Emërohet drejtori i ri i Policisë së Kosovës, ja kush është ai

Jan 13, 2021 | 15:31
SHPËRNDAJE

samedin-mehmeti-780x439

Samedin Mehmeti është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Zgjedhja e tij është bërë përmes një votimi elektronik në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë. Lajmin për zgjedhjen e tij e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.

“Po me shumicë votash është zgjedhur drejtori i ri i Policisë së Kosovës, tash sa përfundoj votimi”, ka thënë Baxhaku.

Zgjedhjen e drejtorit të ri të policisë e ka konfirmuar për Telegrafin edhe zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Tahiri. Ai ka thënë shkurt se votimi është bërë në mënyrë elektronike dhe se AAK-ja ka votuar pro.

Edhe Qeveria përmes një njoftimi ka bërë të ditur se vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare

 “Qeveria në detyrë, i ka propozuar kryeministrit Hoti emërimin e z. Samedin Mehmeti, Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, të Projektit për sigurinë e rrjetit  të brendshëm të Teknologjisë së Informacionit të Policisë së Kosovës.  Bëhet fjalë për mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë së Informacionit të Policisë së Kosovës, që vlerësohet të jetë i ndjeshëm dhe konfidencial”, thuhet në njoftimin e Qeverisë në detyrë.

Ky vendim vjen pas rreth tre muajve që ushtroi detyrën si drejtor i përgjithshëm.

Pas shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj nga ana e kryeministrit Avdullah Hoti, si ushtrues detyre në këtë pozitë ishte caktuar zëvendësdrejtori Samedin Mehmeti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura