EMRAT+FOTOT/ Personat më të kërkuar, në krye Jani Alia që vrau në Bllok

Nov 17, 2018 | 9:04
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit ka publikuar fotografitë e 12 personave më të kërkuar për Qarkun e Gjirokastrës, pas Vlorës dhe Fierit. Mes së dënuarve për vrasje, vjedhje dhe trafik droge, është edhe emri i Jani Alia.

te kerkuarit ne gjirokaster

41- vjeçari nga Tepelena është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çicës më 2 maj 2016, në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Emri i dytë më i njohur është Endrik Lluka. 29-vjeçari është dënuar me 35 vite burg për vrasjen e kushëririt të tij, Dorian Lluka, dhe plagosi vëllain e tij, Bilbil Lluka. Konflikti mes tyre erdhi për shkak të një borxhi që Endriku u kishte dy vëllezërve.

Pas një debati, ku dy vëllezërit e kanë kërcënuar me thikë, 29- vjeçari ka marrë një pistoletë që kishte në makinë dhe i qëlloi. Ndërsa 10 të kërkuarit e tjerë rezultojnë të dënuar me më pak vite burg dhe për vepra të ndryshme. Një prej tyre është Englied Aliko, i dënuar me 8 vite burg. Ndërsa Bekim Lekaj, i lindur në Tropojë, rezulton i dënuar me 8 vite burg për vjedhje me dhunë.

Pjesë e më të kërkuarve është dhe Ardian Gerbi, i dënuar me 7 vite burg për trafik droge, Gani Abazi, i dënuar me 6 vjet burg për kultivim narkotikësh, Altin Shurdhi, 6 vite burg për prodhim narkotikësh, Bardhi Skenderaj, i dënuar me 6 vite burg për prodhim narkotikësh, Medi Krishti, i dënuar po me 6 vite burg për prodhim narkotikësh dhe Surja Sinani, po me 6 vite për të njëjtën akuzë. Gjithashtu mes të kërkuarve bën pjesë dhe Labjan Saraçi, i dënuar me 5 vjet burg për vjedhje me dhunë dhe Eltjon Bregasi, i dënuar me 5 vjet burg për dhënie ndihme në kalimin e paligjshëm të kufirit.

VRASJA NË ISH-BLLOK

Jani Alia është emri më i njohur në listën e 12 personave që cilësohen si më të rrezikshmit nga Qarku i Gjirokastrës dhe që janë ende në kërkim. 41-vjeçari është dënuar në maj të këtij viti për vrasjen e Elton Çiçës në zonën e ish-Bllokut. Çiça dhe Alia, të dy nga Tepelena, kishin një histori të gjatë konfliktesh mes tyre që dyshohet se kishin si zanafillë prishjen e pazareve të drogës mes dy grupeve të tyre. Ndërsa një tjetër pistë ishte se Alia i ka vrarë Çiçës shokun e fëmijërisë dhe kjo u bë shkak për nisjen e një serie vrasjes dhe atentatesh.

Ngjarja që dyshohet për nisjen e konfliktit mes dy tepelenasve është vrasja e E. Ballazhiut nga Jani Alia, i cili e goditi 20-vjeçarin me thikë. Ngjara ndodhi në vitin 2000 në Greqi dhe viktima ishte bashkëmoshatar dhe shok fëmijërie i Elton Çicës. Alia dhe Çica u përballën në një burg të Greqisë, pasi ishin arrestuar për drogë, ku ky i fundit tentoi të hakmerrej për shokun e tij, duke e goditur Alian me thikë. Pas daljes nga burgu, ata nisin atentatet ndaj njëri-tjetrit në Shqipëri.

Në janar 2016, Alias iu bë atentat, por ai u shpëtoi plumbave, ndërsa mbeti i plagosur një kalimtar rasti. Më 25 prill 2016, Alia u qëllua përsëri, ku këtë herë mori plumb në dorë. Vetëm një javë pas kësaj, Çiça u vra në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Hetuesit arritën të identifikojnë Alian si autor përmes bishtit të një cigareje, pasi në kokë mbante kapele dhe nuk identifikohej nga kamerat e sigurisë.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura