EMRI/ Vodhi 100 mijë euro në bankën ku punonte, si u prangos arkëtari. Mbante çelësin e kasafortës, por…

Sep 7, 2018 | 21:49
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Një 33-vjeçar, dikur arkëtar i një banke të nivelit të dytë në Tiranë, është arrestuar dy ditë më parë nga oficerët e Antikrimit Ekonomik, pasi ishte shpallur në kërkim për vjedhjen e rreth 100 mijë eurove në vendin e punës.  I arrestuari është Besmir Laja, i cili është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg nga Gjykata e Apelit të Tiranës, për veprën penale të vjedhjes, duke shpërdoruar detyrën. Ngjarja për të cilën ai akuzohet, ka ndodhur 4 vjet më parë, konkretisht më 2 shtator të vitit 2014.

Policia e Tiranës pati arrestuar në atë kohë edhe një punonjëse tjetër të bankës ku kishte ndodhur vjedhja, si dhe pati proceduar penalisht drejtorin e filialit të bankës. Por gjatë gjykimit të dy këta persona u shpallën të pafajshëm, ndërsa arkëtari, Besim Laja, u deklarua fajtor dhe u dënua në mungesë. “Më datë 04.09.2018, u ndalua shtetasi në kërkim, Besmir Laja, 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg, për veprën penale ‘Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit’. Neni 136/2 i Kodit Penal”, tha dje Policia e Tiranës.

Gjykata e Apelit në Tiranë
Gjykata e Apelit në Tiranë

VENDIMI I GJYKATES

Apelit të Tiranës shpjegohen rrethanat e ngjarjes si më poshtë. Nga provat e marra gjatë veprimeve të para hetimore, provohet se më datë 02.09.2014, rreth orës 19:00 pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë ka paraqitur kallëzim penal shtetasja V.P., me detyrë drejtuese e departamentit të çështjeve ligjore pranë një banke të nivelit të dytë dhe shtetasi R.S. në pozicionin e drejtuesit të çështjeve administrative pranë së njëjtës bankë, në lidhje me vjedhjen e ndodhur në degën pranë Liqenit Artificial, ku janë të punësuar F.Z., me detyrë drejtor i degës, B.D., me detyrë asistente dhe shefe operacionesh, Besmir Laja, me detyrë arkëtar dhe A.G. me detyrë specialist kredie. Në bazë të kallëzimit penal, rezulton se më datë 01.09.2014, në orën 16:30, kur do të bëhej mbyllja, arkëtari Besmir Laja, i cili duhet të dorëzonte lekët në kasafortën e bankës, ka nxjerrë pretendimin se kishte punë dhe dorëzimin do ta kryente më vonë.

Më pas personi nën hetim, Besmir Laja ka futur lekët në kasafortë në praninë e drejtorit të bankës F.Z., por pa i numëruar ato, me pretendimin se numërimin e kishte bërë një punonjëse tjetër e bankës, shtetasja A.K.. Kjo e fundit, e cila është përgjegjëse e kasafortës, ka dyshuar në numërimin e lekëve dhe ka kërkuar çelësin e kasafortës për të bërë kontrollin fizik të vlerave monetare.

Arkëtari Besmir Laja, i cili mbante çelësin e kasafortës, nuk ia ka dhënë çelësin me pretendimin se e kishte humbur. Drejtori i bankës ka njoftuar shtetasin R.S., me detyrë drejtues i çështjeve administrative, për faktin që nuk gjendej çelësi i kasafortës dhe se duhet të merrej kopja e tij që mbahej në drejtorinë e përgjithshme të bankës. Duke qenë se ora ishte 18:00, punonjësit e bankës kishin ikur në shtëpi dhe nuk ishte e mundur marrja e çelësit të kasafortës për atë ditë.

Më datë 02.09.2014, në orën 08:00, arkëtari Besmir Laja nuk është paraqitur në punë. Për këtë arsye, drejtori i bankës ka njoftuar drejtorinë e përgjithshme dhe ka kërkuar që të sillnin çelësin e kasafortës për të bërë inventarin. Më pas, nga drejtoria e përgjithshme ka shkuar një audit për kontrollin e gjendjes së kasafortës në degën e bankës. Nga kontrolli është konstatuar se nga arka e bankës mungonin 7 280 012 lekë, 32 900 euro, 18 080 dollarë amerikanë dhe 510 000 lekë nga ATM.

DEKLARIMET

Sipas deklarimeve të dhëna gjatë veprimeve të para hetimore, shtetasja E.K. ka parashtruar rregullat e funksionimit të degës së bankës dhe detyrat funksionale të çdo punonjësi, referuar manualit të aktivitetit të degës së bankës, bazuar në rregulloren e miratuar nga drejtoria e përgjithshme. Rezulton se kasafortat mbahen në ruajtje nga dy-tre persona në varësi të madhësisë së degës. Kodin e kasafortës e mban drejtuesi i operacioneve, ndërsa çelësin e mban arkëtari. Të gjitha veprimet për hyrjet e daljet në kasafortë shënohen në librin e arkës dhe në sistemin informatik të bankës. Në fund të çdo dite bëhet verifikimi i gjendjes fizike të vlerave monetare të kasafortës, detyrë e përgjegjësit të operacioneve. Të gjitha kontrollet pasqyrohen njëkohësisht në librin e arkës. Në rast se për arsye të ndryshme duhet të zëvendësohet arkëtari apo drejtuesi i operacioneve, detyrat e tij duhet t’i kryejë punonjësi me eksperiencë në punë në degën e bankës. Ndërsa sipas rregullores së miratuar nga drejtoria e përgjithshme e bankës, drejtori i degës së bankës duhet të realizojë kontrollin fizik të arkës sa herë që e çmon të arsyeshme.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura