EMRI/ Plagosja pas mesnate, fqinjët i lajmërojnë, por policia nuk gjen asgjë. Çfarë tha nga spitali i riu

Aug 29, 2018 | 20:15
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Një 30-vjeçar është plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta në ambientet e shtëpisë së tij. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 02:00, në rrugën “Tahsim Shehu”, në zonën e Alliasit, në Tiranë.

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Ndërsa Policia është lajmëruar vetëm pasi i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës. I plagosuri është Andi Spahiu, që sipas Policisë jetonte në shtëpi vetëm me të atin.

Burimet thonë se ai është qëlluar 4 herë me armë zjarri, në këmbë dhe në shpinë, ndërsa aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia është lajmëruar për ngjarjen nga fqinjët e familjes Spahiu, të cilët kanë telefonuar pasi kanë dëgjuar të shtënat.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.4, të cilët kanë gjetur vetëm vendin e ngjarjes, ndërsa i plagosuri ishte transportuar drejt spitalit. Më pas ka qenë edhe personeli i spitalit që ka vënë në dijeni Policinë për rastin, duke treguar se aty kishte mbërritur një 30-vjeçar i plagosur me armë zjarri. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, i plagosuri e ka kaluar rrezikun për jetën, ndërsa oficerët e Policisë Gjyqësore kanë shkuar në spital për të marrë dëshminë e tij.

Burimet thanë se i dëmtuari ka refuzuar të tregojë se kush ishte autor i ngjarjes, ndonëse është qëlluar brenda shtëpisë së tij. Ai ka deklaruar se nuk është grindur me askënd dhe nuk e ka parë se kush e ka qëlluar. Në këtë kushte, Policia ka dyshime se i plagosuri po e fsheh të vërtetën.

Për këtë arsye është shoqëruar për t’u marrë në pyetje i ati, me të cilin ai jetonte, si dhe disa të afërm e familjarë të tjerë. Të vetmet prova të sekuestruara në vendin e ngjarjes janë disa gëzhoja arme zjarri, të cilat po ekzaminohen në Laboratorin e Kriminalistikës.

Sot policia tha se e ka zbardhur ngjarjen dhe ka identifikuar e shpallur ne kerkim edhe autorin.

NJOFTIMI

Pas një pune të mirëorganizuar hetimore nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës është bërë identifikimi dhe shpallja në kërkim për veprën penale të “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, të autorit të dyshuar, shtetasit:

– F. G., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas më datë 28.08.2018, rreth orës 02:00, në rrugën “Tasim Shehu”, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. S., 30 vjeç, i cili ka mbetur i dëmtuar në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu u arrestua për veprën penale të “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike” shtetasi i plagosur :

– A. S., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar këtij shtetasi iu gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale disa doza me lëndë narkotike të dyshuar të llojit Heroinë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura