Ëndrra gjermane e kuksianëve për 400 eurot e “asistencës”

Apr 17, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

Një nga zonat e prekura nga eksodi i ri i muajve të fundit është edhe fshati Shishtavec. Zona më skajore e Kukësit në trekëndëshin ndërkufitar ShqipëriKosovë-Maqedoni po braktiset nga dita në ditë.

Banorët e Kukësit në radhë për aplikimin e pasaportave

Vetëm gjatë këtij viti, nga fshati drejt Gjermanisë kanë ikur 10 familje, ose afro 100 banorë. Banorët e fshatit, të njohur për prodhimin e patateve, thonë se shpresa e tyre është shuar, dhe se Perëndimi mbetet e vetmja rrugë shpëtimi. I.B., banues në këtë pllajë të bukur të natyrës, thotë se vëllai i tij ka ikur me gjithë familjen.

“Nuk ka punë, nuk ka rrugë, ujësjellës, nuk ka ujë për të vaditur tokat, ndaj dhe shumë familje të fshatit po largohen. U duhet të paguajnë miliona për dritat. Vëllai në Gjermani më thotë se janë në pritje të azilit dhe se më në fund u kanë dhënë një shtëpi dhe 400 euro në muaj për shpenzime jetike. Këtu nuk kemi më asnjë të ardhur. Gjashtë muaj jemi të izoluar nga dëbora”, shprehet banori i Shishtavecit I.B. Ai nuk përjashton mundësinë që të ndërmarrë edhe vetë një hap të tillë, për ta lënë Shqipërinë. 

Fshati Shishtavec

Kjo është shpërngulja e dytë masive e shishtavecarëve. Banorët që flasin dhe një sllavishte të përzier dhe të pashkruar, kanë “gjetur” më parë edhe Anglinë. Janë dhjetëra të rinj që kanë emigruar atje dhe sjellin të ardhura për familjet e tyre. Eksodi i fundit drejt Gjermanisë nuk është vetëm i të rinjve, por i gjithë familjeve. Edhe gjashtë fshatrat e tjerë të kësaj komune janë prekur nga largimi.

Kreu i komunës, Dylejman Nela, thotë se kanë ikur mbi 100 familje nga kjo komunë muajt e fundit dhe, mbi të gjitha, nëse rikthehen, ata kanë humbur tashmë dhe pronat e shtëpitë që i kanë shitur.

Shishtaveci është 38 km larg Kukësit dhe për këtë komunë kanë nisur dhe projekte zhvillimore për turizmin malor dhe atë dimëror. Madje edhe rruga në Grykën e Vanave është në ndërtim e sipër. Lidhja me Kosovën bëhet shumë shpejt me doganën, por banorët duket se e kanë humbur shpresën, ndonëse ka shenja të zhvillimit. F.K. është 32 vjeç nga një zonë e thellë e Kukësit. Ai më parë ka provuar emigrimin ilegal në Greqi, kur ruan vetëm kujtime të trishta dhe lodhje pa fund e pak para për familjen.

“Kam dëgjuar se në Gjermani jepet azil. Kanë ikur mjaft banorë të fshatit, por edhe të afërm të mi. Ata për momentin ndodhen në kampe e disa të tjerë janë akomoduar në banesa sociale derisa t’u dalë përgjigjja e azilit. Na kanë thënë se, veç shtëpisë, u kanë dhënë edhe një pagesë 400 euro në muaj që të mund të jetojnë. Unë në fshat s’kam ndonjë perspektivë dhe tani duhet të paguaj më shumë taksa, drita etj., që më parë nuk i kam paguar. 28 mijë lekë të vjetër në muaj asistencë komune, me tre fëmijë, gruan pa punë, pak tokë dhe 10 kokë dele, nuk mund të jetoj. E di që do jetë vështirë. Fundja ç’do më bëjnë, do më rikthejnë! Po e provoj. Me ata që kam folur, më kanë thënë se marrin 400 euro, shumë të cilën unë këtu nuk e marr gjithë vitin”, u shpreh 32-vjeçari.

Jonuz Hallaçi 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura