Enca Gjyli: Dentistja që thur perla…

Jul 23, 2015 | 11:27
SHPËRNDAJE

Screenshot_2015-07-18-21-08-37
Të kishte një profesion tjetër, nga ato që nuk ta kërkojnë të gjithë vëmendjen të “mpirë”, Enca Gjyli me siguri që ishte duke menduar gjithë kohës: sikur vallëzonte në det, nga njëra guaskë te tjetra, për të mbledhur perla. Mirëpo, në mos qofsh shkrimtare, cila punë mund të ta lejojë?! Aq më pak, një punë si ajo e saja. Ka vite që është diplomuar për Stomatologji dhe nuk se e ka lënë profesionin në harresë për t’u marrë me pasionet. Jo! I bën të dyja shumë mirë. Fundja, punën e ka me orare fikse, nuk ka pse të ndërhyjë në kohët e njërës apo të tjetrës.
perla
Ama, nëse do të kishte kohën e lirë të gjyshes së saj, që dikur e shpenzonte të gjithën mbi çentrot e qëndismat, me siguri që do t’ua kushtonte perlave të saj të dashura. Madje pasioni për të fantazuar mbi to si Arieli, lindi pikërisht nga një varëse e vjetër e gjyshes. Që Enca t’i bënte të sajat, duhet të gjente mënyrën për t’i “risjellë në jetë”. Mjaftoi të gjente fijen që do mblidhte perlat, një kapëse argjendi dhe iu fut punës. Meqenëse rezultatet ishin të kënaqshme, aq sa tërhoqën edhe vëmendjen e mikeshave, mendoi që eksperimentin të mos e shijonte vetëm për vete. Fotografoi varësen e saj të re me perla dhe e ndau me të tjerët në rrjetet sociale. Kaq mjaftoi për të kërkuar më tej teknika e sekrete që do t’ia bënin punën jo vetëm më të lehtë, por edhe më profesionale. Fundja, çfarë ju ka shkuar në mend dhe nuk e keni gjetur në internet?! Aty gjen gjithçka, mjafton të kesh dëshirë. Sigurisht që, nëse ke aleate edhe fantazinë, punët ecin vetë.

Ju jeni dy shoqe që pavarësisht profesioneve, merreni me perlat. Si vijoi historia, si u bëtë bashkë?
Qëlloi që Aulona ishte e predispozuar ta bënte këtë gjë, njësoj si unë. I tregova punët e mia të para dhe nisëm kështu të mendojmë për të bërë të tjera së bashku. Fillimet ishin eksperimentale. Punët e para kishin defekte plot, deri sa, njëra pas tjetrës, po përmirësoheshin. Përveç vargjeve kladike që nuk kanë model të ndërlikuar, varësja e parë “zyrtare” që kam krijuar ishte krijim që e ideova dhe e realizova vetë. U lodha shumë, sepse duhet të gjeja raportet e duhura të rreshtimit të perlave me aksesorët e varëses dhe mund ta kem bërë e ribërë disa herë, derisa e perfeksionova teknikën e punës. Ndërkaq, mundohem të sajoj apo të inspirohem edhe nga liderët e modeleve të punimeve me perla. Ndjek modelet e firmës së njohur japoneze “Mikimoto”, që ekziston në treg që nga vitet 800 dhe është pikërisht i njëjti autor, Kokichi Mikimoto, njeriu i parë i cili u mor me studimin e molusqeve dhe krijimin e mundësive të kultivimit të perlave.

Ku i gjeni materialet?
Kjo ishte pjesa më e vështirë. Ato që do na duheshin e na duhen, tregu shqiptar nuk mund të na i siguronte. U përpoqëm të krijojmë lidhje të ndryshme nga jashtë prej nga të marrim perlat.

Të mos kesh një pikë shitjeje, një vend ku mund t’ju gjejnë, e vështirëson procesin. Si funksiononi?
Natyrisht që nuk ishte fare e lehtë. Klientët tanë të parë ishin pikërisht familjarët e miqtë e afërt, më pas hapëm faqen tonë “Pearlessences” në Facebook. Pastaj rrethi zgjerohet sepse fjala udhëton por, siç duket, edhe produkti pëlqehet. Megjithatë, deri tani, vijojmë ta konsiderojmë pasion e jo biznes. Mundet që kjo të ndryshojë vetëm nëse gjërat shkojnë mirë me kalimin e kohës.

Ndërkaq, ju vijoni profesionin tuaj…
Nuk është se janë fare pa lidhje njëra me tjetrën. Unë kam studiuar për Laborator Dentar e më pas për Stomatologji. E përbashkëta e profesionit dhe pasionit tim është pikërisht te puna me dorë. Të dyja duhet të punohen në mënyrë perfekte.  

Pse me perlën, a nuk ju duket pak aristokrate për tregun?
Sepse është i vetmi gur që përdoret ashtu siç natyra e ka krijuar, nuk ka nevojë për lustra e zbukurime. Është guri i parë i çmuar i zbuluar në lashtësi prej njerëzve që jetonin afër deteve apo lumenjve. Vërtet që te ne nuk i njohin shumë edhe për faktin që nuk jemi vend që i kultivojmë, por duhet përmendur edhe ajo pjesë e vajzave që i pëlqejnë dhe i vlerësojnë.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura