Emergjencë në Sistemin e Emergjencave

Mar 2, 2015 | 12:22
SHPËRNDAJE

PIRRO AHMETAJ

  Kanë kaluar vetëm disa javë nga përmbytjet kryesisht në jug të vendit dhe jo vetëm. Kushdo mundet dhe strukturat përgjegjëse duhet të ngrenë disa pyetje pas këtyre javëve: A është bërë një analizë analitike e kësaj emergjence? Çfarë u bë mirë dhe çfarë jo? Kush veproi mirë dhe kush jo? Çfarë duhet të përmirësohet nga ana ligjore, doktrinare, cilat procedurat dhe cilat angazhime zyrtare? Çfarë kapacitetesh duhet të zhvillojmë? Çfarë funksionoi dhe çfarë çaloi në pikëpamje të drejtimit të operacionit? Sa jemi të përgatitur dhe ushtruar për t’i përballuar ato me sukses? Çfarë na duhet për të reaguar më mirë radhën tjetër? Këtyre dhe të tjera pyetje mund t’u jepet përgjigje vetëm nëpërmjet një procesi analitik të “mësimeve të nxjerra” nga emergjencat civile. Nëse nuk e bëjmë këtë vlerësim sot, duhet të jemi të sigurt se edhe nesër në emergjencën e radhës do të vuajmë përsëri nga të njëjtat pasoja, ndoshta dhe më keq.  
Shqipëria është duke përjetuar pasojat e “post-emergjencës” nga përmbytjet. Gjykoj se jemi në kohën e duhur për të analizuar thellë dhe adresuar mësimet e nxjerra nga kjo ngjarje, por edhe të bëjmë një vlerësim strategjik të Sistemit të Emergjencave Civile (EC) si një i tërë, për  të analizuar çfarë funksionoi dhe çfarë çaloi gjatë këtyre përmbytjeve dhe çdo institucion të marrë “meritat” apo të vuajë “pasojat/kusuret” për ushtrimin apo mosushtrimin si duhet të përgjegjësive që u ngarkon ligji. Është për t’u theksuar që në fillim se të gjithë aktorët dhe strukturat përgjegjëse shtetërore, si dhe shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit bënë përpjekje të admirueshme, duke demonstruar vullnet dhe solidaritet qytetar me banorët e zonave të përmbytura. Megjithatë, kjo fatkeqësi natyrore u shoqërua me shumë dëmtime në gjënë e gjallë, infrastrukturat, bizneset, pronat etj., të cilat mund të mos ndodhnin nëse Sistemi i Emergjencave do të funksiononte më mirë.
Ashtu siç e theksoi Presidenti, gjatë vizitës në zonat e përmbytura, kjo emergjencë duhet të vlerësohet me seriozitetin më të madh duke shmangur “shpërdorimin politik” dhe duke adresuar veprimet në planin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë.  
Në planin afatshkurtër, meqë tani jemi ende në fazën e vlerësimit dhe eliminimit të pasojave të përmbytjeve, nevojitet që masat të fokusohen te rikthimi në normalitet i jetës së njerëzve, tek ushqimi për njerëzit dhe bagëtitë, riaktivizimi i bizneseve, rigjallërimi i aktivitetit social, rivendosja e shërbimit shëndetësor dhe arsimor, zëvendësimi i pajisjeve shtëpiake, kompensimi i dëmeve, masa lehtësuese të garancive bankare etj. Në këtë periudhë duhet të evitohen “show politikë”, që fatkeqësisht kemi parë të bëhen me njerëzit në nevojë. Shpresoj është e qartë se përgjegjësia dhe “detyra numër një” e qeverisjes qendrore apo lokale është të rikthejë në normalitet jetën e komunitetit të tyre të rrënuar nga emergjenca dhe askush nuk duhet të mendojë se kjo gjë u jepet atyre për dhuratë, për mëshirë, si bamirësi, as dhe për një votë elektorale.   
Në planin afatmesëm, me kalimin e fazës së eliminimit të pasojave, të gjithë aktorët dhe faktorët e qeverisjes qendrore dhe lokale duhet të “peshojnë” dhe adresojnë me po aq seriozitet problematikat e uljes në mënyrë maksimale të mundshme të efekteve që çuan në përmbytjet, duke kaluar nga zgjidhjet mikro në zgjidhjet makro të problemeve, pra të evitojmë ndodhjen e tyre në të ardhmen. Koordinimi i veprimeve të pushtetit qendror me atë lokal duhet të fokusohet te politikat makro për sistemimin e lumenjve në tërësi, që ata të kthehen nga faktorë fatkeqësish në faktorë zhvillimi, në sistemet e kanalizimit, përkujdesjen për argjinaturën e lumit, ngritjen e argjinaturave të rrugëve etj. Po ashtu, duhet të evitohen të gjitha ndërtimet pa leje të mëtejshme, si dhe të vlerësohen këto zona me masterplane që japin garanci për mundësi jetese të komuniteteve apo zhvendosje të tyre.   
Ndërsa në plan afatgjatë do të duhet fokusim në ngritjen e një sistemi të integruar kombëtar që konsideron objektivat, mënyrat dhe mjetet (ends, ways and means) për përballimin e spektrit të emergjencave civile në RSH. Duhet të pranojmë që kemi një sistem më shumë se të brishtë (rrënuar) të emergjencave civile. Kjo edhe pse jemi vend i vogël me kapacitete tepër të kufizuara, që do të thotë se duhet të jemi shumë “smart” dhe selektivë në zhvillimin e kapaciteteve të emergjencave civile, por që gjithashtu duhet të jemi shumë të organizuar, të trajnuar dhe reagues.
Nga çfarë vuan Sistemi i Emergjencave Civile?
Në vijim, do përpiqem të shikoj përtej ngjarjes së fundit, duke improvizuar një ngjarje tjetër katastrofike, si mot ekstrem, tërmet, rast renegat, degradim mjedisor, mbrojtje kibernetike, virus vdekjeprurës, de-stabilitet kushtetues, akt terrorist ndaj infrastrukturave strategjike, aksidente industriale etj. Megjithëse kam ekspertizë tërësisht modeste për Emergjencat Civile, m’u desh kohë dhe punë të lexoja se cili është sistemi ynë aktual (infrastruktura ligjore, strukturat, kapacitetet, procedurat, eksperiencat dhe mësimet e nxjerra, si dhe të konsultohesha me kolegë brenda dhe homologë jashtë vendit Kroaci, Slloveni, Letoni, Çeki). Gjykoj se duhet të jemi të drejtpërdrejtë, të ndershëm me veten dhe të sinqertë me qytetarët – garancia 100% e parashikimit dhe menaxhimit të fatkeqësive natyrore, industriale apo njerëzore është mision i pamundur. Këtë nuk e bën dot as SHBA, as Anglia, Franca, Gjermania, Japonia etj. Por shteti dhe pushtetarët, strukturat dhe personeli i të gjitha hallkave e kanë përgjegjësi të zhvillojnë strategji, mekanizmat, kapacitetet, rregulla angazhimi për të parandaluar në maksimum dhe menaxhuar me përgjegjshmëri këto raste.
Së pari, të përmirësohet kuadri ligjor, doktrinar dhe procedural për EC. Në vlerësimin strategjik, nga njëra anë konstatohet lehtësisht se Shqipëria ka një kornizë ligjore të pranueshme për emergjencat civile, ndërsa nga ana tjetër strukturat, kapacitetet dhe menaxhimi i tyre janë të kufizuara dhe me mangësi të theksuara operacionale. Sigurisht, ligjet nuk janë “Muri i Berlinit”, por mundet dhe duhet të ndryshojnë, sepse kuadri ligjor i përket vitit 2005 dhe duhet të adresohen mësimet e nxjerra të këtyre 10 viteve, që nuk janë pak. Nga ana tjetër, një mesazh tjetër është që ligjet për sigurinë duhet të miratohen me konsensus sa më të gjerë politik, sepse mund të kthehen në bumerang, si precedenti i panevojshëm, i padobishëm dhe i paqëndrueshëm i paketës se ligjore të reformës mbrojtjes.
– Kushtetuta e Shqipërisë. Në këndvështrimin profesional, gjykoj (pjesa e gjashtëmbëdhjetë, masat e jashtëzakonshme), nenet 170, 171, 172, 173, 174, 175, dhe 176  të Kushtetutës mirëpërcaktojnë kriteret për gjendjen e luftës, por edhe të gjendjes së jashtëzakonshme (kur kërcënohet territori ose rendi kushtetues), të gjendjes së fatkeqësive natyrore ose aksidenteve teknologjike, në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit. Në këto nene përcaktohet lloji i emergjencës, kohëzgjatja, parimet dhe “shkalla e kufizimeve të të drejtave dhe të lirive të njeriut”, si dhe ndahen detyrimet e institucioneve kushtetuese: Presidenti, Parlamenti dhe Ekzekutivi. Në përmbledhje, Kushtetuta është shumë e ngjashme me atë sllovene dhe kështu gjykoj se nuk ka ndonjë boshllëk kushtetues për të vlerësuar, planëzuar dhe ekzekutuar Emergjencat Civile.
– Paketa ligjore, vendimet dhe udhëzimet. Përveç Kushtetutës, Shqipëria ka një paketë ligjore të plotë, që përcakton definicionet, kriteret për pjesëmarrjen e institucioneve të shtetit në përballimin e dëmeve në rast fatkeqësish, të miratuara kryesisht në kohën e Kryeministrit Nano. Kujtoj në përbërje të kësaj pakete VKM-të për: “Ngritjen dhe funksionimin e strukturës së sistemit kombëtar të planifikimit dhe të përballimit të emergjencave civile”;  “Kriteret dhe procedurat e shpalljes së gjendjes së emergjencës civile”; “Organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e shërbimit të Emergjencave Civile”; “Përgjegjësitë dhe detyrat e departamentit të planifikimit dhe të përballimit të emergjencave civile”; “Organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e shërbimit të Emergjencave Civile”; “Tarifat për përdorim të përkohshëm nga organet shtetërore, në situata emergjente, të çdo mjeti privat”; “Përbërjen, funksionimin dhe përgjegjësitë e komisionit teknik këshillimor të specialistëve për emergjencat civile”;  “Pjesëmarrjen e shtetasve në parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile”; si dhe udhëzimet për: “Ngritjen e komisionit vendor të Emergjencave Civile, në bashki dhe komunë”; “Ngritjen e komisionit të planifikimit të Emergjencave Civile në nivel qarku”. Është për t’u vlerësuar që çdo ligj, çdo vendim dhe çdo udhëzim ka detyra të precizuara për institucionet, st rukturat dhe personelin përkatës për përballimin e efekteve të emergjencës civile. Sa njihen lind pyetja, sa zbatohen është pyetje dhe sfidë e vështirë.
-Definicionet e llojit të emergjencave, janë të përcaktuara në Ligjin Nr. 8756, datë 26.3.2001, “Për Emergjencat Civile”. Më konkretisht, neni 2, përkufizimet: Me “emergjencë civile kombëtare” kuptohet një situatë kritike urgjente e një natyre të përkohshme, që dëmton seriozisht jetën, shëndetin dhe sigurinë e shtetasve të Republikës së Shqipërisë, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin, në një masë e natyrë të tillë që kalon mundësinë ose autoritetin e organeve të qeverisjes vendore për përballimin e saj”. Mbështetur ne këtë reference ligjore, duke analizuar emergjencën e fundit, në gjykimin tim, Ekzekutivi, në vend të “kokëfortësisë propagandistike” kishte detyrimin ligjor të shpallte gjendjen e “emergjencës civile kombëtare”. Kjo legjitimon jo vetëm aktivizimin e strukturave, përdorimin e aseteve, por edhe adresimin për asistencë të justifikuar te strukturat ndërkombëtare.
Së dyti, të përmirësohen strukturat dhe kapacitetet për EC. Zhvillimi i pajisjeve/kapaciteteve moderne për menaxhimin e emergjencave civile nga institucionet përkatëse është një detyrë e komplikuar që kërkon traditë planifikimi afatgjatë, koordinim dhe monitorim në nivel kombëtar, si dhe  alokimin e resurseve përkatëse. Kapacitetet planifikuese dhe menaxhuese të Emergjencave Civile përcaktohen nga ligji për EC. Këto kapacitete ndërtohen mbi bazën e skenarëve mbi emergjencat kryesore, që kanë ndodhur dhe pritet të ndodhin në vendin tonë. Në periudhën 2011-2013, me asistencën e SHBA,  u zhvillua Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes (RSM) me pjesëmarrjen e 10 institucioneve të shtetit shqiptar. Ne këtë dokument (RSM) janë ngritur 13 skenarë, 7 prej të cilëve ishin për emergjencat civile, ku përcaktohen forcat dhe mjetet që duheshin në secilën prej tyre. Përtej propagandës, mendoj se pak ose aspak është bërë për të zhvilluar ato kapacitete që kërkohen ne këtë dokument/skenar. Do të doja dhe lutem të jem gabim, por të jepet përshtypja se ashtu si ligjet, këto dokumente, këta skenarë, as nuk janë lexuar jo vetëm nga autoritetet e Larta të Ekzekutivit, por edhe nga nivelet e përgjegjësive operacionale. Duke qenë se janë shumë institucione, është i nevojshëm një plan i aktivizimit të përshkallëzuar të tyre sipas prioriteteve. Si dëshmitar i reformës së mbrojtjes, opsioni i rekomanduar nga SAIC, për të pasur një Agjenci Kombëtare (Njësi të Mbështetjes Rajonale) në vartësi të KM dhe ngritja e konceptit të forcës rezerviste sipas modelit të gardës kombëtare (të New Jersey. p.sh.) me specialitete/kapacitete sipas specifikës së zonës dhe bazuar në sistemin “roster” (database) për t’u përdorur në mënyrë të përshkallëzuar për emergjencat civile. Në vend që këto koncepte të shprehura në RSM dhe ligjin për Strategjinë Ushtarake në fuqi të zhvilloheshin më tej, njësia e mbështetjes rajonale u shpërbë (me urdhër!) në mënyrë joligjore vetëm para një viti në strukturën e re të FA. Zhvillimi i kapaciteteve të EC duhet të bëhet bazuar mbi prioritete. Prioriteti i parë duhet t’u kushtohet atyre pajisjeve/kapaciteteve që kanë të bëjnë me shpëtimin e jetës së njerëzve, pastaj pronat, infrastrukturat, ambienti e të tjera. Autoritetet duhet të veprojnë, qoftë edhe me përdorimin e forcës ndaj qytetareve, në zonat e emergjencës, kur jeta e tyre vlerësohet në rrezik.
Së treti, të shfrytëzohen eksperiencat dhe mësimet e nxjerra nga EC. Reagimi ndaj fatkeqësive është një proces i vështirë, sepse shoqërohet me të panjohurën. Megjithatë, ky reagim bëhet më i lehtë kur shfrytëzojmë eksperiencën jo të pakët të Emergjencave Civile gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, përfshi dhe rastin në fjalë. Ndërsa vendi ka një ligj/strategji që përcakton misionin, kapacitetet dhe përgjegjësitë e strukturave (ligji i emergjencave), dhe megjithëse në terren është një vullnet, solidaritet, angazhim dhe përgjegjshmëri nga strukturat përkatëse, ajo që vijon të mungojë është mungesa e një doktrine të përbashkët ndërinstitucionale të reagimit në secilin nga 7 skenarët e planifikimit të emergjencave civile, pra “kush bën çfarë, kur dhe në bashkëpunim me kë?”. Një mangësi tjetër është testimi me stërvitje ndërinstitucionale për të paktën 1 (nga 7) skenarë të emergjencës civile çdo vit. Ka disa vjet që nuk bëhen stërvitje të tilla ndërinstitucionale. Prandaj edhe ndodh që në emergjencat civile kemi “rrëmujë të organizuar”, përfshi dhe në rastin e fundit, ku më shumë kemi “show” politikanësh e deputetësh, të cilët mbajnë në shënim “ankesat” dhe bëjnë “premtimet” e rastit. Në fakt, edhe media i kushton më shumë vëmendje kush “udhëheqës” vajti/ku në vend që të fokusohet se si po funksionon Sistemi i Emergjencave Civile, i cili në fakt kërkon reformë të vërtetë. Shpesh, arritjet e emergjencës maten me sasinë e prezencës së ushtarëve dhe civilëve në zonën e operacionit, në vend që të matet me efektivitetin e veprimeve të tyre, që shpesh lë për t’u dëshiruar, sepse me gjithë predispozitën maksimale te tyre, në vend që të bëjnë punë, bëhen barrë edhe për institucionet përgjegjëse. Së fundmi, por jo për nga rëndësia, mbështetja me resurset e nevojshme të EC, për të zhvilluar kapacitetet adekuate të Emergjencave Civile.  
Një mesazhi përmbledhës: Mësimet/kambanat e emergjencave (Gërdec, përmbytjet ne Shkodër, Fier-Vlorë) dhe jo vetëm duhet të “dëgjohen profesionalisht”. Në çdo rast, qytetarët presin dhe meritojnë zgjidhje institucionale. “Mitizimi i udhëheqësve”, “qasjet propagandistike” për të politizuar dhe privatizuar “dashurinë për vendin dhe qytetarët”, sindroma bolshevike për të “gjetur fajtorin, në mos armikun te pala tjetër politike”, në opinionin tim, janë tërësisht të tejkaluara, nuk kontribuojnë aspak për shoqërinë që meritojnë shqiptarët. Dhe kështu “mësimi nga kjo emergjencë” mbetet mesazh i fortë për të përmirësuar rrënjësisht sistemin, që nuk i “nuk ndan por i bashkon palët”, promovon solidaritetin nderqytetar dhe drejton shoqërinë në përballjen me fatkeqësitë e natyrës, njerëzore, industriale etj. Dhe kështu, mbetet kritike ngritja e një sistem të qëndrueshëm që vlerëson rreziqet, identifikon misionin, përgjegjësitë, strukturat, adreson mësimet e nxjerra, mat përgjegjshmërinë shtetare (kush bën çfarë), që mbështetet në modelet perëndimore, që fokusohet përulësisht dhe institucionalisht në jetën, pronën, prosperitetin dhe dinjitetin e qytetarëve të vendit.   
*Këshilltar i Presidentit të Republikës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura