Elvis Hoxha: Kryeministri do të vrasë teatrin

Apr 3, 2018 | 11:45
SHPËRNDAJE

Unë e kam jetuar këtë teatër dhe pse ai është më i vjetër se unë. Kemi një fat të keq këtu se institucionet jetojnë më pak se njerëzit. Sot më vjen keq, Teatri ka lindur para meje, por shumë institucione që kanë lindur pas meje, faktikisht do zhduken para meje. Nuk ka gjë më të hidhur. E dyta, që me vjen tmerrësisht keq, është ky lloj kodi që kemi ne në mendim. Ne kemi një fat shumë të madh sepse kemi pas një kryeministër mjek dhe një piktor.

elvis hoxha

Ai i pari vrau më 21 janar njerëz, edhe pse si mjek ka betimin e Hipokratit për të shpëtuar njerëz, pikërisht ai ka shkelur hapur betimin e disiplinës së tij të mjekësisë. Ky kryeministri i tanishëm, që i thotë vetes artist, ka shkelur gjithë kodet e artit, sepse gjatë kohës së tij me mirëmbajtjen e tij, është vrarë kinema “Republika”, “17 Nëntori”, stadiumi..- janë vrarë gjithë vendet e artit, kanë përfunduar nën kulla. Akademia e Artit, Teatri i Operës kanë qenë dhuratë prej rusëve, kjo do të thotë se gjithë perandoritë na kanë lënë një trashëgimi dhe që ne bëjmë shtet duke zhdukur gjithë këto gjurmë. Këta janë vrasës serial-killer dhe më i madhi serial-killeri është Ministria e Kulturës, që vrau ishgodinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe tani shkoi të vriste Kinostudion. I prodhojmë këta.

T’i akuzosh këta dhe të thuash se mungon frika, por më shumë se frika, këtu mungon dashuria. Unë s’kam vend të flas këtu. Këtu duhet të ishin shumë artistë. Vetë ata duhej të flisnin, sepse kanë jetuar me djersë. Ne jetojmë me emrat e personazheve tanë. Emri im është i vdekshëm. Këta aktorë kanë jetuar me emrat e personazheve. Nëse ka arritje Shqipëria, është vetëm vënia në skenë e një pjese të Europës. Në vend që të shtonte sipërfaqen, Kryeministri thotë a ka mundësi t’jua vras teatrin. Sa do të vrasin akoma? Sepse këta po vrasin talentet e njeriut.

Kjo është të presësh të gjithë talentet që ka njeriu. T’ia vrasësh aktrimin, dramaturgjinë, talentin e shkrimit, muzikën, kërcimin…çfarë do të bëhet ky njeri veçse skllav. Këta janë vrasës të një cilësie të veçantë. Këta janë prodhues të skllavërisë, e një teknologjie të rreme, që gënjen shqiptarin sepse do lodrat, ndonjë ‘Benz Mercedes’, nuk i do personazhet historikë, por kullat i do, vetëm të shesë. Ne po jetojmë tragjedinë e artit. Tragjedia ka lindur për ta hequr nga rruga. Ta lexojmë dhimbjen e tragjedisë. E futëm tragjedinë në skenë që të mos prodhohej e keqja mes njerëzimit. Ne po e nxjerrim prapë nga skena po e fusim në popull.

Ne nuk bëjmë pyetjen përse vriten kaq shumë shqiptarët mes tyre? Po vriten sepse ne nuk e shohim tragjedinë në skenë. Ne e rivalizojmë teatrin si disiplinë me ‘Big brother’, ‘Portokalli’, ‘Al Pazar’ dhe ashtu siç bëjnë me pronën publike që e lejojmë ta shkatërrojnë, e më pas thonë se shteti nuk e mban dot. Sikur ta mbanin Teatrin gjallë përpara se të vdisnin artistët e mëdhenj, të paktën ata mos ta shohin sesi rrënohet jeta e tyre. Të paktën këta të gjorët që prodhuan një ndjenjë, ç’kusur kanë…?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura