EMRAT/ Nga Ruli, Nishani e Mustafaj, Kryesia e PD konfirmon 5 anëtarët që do përzgjedhin kandidatët për deputetë

Aug 3, 2020 | 10:50
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Kryesia e Partisë Demokratike ka emëruar sot 5 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, që është përgjegjës për shqyrtimin e kandidaturave të propozuara nga anëtarët. 

Sipas vendimit të Kryesisë së PD, anëtarë të kësaj strukture të rëndësishme dhe të re të Partisë Demokratike, do të jenë:

1. Bujar Nishani, Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, ish-President i Republikës, ish-ministër dhe ish-deputet.

2. Besnik Mustafaj, themelues i PD, ish-ministër, ish-deputet, diplomat, përkthyes dhe shkrimtar i njohur.

3. Genc Ruli, themelues i PD, ish-ministër, ish-deputet, ekonomist dhe pedagog i njohur.

4. Enriketa Papa, pedagoge në Universitetin e Tiranës, historiane, shkrimtare dhe studiuese. Master në Histori dhe PhD në Histori Bashkëkohore dhe Histori të Evropës Jug-Lindore në Universitetin e Graz në Austri. Aktualisht është edhe anëtare e Bordit të Institutit për Studime të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

5. Mark Marku, analist, pedagog në Universitetin e Tiranës, në Departamentin e Gazetarisë. Master në Institutin e Marrëdhënieve Publike dhe të Komunikimit (IRCOM), Anger, Francë dhe doktoraturën në shkencat e informacionit dhe komunikimit në Universitetin Paris 2, Francë. Ish-deputet i PD.

kryesia pd

Komisioni do të ndihmohet nga Sekretariati i përbërë nga Sahit Dollapi, Sekretar Organizativ dhe Ervin Minarolli, Sekretar i Burimeve Njerëzore.

Komisioni i Vlerësimit, si një strukturë e besueshme dhe me integritet, do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë. Modeli i konservatorëve britanikë, të cilët kanë asistuar PD, së bashku me republikanët amerikanë dhe CDU e Angela Merkel, u votua në Kuvendin Kombëtar të demokratëve në ndryshimet statutore.

Ky proces që ndodh për herë të parë në Shqipëri, u përshëndet nga Instituti Republikan Amerikan IRI, konservatorët britanikë, CDU dhe forcat politike të PPE, që kanë inkurajuar që ky proces të ndiqet si model i demokratizimit të forcave politike, në Shqipëri dhe në gjithë Rajonin.

TAKIMI ONLINE

Sot paradite demokratët do të mbledhin forumet më të larta vendimmarrëse, kryesinë dhe këshillin kombëtar të PD-së, të cilët do të vendosin për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve. Takimi do të zhvillohet online për shkak edhe të numrit të lartë të anëtarëve të këshillit kombëtar, dhe zhvillimi i takimit duke ruajtur protokollet e imponuara nga koronavirusi është thuajse i pamundur. Komisioni do të ketë 5 persona në përbërjen e tij dhe do të asistohet nga sekretariati ndihmës i Komisionit, i përbërë nga dy persona.

Instrumenti i ri brenda selisë blu, si një strukturë e besueshme dhe me integritet, do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë. Ky Komision bën vlerësimin e çdo kandidati, nëse përmbush apo jo kriteret e parashikuara me detaje në udhëzimin për funksionimin e procesit. Korpusi i njerëzve me influencë, me mbështetje, me aftësi në fusha të ndryshme, që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Nga procesi 6-javor i propozimit të emrave janë identifikuar një numër i lartë kandidatësh në të 12 qarqet, ku bien në sy se, krahas emrave të njohur, ka shumë emra jashtë strukturave të Partisë, kryesisht nga bota akademike dhe shoqëria civile.

Sipas burimeve nga selia blu, kjo do të thotë se interesi i demokratëve është identifikimi dhe përzgjedhja e ekipit më të mirë për të fituar zgjedhjet parlamentare dhe formuar qeverinë e re. Instituti Republikan Amerikan (IRI), konservatorët britanikë, CDU-ja dhe forcat politike të PPE-së, që kanë ndihmuar PD-në për këtë proces, duan ta shndërrojnë atë në model të demokratizimit të forcave politike për gjithë rajonin.

Modeli i konservatorëve britanikë, të cilët kanë asistuar PD-në, së bashku me republikanët amerikanë dhe CDU-në e Angela Merkel, u votua në kuvendin kombëtar të demokratëve në ndryshimet statutore.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura