…Emigrojnë se e keqja është kthyer në model suksesi…

Jan 11, 2018 | 10:36
SHPËRNDAJE

IslamiKASTRIOT ISLAMI

Shqipëria zë vendin e parë në botë, si vend i origjinës së emigrantëve që kërkojnë në 2017 azil në Francë. Lajmi i të gjitha mediave franceze është: Shqipëria po zbrazet me shpejtësi nga të rinjtë. Përse? Nathali Clayer, specialiste e Shqipërisë në Qendrën Studimore për Emigracionin, thotë se përveç “varfërisë e papunësisë”, janë edhe tri arsye të forta:

i) imobilizmi apo stanjacioni politik, pra, pamundësia e qytetarëve për të ndryshuar me votë të lirë qeverisjen,

ii) korrupsioni i niveleve shumë të larta që çon vetëm në pasurimin e politikanëve të lartë dhe varfërimin e qytetarëve dhe

iii) klientelizimi, pra, mungesa e një sistemi të meritës për arsimim e punësim, të zëvendësuara nga klientelizmi, nepotizmi e fryma e klaneve. Pra, të rinjtë shqiptarë po largohen masivisht, se s’mund as të jetojnë dhe as të punojnë në vendin e tyre, meqenëse “e keqja është kthyer në model suksesi”…

1. NË 2017 RRITJA E NUMRIT TË AZILKËRKUESVE SHQIPTARË ËSHTË ME 66 %, KRAHASUAR ME 2016

Të gjitha mediat franceze kanë botuar gjatë këtyre ditëve, lajmin shumë negativ për imazhin e Shqipërisë e të shqiptarëve: Sipas të dhënave të Organizatës franceze për Refugjatët, në 2017, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 66 %, krahasuar me 2016, duke arritur shifrën rekord prej 7630 azilkërkuesish. Analistë francezë që merren me Shqipërinë kanë ngritur pyetjen “Përse Shqipëria, e klasifikuar si “vend i sigurt”, thënë ndryshe, nga i cili nuk pritet të jetë vend origjine për azilkërkuesit, të zërë vendin e parë në botë për sa i përket numrit të emigrantëve, duke ia kaluar edhe Afganistanit, Sudanit, Guineas, Haitit ?” Për më tepër, që tashmë një vend anëtar i NATO, kandidat për anëtar në BE dhe që pret të hapë në 2107 negociatat për anëtarësim në BE..Përse ndodh kështu me shqiptarët?

2. ARSYET NUK JANË THJESHT EKONOMIKE, PRA, VETËM VARFËRIA, PAPUNËSIA, NIVELI I JETESËS…

Arsyet janë të shumta, ato s’janë thjesht e vetëm ekonomike. As vetëm se Shqipëria është vendi më i varfër në Europë. As thjesht se papunësia është e lartë. As thjesht e vetëm se në vendet e BE gjendja është më mirë se në Shqipëri. Pas 2013, shqiptarët po largohen masivisht nga Shqipëria, duke ia kaluar për nga numri i emigrantëve vendeve me konflikte të brendshme etnike e fetare, vendeve në situatë pas lufte, vendeve me regjime autoritare, vendeve afrikane më të varfra, vendeve pa shpresë e të pa të ardhme. Vendeve ku e ardhmja është e pasigurt. Shqipëria ia kalon të gjitha këtyre vendeve pas 2013. Përse?

3. SIPAS ANALISTËVE TË HUAJ, ARSYET JANË STANJACIONI POLITIK, KORRUPSIONI, KLIENTELIZMI…

Pas 2013, shqiptarët janë gjithnjë e më të varfër, por kjo s’mjafton për të shpjeguar bindshëm këtë situatë të paprecedentë sepse edhe më parë kanë qenë të varfër. Janë gjithnjë e më të papunë, por edhe kjo s’mjafton për të shpjeguar në mënyrë bindëse këtë situatë, sepse edhe më parë papunësia ka qenë e lartë. Një pjesë gjithnjë e më e madhe shqiptarësh vuajnë për bukën e gojës, duke e kërkuar atë në kazanët e plehrave apo duke marrë ushqimet me listë, por as kjo s’mjafton për të dhënë një shpjegim bindës sepse numri i atyre që jetonin nën pragun e varfërisë dhe merrnin ushqimet me listë ka qenë i lartë.

Arsyet janë të tjera, më të thella… Sipas Nathalie Clayer, specialiste e Shqipërisë në një Qendër Studimore për Emigracionin, thotë se ekzistojnë tri arsye të forta për të shpjeguar emigracionin masiv të të rinjve shqiptarë: i) imobilizmi apo stanjacioni politik, ii) korrupsioni i niveleve shumë të larta dhe iii) klientelizmi.

4. SHQIPËRIA S’PO ZBRAZET VETËM NGA TË VARFRIT…

Për t’i dhënë një përgjigje bindëse pyetje së ngritur, mjafton të analizohet me kujdes e qetësisht numri gjithnjë e më i lartë i qytetarëve me arsim të lartë. Me tituj profesor e doktor shkencash. Mjekëve të talentuar. Të rinjve e të rejave të diplomuar në universitet më të mira të botës. Thënë ndryshe, po largohen nga vendi jo vetëm të varfër e të papunë, jo vetëm banorë nga zonat rurale e zonat e thella, por gjithnjë e më shumë qytetarë që kanë një gjendje ekonomike të pranueshme, pra, që ekonomikisht mund të jetojnë e punojnë në Shqipëri.

Gjithnjë e më shumë qytetarë, që kanë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar e madje, pasuri të vlerësueshme. Gjithnjë e më shumë biznesmenë, që po mbyllin apo shesin bizneset e tyre. Gjithnjë e më shumë specialistë e ekspertë, që punojnë në kompani prestigjioze… Po përse atëherë largohen…? Përse? Ja disa nga arsyet, që të gjithë shqiptarët i dinë dhe i artikulojnë në biseda të sinqerta mes tyre:

5. DISA PËRFUNDIME TË TRISHTUESHME NGA RAPORTET NDËRKOMBËTARE…

Nga shumë raporte ndërkombëtare, rezulton se Shqipëria është një vend i pasigurt, ndoshta një nga më të pasigurtët në Europë. Shqipëria është vendi ku qytetarët janë të pashpresë. Ku e ardhmja e fëmijëve të tyre është ekstremisht e rrezikuar. Argumentet që japin janë disa: Shqipëria është vendi i parë në Europë për prodhimin e kanabisit dhe trafiqet e drogës. Shqipëria është vendi i parë në Europë për korrupsion, për krimin e organizuar, për pastrimin e parave të pista.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë e ndoshta në botë ku kriminelët bëhen deputetë. Shqipëria është i vetmi vend në botë, Kryeministri i të cilit akuzohet për përdorim të drogave të forta. Shqipëria është i vetmi vend në botë, Kryeministri i të cilit akuzohet nga organizmat ndërkombëtare, si zotërues i një pasurie të paligjshme prej 200 milionë euro të fshehur në një llogari offshore në emër të të vëllait dhe kjo as nuk hidhet poshtë e as nuk provohet. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, ku ministri i Brendshëm rezulton bashkëpunëtor me klanet e familjet mafioze për trafikun e drogës dhe të armëve. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku familjarët e Kryeministrit e të ministrave janë të implikuar në afera korruptive, janë të lidhura me klanet e familjet mafioze, janë bashkëpunëtorë me narkotrafikantët.

6. ….DHE NGA VLERËSIMET E QYTETARËVE…

Në të gjitha bisedat mes qytetarëve apo komunikimet e tyre mediatike, artikulohen disa përfundime të trishtueshme: Shqipëria është një vend ku shkolla dhe arsimi i lartë s’mjaftojnë për të gjetur një vend pune, pa pasur njohje e lidhje me Kryeministrin, ministrat, kryetarët e bashkive, deputetët, njerëzit me influence. Shqipëria është vendi ku urrehen e përbuzen profesorët, doktorët e shkencave, të diplomuarit jashtë vendit e ekspertët dhe promovohen të paaftët, injorantët, servilët, perversët, mashtruesit. Shqipëria është vendi ku qeveritarët janë “miq e shokë të ngushtë” me kriminelët, me hajdutët, me të dënuarit për prostitucion e narkotrafiqe, të cilët arrijnë të bëhen madje edhe deputetë, të pasurohen duke fituar tenderë, koncesione, prona dhe së bashku kalojnë kohën e lirë, drekohen e argëtohen në jahte e resorte luksoze, brenda e jashtë vendit.

7. SHQIPËRIA, NJË VEND KU GJITHÇKA KONTROLLOHET NGA OLIGARKIA NË PUSHTET…

Shqipëria është vendi që qeveriset nga një pakicë personash të pasuruar në mënyrë të paligjshme, oligarkë e të paaftë. Ku bizneset e mëdha e ato kryesore janë nën kontroll politik. Media është në kontroll politik e paguhet nga paratë e pista të korrupsionit, krimit e të narkotrafiqeve. Shoqëria civile hesht apo promovon marrëzitë e pushtetit se kontrollohet e paguhet prej tij. Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO dhe kandidat i BE, ku votat blihen e votuesit kërcënohen.

Dhe më së fundmi, ku edhe drejtësia po vendoset nën kontroll politik… Dhe akoma më e rënda është se Shqipëria është kthyer në vendin ku janë kompromentuar me paratë e pista të korrupsionit, krimit e të narkotrafiqeve edhe disa ambasadorë e zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, që heshtin për korrupsionin elitar, për lidhjet e krimit me politikën, për kultivimin e kanabisit dhe narkotrafiqet, për blerjen e votave e kërcënimin e votuesve, e tjerë, madje, heshtin edhe për faktin që Shqipëria po zbrazet nga shqiptarët, që po largohen masivisht duke shkuar si emigrantë drejt vendeve të tyre…

8. ARSYEJA THELBËSORE: SHQIPËRIA-VENDI KU E KEQJA ËSHTË KTHYER NË MODEL SUKSESI…

Gjithçka e thënë dhe artikuluar më lart, nga analistë të huaj apo shqiptarë të thjeshtë në bisedat e tyre miqësore, të çon në përfundimin se ka një arsye thelbësore që qëndron në themel të të gjitha arsyetimeve: Me ardhjen e Rilindjes në drejtimin e vendit, E KEQJA është bërë shumë e madhe. E KEQJA është bërë maxhorancë. E KEQJA është bërë agresive. E KEQJA është bërë dominante. E KEQJA është kthyer në të vetmen mënyrë si mjet për t’u bërë i “suksesshëm”. Pra, E KEQJA është shndërruar në MODEL SUKSESI.

9. Ç’DUHET DHE Ç’MUND TË BËHET?

Për shkak të kësaj arsyeje thelbësore, të ndershmit, të aftët, të diplomuarit, të suksesshmit e vërtetë, ekspertët, profesorët, doktorët e shkencave, të diplomuarit jashtë vendit, biznesmenët e suksesshëm, investitorët e huaj, artistët e talentuar, mjekët e aftë, gjyqtarët e ndershëm, ata që duan dhe adhurojnë familjen, ata që kërkojnë të rrisin e arsimojnë ndershmërisht e realisht fëmijët, po largohen me shpejtësi e masivisht nga ky vend duke deklaruar të pashpresë se “ky vend nuk bëhet”… Kjo është e tmerrshme, fatale, alarmante dhe e papranueshme…

Duhet urgjent reagim masiv… Sa më shpejt… sepse nesër do të ishte shumë shumë vonë…Shqipëria po zbrazet… Nesër do të jetë më e vogël… me më shumë të paaftë…me më shumë të varfër… me më shumë të papunë… me më shumë të uritur që kërkojnë bukë në kazanët e plehrave… me më shumë kriminelë e trafikantë në politikë e kudo… me më shumë të droguar në qeveri e kudo…me më shumë perversë në shoqëri e familje… me më pak të aftë, me më pak ekspertë, me më pak të diplomuar, me më pak profesorë e doktorë, me më pak biznesmenë, me më pak të rinj… e aspak investitorë të huaj e vendas… dhe ndoshta me më shumë ambasadorë të kompromentuar..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura