Emër të njëjtë me presidentin dhe buxhet 15-20 milionë euro, Kairati në kulmin e sezonit para Skënderbeut

Jul 8, 2017 | 9:58
SHPËRNDAJE

Kairati është në kulmin e sezonit në Kazakistan dhe ky është një nga disavantazhet e Skënderbeut që ka nisur përgatitjet për Ligën e Europës vetëm në fillim të muajit qershor. Skuadra që përfaqëson qytetin e Almatisë i luan ndeshjet si pritës në stadiumin “Almaty Central”, me kapacitet 23.804 vendesh të ulura.

kairat almati

Për herë të fundit stadiumi është rikonstruktuar në vitin 2011, në një kohë që inaugurimi i tij është bërë në 1958-ën. Stadiumi “Almaty Central” shërben gjithashtu edhe si shtëpia e Kombëtares së Kazakistanit. Kairati është një ndër klubet elitare të Kazakistanit, teksa është themeluar në vitin 1954.

Kairati ka fituar vetëm dy herë titullin kampion të Kazakistanit, pikërisht në vitet 1992 dhe 2004. Kupën e Kazakistanit e ka fituar 7 herë, ndërsa Superkupën vetëm një herë. Klubi financohet nga biznesmeni Kairat Boranbajev dhe ka një buxhet vjetor që shkon deri në 15-20 milionë euro.

Aktualisht, skuadra e drejtuar nga trajneri gjeorgjian Kakhaber Tshadadze pozicionohet në vendin e dytë në kampionat pas 19 ndeshjeve të luajtura. Kairati ka 40 pikë, 8 më pak se Astana kryesuese, që ka luajtur një ndeshje më shumë. Përpara se rivalët e Skënderbeut të luajnë takimin e parë të vlefshëm për turin e dytë të Ligës së Europës do të zbresin nesër në fushë për kampionat, teksa luajnë në transfertë ndaj Akzhajik.

I pyetur pas kualifikimit ndaj Atlantas në turin e parë, trajneri Tshadadze “injoroi” ndeshjen me korçarët. “Nuk më intereson tani Liga e Europës, përpara kemi një ndeshje në kampionat, ku duhet të marrim tri pikë. Rivali ynë, Astana, ka fituar, kështu që duhet të rikuperojmë”, ka thënë gjeorgjiani.

kairat

Ndërkohë, Skënderbeu nuk është i vetmi klub shqiptar që Kairati është përballur në Europë. Tre vite më parë kazakët eliminuan Kukësin pas fitores 1-0 në Almati dhe barazimit 0-0 në Tiranë. Ndërsa edicionin e kaluar, kazakët eliminuan Teutën në turin e parë, duke triumfuar 0-1 në Durrës dhe me rezultatin e thellë, 5-0 në Almati.

ARSHAVIN, YLLI 36-VJEÇAR

Klubi kazak që do të përballet më 13 korrik me Skënderbeun ka në përbërje plot 10 lojtarë jovendës. Në mbrojtje ka spanjollin Çesar Arzo Amposta, që ka luajtur me Vijarealin në Premiera Divizion. Një tjetër lojtar kyç në këtë repart është serbi Zarko Markoviç, që më parë është aktivizuar në Rumani te Gaz Metan.

Megjithatë, ylli i ekipit është padyshim sulmuesi rus Andrei Arshavin. 36 vjeç, ai vazhdon të jetë një pikë kyçe te kazakët, edhe pse në 18 ndeshjet e para ka shënuar vetëm tre gola. Ish-sulmuesi i Arsenalit luan më shumë si lojtar krahu, pasi bomberi te Kairatit është Gerard Gohu nga Bregu i Fildishtë. Ka shënuar 14 gola në 18 ndeshje deri më tani dhe mbetet qendërsulmuesi më i mirë i Kairatit në katër sezonet e fundit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura