EMRAT/ 106 ditë pas lëvizjeve të paraardhësit, Gledis Nano ndryshon të gjithë drejtuesit e Policisë. Kujt iu besua drejtoria më e vështirë

Oct 19, 2021 | 11:01
SHPËRNDAJE

Tri ditë pasi përfundoi afati 100-ditor i Kryeministrit Rama dhe 106 ditë pasi ishin kryer lëvizjet e fundit nga paraardhësi Ardi Veliu, Gledis Nano ndryshoi pothuajse të gjithë drejtuesit e Policisë.

“100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit”, ky ishte ultimatumi i Kryeministrit Edi Rama drejtuar Policisë së Shtetit, afat që përfundoi më 15 tetor.

Tri ditë pas plotësimit të afatit nuk vonoi reagimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.

Ai doli vetë dje para kamerave, duke deklaruar se krahas masave të tjera, kishte vendosur të bëjë edhe disa ndryshime e lëvizje në nivelin drejtues. Në fakt nuk ishin disa, por Nano kishte ndryshuar të gjithë drejtuesit, me përjashtim të drejtorit të Policisë së Beratit, Edmond Tarkaj.

Në fakt ndryshimet më të fundit në Polici, që u kryen nga ish-drejtori Ardi Veliu, kishin vetëm 106 ditë që ishin bërë, konkretisht më 5 korrik të këtij viti.

Edhe ai (Veliu) ndryshoi pothuajse të gjithë drejtuesit.

Por duket se, ashtu siç u shpreh dje gjatë deklaratës Gledis Nano, për kaq kohë nuk ka ndryshuar impulsi e për këtë arsye, Policisë i duhej dhënë një impuls i ri.

Megjithatë duket se e gjitha kjo vjen pas një analize të punës së drejtuesve aktualë të Policisë.

NDRYSHIMET

“Në funksion të prioriteteve të reja që ka përcaktuar qeveria shqiptare për institucionin e Policisë së Shtetit, si dhe me qëllim për t’i dhënë një impuls të ripersonelit policor, pas një analize të deritanishme të punës të drejtuesve aktualë të Policisë, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, krahas masave të tjera, kam vendosur të bëjë disa ndryshime e lëvizje në nivelin drejtues”, u shpreh dje gjatë deklaratës për shtyp drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano.

Ardian Çipës i është besuar një nga drejtoritë që kohët e fundit është konsideruar si më e vështira, ajo e Elbasanit.

Ndërsa Policia e Tiranës do të drejtohet nga Lorenc Paganika, duke zëvendësuar në këtë post Rebani Jaupin, i cili është emëruar në krye të Departamentit për Siguri Publike. Pasi përmendi të gjithë emrat e drejtuesve të rinj, drejtori Gledis Nano tha se duke filluar nga sot do të bëjë prezantimin e drejtuesve të rinj të Policisë në çdo drejtori, si dhe do t’iu përcaktojë prioritetet dhe objektivat atyre për rritjen e parametrave të rendit dhe sigurisë publike në luftën kundër krimit.

“Lëvizjet e mësipërme u paraprijnë ndryshimeve të tjera që do të bëhen në drejtuesit e tjerë të Policisë në nivel vendor”, paralajmëroi Nano.

Ndërsa shtoi se: “Jemi në procesin e përmirësimit të akteve normative që rregullojnë veprimtarinë e Policisë së Shtetit, aplikimit të sistemit të ri të vlerësimit të performancës, si një instrument kyç për të përmirësuar besueshmërinë dhe transparencën gjatë ecurisë në karrierë të punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe të studimit për riorganizimin e përgjithshëm të strukturës së Policisë së Shtetit”.

EMRAT

1. Emërimin e Drejtues i Parë, Lorenc Panganika, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

2. Drejtues Hamdi Fiora, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

3. Kryekomisar Gentian Berberi, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

4. Drejtues i Parë Ardian Çipa, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

5. Drejtues i Parë Alfred Çepe, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

6. Drejtues i Parë Gjovalin Loka, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.

7. Drejtues i Parë Neritan Nallbati, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

8. Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, në detyrën Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike në DPPSh.

9. Drejtues Edmond Sulaj, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.

10. Drejtues i Parë Bledar Çeliku, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër.

11. Kryekomisar Oltion Bistri, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

12. Drejtues i Parë Skënder Hitaj, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

13. Kryekomisar Alban Dautaj, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit.

14. Drejtues Saimir Boshnjaku, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Tiranë.

15. Drejtues Fatmir Hoxha, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Korçë.

16. Kryekomisar Sokol Cana, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.

17. Kryekomisar Arben Joca, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Shkodër.

18. Kryekomisar Lorenc Shehu, në detyrën Drejtor i Qendrës së Mbyllur të të Huajve në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura