EMRAT/ Cilët janë dy të kërkuarit e Italisë që fshiheshin në Durrës. Si u arrestuan

Oct 20, 2017 | 11:10
SHPËRNDAJE

Policia e Durrësit ka vijuar operacionin për kapjen e personave të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, akuzuar për vepra të rënda penale.

Dy shtetas u arrestuan dje me qëllim ekstradimin drejt shtetit fqinj, pasi ndaj tyre gjykatat e Breshias dhe Peskarës kanë lëshuar urdhërarrestet pas akuzave për vrasje dhe trafik droge.

“Në vijim të zbatimit të plan-operacionit ‘Vjeshtë 2017’ janë ndaluar dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimin drejt shtetit italian, konkretisht Gëzim Aleksi, 41 vjeç, banues në Shijak, dhe Dashamir Hersi, 48 vjeç, banues në Durrës.

Në ngarkim të shtetasit Gëzim Aleksi, Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër-arrestin më datë 16.06.1998, për veprën penale “vrasje”, parashikuar nga legjislacioni italian.

Ndërsa për shtetasin Dashamir Hersi, Gjykata e Peskarës, Itali, ka lëshuar urdhër-arrestin më datë 09.06.2000 për kryerjen e veprës penale “trafikim i lëndëve narkotike”, parashikuar në nenin 110 të Kodit Penal italian”, thuhet në njoftimin e Policisë së Durrësit.

Sipas Policisë, shtetasit e mësipërm ishin shpallur në kërkim nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tiranë, përkatësisht Gëzim Aleksi më datë 12 tetor 2017 dhe shtetasi Dashamir Hersi, më datë 17 tetor 2017.

Sakaq, në kuadër të operacionit të ndërmarrë prej disa ditësh, të koduar “Vjeshta 2017”, policia ka arrestuar shtatë persona me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Në konferencën për shtyp, drejtori i Policisë Alfred Çepe deklaroi se në ditët në vazhdim priten arrestime dhe goditje të grupeve kriminale.

“Policia vendore e qarkut Durrës ka kryer disa aksione në 15 ditët e fundit, gjatë të cilave janë arrestuar e ndaluar, mes të tjerëve edhe 9 shtetas shqiptarë, me precedentë të rëndë kriminalë, pjesë e grupeve kriminale të trafikut të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit.

Shtatë prej të arrestuarve janë persona në kërkim ndërkombëtar, kryesisht nga drejtësia e vendit fqinj, Italia, për vepra të rënda penale të tilla. Për të gjithë këta shtetas, autoritetet ligjore të Shqipërisë po kryejnë procedurat e ekstradimit”, deklaroi kreu i Policisë së Durrësit, teksa theksoi se do të goditen edhe asetet ekonomike.

LEONIDHA MUSAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura