vite që kishe paguar qiranë?! Në të tëra, kishin qenë ose haberlinjtë e Jehovait, ose punëtorja e shkallës që kërkonte paratë. Nejse, bën vaki del ëndrra, se do jetë ndonjë shenjë….
“Ju lutem, mund të vini të zhvendosni pak makinën se jemi duke prishur një ndërtesë dhe ju keni parkuar pikërisht aty ku do të veprojë fadroma. Na falni se ndoshta ishit në gjumë. Adresën tuaj na i dha parukierja në katin e parë”.
Mund të ishe në gjumë! Çne që të jetë njeriu në gjumë në atë orë(!) Nuk kthen asnjë përgjigje vetëm analizon njëherë me vete (aq sa të lejon analiza në atë orë) se çfarë intonacioni kishte përdorur mesoburri që po të sheh me këmbën e njërës pizhame të ngritur deri te gjuri?! Nuk ishte urdhërues, por as ndonjë miqësi e madhe nuk ndihej. Pra, fadroma mund të veprojë edhe sikur ti të përgjigjesh “jam në gjumë”. Zbret duke menduar se paskëshe pasur edhe parukiere në pallat, ndërsa komunikimi vazhdon të jetë joaktiv. Kur mbërrin te makina, kupton që operacioni pastrues bashkë me parukieren, ka prishur sa e sa ëndrra. Vetëm se, makinat e ëndërrimtarëve nuk kanë se ku të shkojnë. Gjendesh duke bërë xhiro në lagje me pizhame. Të paktën të ishe veshur e të mund të shkoje diku të pije edhe kafenë. Ece deri sa t’u kujtua që për pak, Kaçi do të dalë për të çuar të bijën në shkollë kështu që mund të rikthehesh në shtëpi. Ashtu u bë, tani me të siguruar edhe këtë plan, shpresoje vetëm të kapje ëndrrën atje ku e kishe lënë. Le të mos kuptoje asgjë. Po kush do të besonte po t’i thoshe që ia dole?! Le që, s’do kesh qenë fare duke parë ëndërr. Sapo ai burri i INUK-ut ka filluar t’i bjerë derës, nga entuziazmi që s’të bie dera kurrë, e ke shndërruar në ndonjë burrë tjetër. Çohu, çohu dil se vajti dreka!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura