EMRAT/ Në përgjim prej kohësh, si u arrestuan dy të rinjtë që furnizonin me armë grupe kriminale

Nov 14, 2018 | 9:19
SHPËRNDAJE

 LEONIDHA MUSAJ/ Tregtonin armë zjarri duke furnizuar grupe kriminale, arrestohen dy të rinjtë durrsakë që ishin në përgjim prej disa kohësh nga Policia e këtij qyteti.

ARRESTIM DURRRES

Të rinjtë u kapën me armët e zjarrit që i mbanin të fshehura në mjetin që lëviznin. Sipas Policisë, ata ishin mbajtur nën vëzhgim si persona që mbanin lidhje me grupe kriminale, por ishin të paskeduar më herët.

“Finalizohet operacioni i koduar ‘Guns 18’, ku janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, ndërsa u sekuestruan armë dhe municione luftarake. Janë arrestuar në flagrancë shtetasit: Kevin Mburimi 18 vjeç dhe Rei Hodo 22 vjeç, banues në Durrës”, bëri të ditur Policia. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se dy të rinjtë, në lagjen Nr.16, janë kapur në flagrancë në mjetin tip “Benz”, ku gjatë kontrollit iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale: dy armë zjarri automatikë model 56, kalibër 7.62 mm, një pistoletë tip “Blou Mini”; 2 krehra, 25 fishekë.

“Specialistët kundër Krimit të Organizuar në D.V.P. Durrës në bashkëpunim me Forcat Operacionale, pas një hetimi 2-mujor, kanë goditur një rast trafikimi të armëve dhe municioneve luftarake. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale ‘Trafikimi i armëve dhe municioneve’ në bashkëpunim”, deklaroi Policia. Mësohet se blutë kishin siguruar në rrugë operative informacione se dy të rinjtë ishin duke furnizuar me armë zjarri persona të tjerë me precedentë penalë.

Për këtë arsye, ata janë mbajtur nën vëzhgim për të paktën dy muaj. Nga hetimet dhe përgjimet, hetuesit siguruan informacione se ata dispononin armët e zjarrit, të cilat më pas do t’i shisnin te grupe kriminale. Për këtë arsye, Policia organizoi operacionin “Guns 18”, që përfundoi me arrestimin e dy të rinjve, gjetjen e armëve të zjarrit si dhe identifikimin e personave të interesuar për t’i blerë. Për arsye hetimore, Policia nuk bën publik emrat e të interesuarve për blerjen e këtyre armëve të zjarrit, që u zbuluan në makinën e dy të rinjve durrsakë, por bën të ditur se pritet të realizohet edhe arrestimi i tyre.

Për efekt hetimi, Policia nuk bëri të ditur mënyrën sesi ra në gjurmët e dy të rinjve që kishin nisur të trafikonin armët. Por, sipas burimeve nga grupi i hetimit, ishin siguruar të dhëna në rrugë operative për veprimtarinë e jashtëligjshme të dy të rinjve, të cilët deri më tani nuk rezultonin të skeduar për asnjë krim të kryer.

Në momentin e arrestimit, ata nuk kanë bërë asnjë rezistencë. Policia i kishte vënë në ndjekje dhe ata i janë bindur edhe shenjës për të ndaluar. Në prani të tyre, Policia kreu kontroll ku edhe zbuloi armatimin në makinë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura