EMRAT- “Do të jetë pak e vështirë të zbulohet…”/ Kapja e 300 mijë eurove në Portin e Durrësit, si po futen në Shqipëri paratë e fituara nga sipërmarrjet ilegale

Nov 14, 2020 | 12:01
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MUSAJ/ Grupet kriminale që ushtrojnë aktivitete të paligjshme në vendet e Bashkimit Europian po përdorin metoda nga më të ndryshmet për të futur në Shqipëri paratë e fituara nga sipërmarrjet ilegale.

300 mijë euro në Portin

Policia Kufitare në Durrës sekuestroi mbrëmjen e djeshme afro 300 mijë Euro të padeklaruara, të cilat ishin fshehur në dy kamionë që ishin nisur me bixarka nga Italia.

Sipas Policisë, në pranga përfundoi drejtuesi i kamionit që transportonte makinat, Ferdinant Murikaj, është shpallur në kërkim pronari i kompanisë që merret me transportin e automjeteve, Erjon Jovani, si dhe procedohet penalisht Aldo Alikaj.

“Bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve mes Policisë Kufitare dhe strukturave doganore çoi në sekuestrimin e një sasie të madhe në euro. Sekuestrohen 294 030 euro. Arrestohet në flagrancë 1 drejtues mjeti, procedohet penalisht 1 tjetër. Shpallet në kërkim pronari i firmës që merrej me transportin e mjeteve”, sqaroi Policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

ZBULIMI I EUROVE

Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare në bashkëpunim me strukturat doganore, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit, ku si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë në PKK, Durrës në bashkëpunim me strukturat doganore, janë kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm 2 mjete tip kamion, të cilët transportonin mjete Itali-Shqipëri, me drejtues shtetasit F. M., dhe A. L..

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP, shërbimet e Policisë Kufitare dhe strukturat doganore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, gjatë kontrollit në automjetin me drejtuesshtetasin F. M., gjetën të fshehura në pjesë të ndryshme të mjetit një sasi vlere monetare prej 282 265 eurosh. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi F. M., 29 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale ‘Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi’. Shërbimet e Policisë kanë vijuar me kontrollin e automjetit tjetër me drejtues shtetasin A. L., ku në çantën personale të tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi vlere monetare prej 11 765 eurosh, i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale të ‘Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi’.

Ndërkohë, pronari i firmës që bënte transportin e mjeteve, akuzohet për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’.

HETIMET

Policia e Durrësit dhe Prokuroria e Rrethit kanë nisur hetimet për të mësuar rolin e personave në fjalë dhe lidhjet e tyre me individët që kanë dërguar eurot në Shqipëri. Hetuesit dyshojnë se paratë e sekuestruara janë fituar nga aktivitete të paligjshme të grupeve kriminale në Itali.

“Dihet tashmë. Kjo është e disata herë që sekuestrojmë shuma të konsiderueshme të padeklaruara në kufi. Grupet kriminale përdorin metoda nga më të ndryshmet për të transportuar para të fituara në rrugë ilegale. Këto vlera monetare janë paratë e drogës. Ne kemi nisur hetimet për të mësuar burimin e këtyre vlerave monetare. Do kërkojmë nga homologët tanë italianë për të na mundësuar itinerarin e personave që kemi proceduar. Kë kanë takuar ata, me kë kanë bashkëpunuar, lidhjet dhe gjithçka tjetër. Tani besoj se do kryhet një hetim paralel në vendin tonë dhe në Itali. Sigurisht, ky është një hetim që do durim pasi nuk mund të kemi rezultate të shpejta, pasi puna do përqendrohet në dy vende: Itali dhe Shqipëri. Personat e përfshirë në këtë ngjarje nuk preferojnë të bashkëpunojnë, ndaj edhe do të jetë pak e vështirë arritja e rezultateve në kohë rekord”, thanë për gazetën burime nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për zbardhjen e trafikimit të vlerave të mëdha monetare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura