Emigracioni ka ndikuar negativisht me 18% në PBB e Shqipërisë në 17 vjet, më i larti në rajon

Oct 18, 2017 | 11:51
SHPËRNDAJE

Emigracioni i forcës së kualifikuar të punës ka ndikuar shumë negativisht në rritjen e ekonomisë së vendit. Një studim i fundit i Departamentit të Europës në FMN, ka gjetur se gjatë periudhës 1995-2012, emigracioni ka pasur efekt negativ me 18% në PBB e vendit. Kjo humbje ishte më e larta se në vendet e tjera të rajonit, me shkak emigracionin. Dëmi më i madh, sipas FMN, është krijuar nga emigrimi i forcës së kualifikuar të punës.

emigracioni

Humbjet më të larta në PBB me rreth 16% i ka krijuar ikja nga vendi i forcës së kualifikuar të punës, në raport me emigrantët që kanë pasur aftësi të ulëta.

Nëse nuk do të kishte pasur emigracion, atëherë FMN ka llogaritur se rritja mesatare e Shqipërisë për të njëjtën periudhë do të kishte qenë rreth 9%, pra rreth 2 pikë përqindjeje më shumë. Kjo është diferenca më e madhe mes rritjes faktike dhe asaj potenciale (pa emigracion) që raporton FMN për vendet e Europës Lindore. Në shtetet e tjera, humbja nga emigracioni ka qenë më pak se një pikë përqindjeje.

Sipas raportit të FMN-së, hapja e Europës Lindore ndaj pjesës tjetër të botës në fillim të viteve ’90 solli përfitime të mëdha. Rrjedhja e kapitalit dhe inovacioni ka çuar në krijimin e institucioneve më të mira, menaxhimit më të mirë ekonomik dhe përfitueshmërisë më të lartë. Nga ana tjetër, ka çuar në daljen e vazhdueshme dhe të konsiderueshme të njerëzve.

Afërsisht 20 milionë persona, shumica prej të cilëve të rinjtë dhe të aftë, të barasvlershëm me popullsinë e Çekisë dhe Hungarisë, kanë lënë rajonin për të kërkuar mundësi më të mira jashtë. Pavarësisht se ata kanë kontribuar në vendet e zhvilluara ku kanë shkuar, largimi i tyre ka ngadalësuar rritjen dhe konvergjencën e vendeve të origjinës me standardet e jetesës në Europë.

Një hartë e publikuar nga OKB së fundmi tregonte se në vitin 2015, rreth 1.12 milionë shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e bashkuar 10 mijë.

Sipas Censusit të fundit të INSTAT, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend. Ritmet e rritjes së popullsisë janë shumë të ulëta për shkak të rritjes së moshës mesatare (që ka arritur rreth 37 vjeç) dhe përshpejtimit të emigracionit, sidomos vitin e fundit.

monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura