Emergjencat civile që vetëm emergjente nuk janë

Nov 30, 2019 | 10:39
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

pellumb nako

Institucioni i Emergjencave Civile për këto momente duhet. Po ashtu, edhe personeli i saj, për ngjarje të kësaj natyre trajnohet, pajiset dhe paguhet. Por ajo që u pa dhe u dëshmua në këto ditë tragjike ishte me përmasa dëshpëruese. Vetëm emergjencë nuk u tregua. Në këto ditë, në emër të solidaritetit kaq të nevojshëm me viktimat dhe me mijëra vullnetarë të huaj dhe vendorë, nuk është e thënë të rrish i heshtur. Të mos vësh në dukje pikërisht papërgjegjshmërinë e vendimmarrjes se niveleve të larta qeveritare për institucionin në fjalë. Sepse në gjendjen e mjerueshme të këtij institucioni, u shfaq lakuriq serioziteti i një qeverie, e cila duhet të kishte rregulluar të paktën disa gjëra pas tërmetit paralajmërues të shtatorit. Praktikisht asgjë nuk është bërë. Emergjencat civile po përballen me katastrofën të pajisur me krahë, duar, thonj, si dhe një xhup. Të gjithë të motivuar nga përgjegjshmëria qytetare dhe jo profesionale. Pra, në thelb, kemi të bëjmë me një trupë qytetare, e cila quhet emergjencë civile vetëm sepse ka në përbërje të saj persona me veshje ku shkruhet kjo fjalë dhe rrogën, me të cilën paguhen.

Në momentet e para, në Durrës, e pranishme ishte Policia. Por ajo pak gjë mund të bënte. Nuk është në profilin e saj. Po aq i shpejtë ishte edhe shefi i qeverisë. Por edhe ai, aty në atë vend, nuk mund të bënte gjë më shumë se Policia. Madje, më pak. Ajo që pritej ishte mbërritja e emergjencave civile. Pavarësisht se pa mjetet e duhura. Por ata nuk ishin të gatshëm, jo se nuk janë të përgjegjshëm. Sepse gjëra të mrekullueshme bënë më pas. Por ata nuk kishin organizimin e duhur. Mungonin tmerrësisht profesionalizmi i shefave, pajisjet e domosdoshme.

Mënyra sesi është trajtuar institucioni i Emergjencave Civile ka edhe ai historinë e tij. Të njëjtë me të tjerët. Fjalë, mburrje, premtime për vete. Baltë për paraardhësit dhe aspak para për investime.

Në muajin korrik të këtij viti, u mblodh edhe Komisioni i Sigurisë së Parlamentit për të trajtuar pikërisht nismën lidhur me një legjislacion të ri për emergjencat civile. Pavarësisht se bëhej fjalë për një ligj, në atë takim nuk u dha ndonjë shenjë konkrete për rritje buxheti, investimesh, mjetesh apo teknologjie për institucionin. Vetëm fjalë mahnitëse për vizionin e së ardhmes dhe baltë për të shkuarën. Më konkretisht, kryetarja e Komisionit u shpreh: “…Dua të theksoj absolutisht se pjesa më e rëndësishme e këtij projektligji është se sot ai sjell një revolucion në qasjen tonë ndaj emergjencave, duke e zhvendosur fokusin nga reagimi, te parandalimi dhe te zvogëlimi i riskut”. Ekzaktësisht ajo që mungoi tmerrësisht në këto ditë katastrofike. Me gjithë paralajmërimin e bërë në shtator. As revolucion e as vizion. Më pas, Kryetarja vazhdon: “Ë vërteta është se gjatë dekadave të fundit ka pasur një shpërfillje dhe një mungesë përgjegjësie të plotë ndaj parapërgatitjeve dhe zvogëlimit të riskut”. Pohim tipik i filozofisë rilindëse. Kundërshtari anatemohet për mungesë tragjike të mendimit, kurse vetes i atribuohet vizion shumëdimensional. Por, konkretisht asgjë. Dhe fatkeqësisht katastrofa është aty.

Në këtë takim, natyrshëm, ishte i pranishëm edhe shefi i madh i Emergjencave Civile. Njëlloj si në krye të Policisë, ai mbetet vetëm një “yes man” i lidershipit politik që gojën në mbrojtje të institucionit, të cilin drejton, e hap po aq sa para komisionit parlamentar kur u thirr për përdorimin e pajisjeve të përgjimit të cilësuara të paligjshme. Kriteret për drejtuesit e këtij institucioni i njeh vetëm Kryeministri.

Megjithatë, filozofia e Komisionit të Sigurisë për emergjencat civile nuk është diçka e rënë si rrufe në qiell të pastër. Ajo është reflektim i mendësisë së qeverisjes aktuale që në momentet e para të saj. Ndaj, edhe ndjek një vazhdimësi, e cila përkeqësohet gjithmonë e më shumë.

Vetëm disa kohë më parë, mbarë publiku është në dijeni të faktit që Ministria e Brendshme u rikonstruktua. Dhe me goxha shpenzime. Në termat e referencës për ndërtimin e saj, ndër të tjera, specifikohet: “Në katin e dytë është parashikuar edhe salla e emergjencave, e cila do të jetë bashkëkohore. Në të mund të mblidhen shtetarët në ndonjë rast fatkeqësie natyrore apo ngjarje të rënda. Kjo sallë do të ketë tre televizorë plazma të mëdhenj, ndërsa tavolina në formë ovale… karrige, kompjuterë, telefona. Kjo është një risi në Ministrinë e Brendshme…”. Pra, para dhe risi.

Para këto të harxhuara për një mjet, i cili nuk u pa gjëkundi të kryejë funksionin, për të cilin u krijua. Për të materializuar konkretisht vizionin e paparë të hierarkisë qeverisëse në veprim. Ajo që u dëshmua këto ditë, dhëmb. Kaos në menaxhimin e situatës. Në shpërndarjen e forcave, të cilat erdhën në ndihmë nga shumë drejtime. Po ashtu, edhe të ndihmave emergjente mjekësore, strehimi si dhe nevoja të tjera.

Në fakt, vënia në punë dhe funksionimi i një salle të tillë përbën kyçin e efikasitetit në raste emergjencash. Kjo, sepse në të njëjtën sallë mblidhen përfaqësues vendimmarrës të të gjithë institucioneve të interesuara, duke u integruar veprimet me njëri-tjetrin. Nëpërmjet mjeteve të komunikimit dhe informatikës, aty stokohen mbarë informacionet e marra në terren dhe nga burime të tjera. Centralizohet vendimmarrja në një dorë. Gjithë operacionet në terren koordinohen më mirë e më saktë nga një komandë e vetme. Po ashtu, shpërndahen edhe forcat. Nuk lihet pas dore as komunikimi i rregullt me publikun dhe median, me qëllim kontrollin dhe qetësimin e situatës nga duar profesionistësh dhe jo politikanësh që më së shumti kërkojnë protagonizëm. Këtë detyrë të shtetit, në fakt, e bëri media dhe gazetarët e terrenit.

Ndërkohë, jo rastësisht, në vitin 1997, kur në vendin tonë mbërriti misioni italian i INTERFORZA, asistencën e tij e filloi pikërisht nga konceptimi, financimi dhe ndërtimi i sallës së emergjencave apo krizave në Ministrinë e Brendshme. Sot jemi plot 22 vite më pas dhe me gjithë revolucionin e pretenduar se po arrihet nga kryetarja e Komisionit të Sigurisë, në emergjencat civile, me gjithë vizionin plot dritë të ish-ministrit të Brendshëm sot nën hetim, kjo sallë nuk është vënë ende në punë. Nuk janë vënë në punë edhe sallat e emergjencave pranë prefekturave, po ashtu të parashikuara vite më parë.

Funksionimi i sallave të emergjencave nuk është qëllim i ngushtë në vetvete, por përbën mënyrën më reale sesi duhet menaxhuar situata në raste të tilla. Veprimi ndryshe krijon gjullurdi. Dhe princi i saj më kot merr pamje të një meraku të madh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura