Endri Fuga: ‘RD’ e ‘Panorama’, gazetat zyrtare të opozitës

May 13, 2014 | 11:32
SHPËRNDAJE

Mesazhi në Twitter i drejtorit të Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga
Megjithëse i angazhuar në vizitën e Kryeministrit në Vjenë, në forumin ekonomik për Shqipërinë, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Ramës, Endri Fuga, ka gjetur kohë të “hedhë dyshime” edhe mbi pavarësinë editoriale të gazetave.
Drejtori i komunikimit i Kryeministrisë, që detyrën kryesore e ka për të koordinuar marrëdhëniet e Kryeministrit me mediat, shkruan në profilin e tij në “Twitter” se Partia Demokratike ka dy gazeta zyrtare, “Rilindjen Demokratike” dhe gazetën “Panorama”. Duke iu referuar “një gazetari të njohur”, Fuga aludon se gazeta më e madhe në vend, me rreth 70% të tregut të medias së shkruar, varet nga kryetari i opozitës, Lulzim Basha. Ndërsa “Rilindja Demokratike”, sipas drejtorit të kabinetit të Kryeministrit, është e ish-kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. “Një gazetar i njohur më tha sot me të drejtë se PD ka dy organe shtypi zyrtare: ‘RD’, që varet nga Berisha, dhe ‘Panorama’, që varet nga Basha”, shkruan drejtori i komunikimit të Kryeministrisë në një status në faqen e tij në “Twitter” mesditën e djeshme. Meqenëse drejtori i Komunikimit të Kryeministrisë ka gjetur se nga varen këto dy gazeta, po 18 titujt e tjerë të shtypit shqiptar nga varen? Mesa duket Fuga është i kënaqur me të tjerat.
Komenti i Endri Fugës në rrjetin social vjen pas hapësirës që i ka dhënë gazeta ngjarjes së Divjakës dhe dëshmive të personave që u gjendën në vendin ku ra avioni i pilotit italian. Duket se dëshmitë e qytetarëve që panë nga afër avionin duke rënë nuk përputhen me qëndrimet e maxhorancës lidhur me këtë ngjarje, çka ka çuar edhe drejtorin e komunikimit të Kryeministrisë në përfundimin se “Panorama” varet nga Lulzim Basha.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura