EMRAT/ “Infermierja” mikeshë e Behar Bajrit, Policia i gjeti 9 mijë euro. Detaje nga operacioni, si funksiononte skema në Spitalin e Shkodrës

Nov 22, 2019 | 10:22
SHPËRNDAJE

Prej më shumë se një viti në burg, të akuzuar për gjobëvënie, pengmarrje e vrasje, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, tashmë anëtarët e grupit “Bajri” do të përballen edhe me një akuzë të re.

bajri behar te dyshuar

Grupi i konsideruar nga Policia me rrezikshmëri të lartë kriminale, rezulton të ketë ushtruar ndikim edhe në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Pas hetimeve të kryera dhe vendimit të Gjykatës, Policia ka ekzekutuar dje 9 masa të tjera sigurie, 6 “Arrest me burg” e 3 “Arrest shtëpie”, ndërsa një person vazhdon të jetë në kërkim, për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim detyre”. Për 5 prej të dyshuarve, masa është ekzekutuar në burg, konkretisht për Behar Bajrin, Safet Rustemin (Bajrin), Ilir Rustemin (Bajrin), Asmer Bilalin dhe Ismet Idrizin.

Është shpallur në kërkim Sirjan Alija dhe është arrestuar Jorida Murati, e punësuar si infermiere në Spitalin e Shkodrës, mikeshë e drejtuesit të grupit, Behar Bajri. Po kështu, Policia ka ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest shtëpie”, për veprën penal “Shpërdorim detyre” ndaj Senad Hallunit, shef shërbimesh te materniteti pranë Spitalit Rajonal në Shkodër, Florine Hoxha, kryeinfermiere pranë repartit obstetrik te materniteti pranë Spitalit Rajonal në Shkodër dhe Mira Nikaj, përgjegjëse finance në Spitalin Rajonal Shkodër.

Enver Bajri
Enver Bajri

AKUZAT E REJA

Policia e Shtetit tha dje se në vazhdim të operacionit të koduar “Oaz”, i cili u finalizua në shtator të vitit të kaluar, janë dokumentuar vepra të tjera penale në ngarkim të grupit të strukturuar kriminal “Bajri”. Gjykata ka dhënë 10 masa të reja sigurie në ngarkim të pjesëtarëve të grupit kriminal. Për 9 prej tyre janë ekzekutuar masat, ndërsa një shtetas është shpallur në kërkim.

“Në vijim të operacionit ‘OAZ’, gjatë hetimeve të kryera nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës, në koordinim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në ngarkim të grupit kriminal ‘Bajri’, u arrit të dokumentoheshin edhe vepra të tjera penale, të kryera nga pjesëtarët e këtij grupi.

Si rezultat i hetimeve dhe provave të grumbulluara nga Policia, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar 10 masa të reja sigurie në kuadër të anëtarëve dhe lidhjeve të grupit kriminal ‘Bajri’”, tha dje Policia e Shtetit. Gjatë operacionit të djeshëm për ekzekutimin e masave të sigurisë, Policia ka ushtruar kontroll edhe në 6 banesa të tjera, ndër to edhe në banesën e shtetases Jorida Murati, për të cilën mëngjesin e djeshëm u bë dhe ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e saj, Policia gjeti dhe sekuestroi 9 mijë euro. Sipas Policisë, drejtuesi i grupit, Behar Bajri, ushtronte ndikim të paligjshëm në Spitalin Rajonal Shkodër, me qëllim që shtetasja Jorida Murati, e cila ishte e punësuar formalisht si infermiere në këtë spital, të përfitonte nga kreditimi i pagës. Pesë nga anëtarët e këtij grupi kriminal, për të cilët dje u bë ekzekutimi i masës së re të sigurisë, janë ndaluar më parë dhe ndodhen në IEVP.

Nga hetimet e kryera, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunimin dhe me njëri-tjetrin kanë përfituar shuma parash nëpërmjet kanosjes dhe shtrëngimit ndaj dy shtetasve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura