EMRAT/ Borxhi në Itali, si u arrestuan 2 personat që i vënë gjobë shokut të tyre. Ç’thanë kur i kapi policia

Jan 14, 2020 | 9:00
SHPËRNDAJE

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se i kishin vënë gjobë 21 mijë euro shokut të tyre, duke pretenduar se bëhej fjalë për një borxh të mbartur nga Italia, të cilin ai nuk ua kthente.pjimage (37)

Të dyshuarit, që më pas rezultuan persona në kërkim, kishin lënë takim me të dëmtuarin tek ish-Fusha e Aviacionit, por aty kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr.2, që kanë bërë të mundur arrestimin e tyre.

Burime zyrtare të Policisë thanë se specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2, pas informacioneve të marra se dy shtetas i kishin vënë gjobë për dhënie parash një shtetasi dhe kishin lënë vendtakim për të marrë paratë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, duke përdorur edhe metodat proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Takimi”.

Si rezultat i operacionit, në afërsi të Fushës së Aviacionit është bërë i mundur bllokimi i automjetit, me të cilin qarkullonin dy shtetasit e dyshuar: Nikolin Fili, i njohur edhe me emrin Aldo Tafa, 37 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim nga Komisariati Nr.2 dhe Eugen Liçi, ose Gentian Goxhaj (Vasili), 43 vjeç, banues në Tiranë, i kërkuar në Itali, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhërarrest për kryerjen e veprave penale “Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafik droge”.

Ndaj shtetasit Gentian Goxhaj, i cili ishte me masë sigurie “Arrest shtëpie”, kanë nisur procedurat nga drejtësia shqiptare për njësim vendimi.mjeti

TE DYSHUARIT

Policia e Tiranës tha dje se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri- tjetrin i kishin vënë gjobë një shtetasi dhe kishin lënë vendtakim për të marrë paratë. Në momentin e ndalimit të mjetit nga Policia, mjet i pajisur me fenelina dhe sirenë policie, këta shtetas u kanë dhënë gjeneralitete të tjera shërbimeve të Policisë, por pasi janë shoqëruar në ambientet e Policisë dhe pas verifikimeve të kryera, rezultoi se të dy ishin të shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Gentian Goxhaj, 43 vjeç, banues në Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një patentë të falsifikuar, dy karta italiane të falsifikuara, të cilat i përdorte ky shtetas për t’iu shmangur identifikimit nga Policia, si dhe një sasi parash.

Në përfundim u bë arrestimi i dy të dyshuarve: Nikolin Fili (Aldo Tafa), për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim”, “Përndjekja”, “Kanosja”, “Vetëgjyqësia” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe Eugen Liçi (Gentian Goxhaj), për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim”, “Përndjekja”, “Kanosja”, “Vetëgjyqësia”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura