Emigrimi i të rinjve po vendos në vështirësi kompanitë e “Call Center”, po hasin vështirësi dhe nga platformat ilegale të Forex

Jan 22, 2022 | 23:41
SHPËRNDAJE

Shpopullimi tashmë nuk është një fenomen shqetësues vetëm për zonat rurale apo të thella të banimit të Shqipërisë. Në vend emigrimi, kryesisht i të rinjve, po rritet nga viti në vit edhe në kryeqytet.

callcenter

Emigracioni masiv i të rinjve po jep efekte në sektorin call center, që konsiderohet si oaz punësimi i tyre. Për këtë arsye, sektori call center, një ndër punëdhënësit më të mëdhenj të të rinjve në vend, nuk ka shpresa se për 2022 tregu ka potencial oferte për punësime të reja.

Lorenc Goga, administrator i “Facile.it” thekson se prej 2-3 vitesh, kompania po has vështirësi në gjetjen e punonjësve të rinj. Përveç emigracionit, faktor frenues për finalizimin e rekrutimeve të reja është edhe konkurrenca e pandershme nga lulëzimi i platformave të paligjshme Forex.

“Parashikojmë për vitin 2022 të rrisim numrin e punonjësve, nëse oferta e tregut për burime njerëzore do të arrijë të plotësojë kërkesën tonë, pasi prej 2-3 vitesh, sektori call center po vuan gjetjen e punonjësve të rinj. Nevojat e kompanisë nuk janë për punësime 2-3 punonjës në muaj, por për 20 rekrutime të reja.

Mungesa e punonjësve po ndihet fort në sektorin call center. Arsyeja kryesore e mungesës të tyre në treg është emigracioni. Vitet e fundit, shumë të rinj janë larguar nga Shqipëria. Një tjetër arsye është se shumica e të rinjve që intervistojmë nuk njohin gjuhën italiane, kur 90% e tregut call center kërkon domosdoshmërisht njohjen e kësaj gjuhe. Në Shqipëri, tashmë mungon gjenerata e të rinjve siç ishin ata pas viteve ’90, që mësuan gjuhën italiane në mënyrë autodidakte nga televizioni.

Në anën tjetër, në vitet 2020-2021 në vend pati një bum të hapjes së platformave Forex. Funksionimi i paligjshëm i tyre deformoi parametrat e tregut të punës. Këto kompani ofrojnë paga shumë herë më të larta se tregu dhe për këtë arsye, shumë të punësuar në call center u larguan për t’u punësuar në Forex.

Platformat Forex në mbarë botën aktualisht janë në vështirësi për shkak të kontrollit ndaj tyre. Kjo situatë pritet të favorizojë sektorin call center, pasi një numër i konsiderueshëm i punonjësve do të rikthehen në kompanitë normale. Tendenca pritet të përforcohet në vitin 2022”.

Edhe administratori i kompanisë më të madhe call center në vend, “Teleperfomanca”, Diego Pisa, pohon se tregu shqiptar i punësimit në sektorin call center është në fazë transformimi. Përfaqësuesi i kompanisë “Albanian Marketing Service” (AMS) shpjegon se kompanitë që në pandemi nuk mundën të diferenconin portofolin e tyre, do të falimentojnë, por në kushtet e eksodit e punonjësve, bëhet i pamundur aksesi i burimeve njerëzore të tregut edhe për kompanitë që janë në rritje.

“Tregu shqiptar i call center po kalon një transformim të fortë që sheh kompanitë që nuk kanë mundur të diferencojnë portofolat e klientëve të tyre, të tkurren apo edhe të falimentojnë. Efekti neto është tkurrja e vendeve të punës, e cila favorizon kompanitë që janë në rritje, sepse ato mund të kenë ende akses në një grup burimesh potenciale. Nga ana tjetër, janë shqetësuese dy tendenca që po bëhen gjithnjë e më me ndikim. E para është mosinteresimi i brezave të rinj për studimin e italishtes.

Të rinjtë shqiptarë janë të specializuar në gjuhën angleze e cila, megjithatë, nuk gjen të njëjtën hapësirë në industrinë tonë si italishtja, sepse për aktivitetet e mbështetjes së klientit ka konkurrencë nga Egjipti, India dhe Filipinet ku kostoja e punës është dukshëm më e ulët.

E dyta është eksodi jashtë vendit, veçanërisht i personelit, i cili e bën gjithnjë e më të vështirë investimin në trajnimin e burimeve. Kjo po çon në një humbje të aftësive menaxheriale që kompanitë dhe vendi, kanë nevojë për të ofruar shërbim cilësor”, veçon z. Pisa. Sipas tij, tek “Teleperfomance”, përveç faktorëve të zakonshëm sezonalë, nuk pritet ulje e numrit të punonjësve për vitin 2022.

Në sektorin call center, në vitin 2022, pritet të rritet volumi i kontratave të punës për shërbimet e blerjes online, që njohën hov zhvillimi në pandeminë e COVID-19.

“Shërbimet e asistencës ndaj klientit po evoluojnë fuqishëm, sepse shtytja drejt dixhitalizimit po i zhvendos vëllimet drejt vetëkujdesit. Ky është një trend që do të çojë në ulje të vëllimeve pavarësisht sektorëve. Nga ana tjetër, pandemia ka larguar qytetarët nga kanalet fizike, duke rritur ndjeshëm blerjet online në të gjithë sektorët: kjo ka sjellë rritje të fortë të aktiviteteve që do të stabilizohen në muajt në vijim”, nënvizon z. Pisa nga kompania AMS.

Rritje të volumit të punës në 2022 pritet të ketë edhe te shërbimet e tregut të siguracionit të makinave. “Në muajin prill të 2022 pritet të ketë bum kërkesash, pasi kjo është periudha e fillimit të ofrimit të shërbimit edhe për motorët. Për të përballuar fluksin e punës është e domosdoshme të rrisim numrin e punonjësve, nëse tregu do të arrijë të plotësojë kërkesat për punësime.

Rekrutimet e reja nisin që në muajin janar deri në prill për të përballuar fluksin e punës. Përveç punësimeve për kontratat e reja është e nevojshme që çdo muaj të rekrutojmë punonjës të tjerë për të zëvendësuar të larguarit. Lëvizjet paralele të punonjësve në sektorin call center janë të shpeshta”, veçon administratori i “Facile.it”, Lorenc Goga./ Marrë nga Monitor.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura