Elsa Lila, një koncert me muzikë klasike e këngë shqiptare

May 3, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Kishte kohë që Elsa Lila nuk shfaqej me një projekt të vetin. Një vit më parë, ajo ishte një prej 4 anëtarëve të jurisë së “Voice of Albania” dhe tashmë rikthehet në vëmendjen e të gjithëve me një projekt të ri, tërësisht ndryshe.Elsa-Lila

Ka vendosur t’i kthehet shtëpisë ku është rritur, korridoreve ku luhej muzikë klasike e operistike. Në datën 13 maj, Elsa Lila do të japë një koncert në “Nuovo Cinema Palazzo”, në Romë, bashkë me “Orchestra Notturna Clandestina”. Një koncert tërësisht i veçantë, ku Lila do të këndojë arie operistike, por pa importimin lirik. Po ashtu edhe këngë tradicionale shqiptare, sjellë në një variant më klasik. Elsa Lila ka dhënë një intervistë për “Shqiptarin e Italisë”, ku zbulon projektin e saj të ri, por edhe fëmijërinë në korridoret e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku ajo shpreson të kthehet me koncertin “Nga Bahu në Ballkan”.

U bë kohë që nuk dëgjonim për ju…

Është e vërtetë, u bë kohë që nuk bëja një koncert timin, gjatë të cilit të kisha gjithë kohën e duhur për të treguar, shpjeguar dhe për t’u dëgjuar me durim dhe dashuri, e përmes të cilit të vij më afër njerëzve, me të cilët, në një koncert dal vivo, kontakti është direkt, emocionues! E gjithë kjo më ka munguar… Por shumë punë në studio gjatë këtyre viteve, kolona zanore, pjesëmarrje nëpër projekte, koncerte dhe iniciativa, më kanë pasuruar me eksperienca njerëzore dhe profesionale. Por është pikërisht në këtë udhëtim intim kërkimesh dhe studimi që kam qenë larg publikut, kam takuar Enrico Melozzi, drejtuesin, ideatorin dhe lokomotivën e “Orchestra Notturna Clandestina”, me të cilin më lidh tashmë një miqësi dhe bashkëpunim i gjatë. Enrico Melozzi është një violinçelist, kompozitor, orkestrues dhe dirigjent orkestre, shumë i talentuar, por po ta shohësh e ta njohësh, më shumë duket sikur vjen nga një grup punk, sesa nga një orkestër klasike.

Ç’është “Orchestra Notturna Clandestina”?

Enrico, tre muaj më parë, ka krijuar një orkestër të pavarur, e përbërë nga muzikantë shumë të zotë, të angazhuar në shumë produksione artistike, por të lodhur duke ndjekur rregulloret e vendosura nga programacionet e njërit apo tjetrit teatër, të kësaj apo asaj akademie, apo kush vendoste për muzikën e tyre. Dhe orkestra është një orkestër “klandestine”, pikërisht sepse është përtej çdo lloj forme burokratike kulturore, me të cilën Italia sot është deri në fyt, nuk i kërkon shtetit financime apo kontribute “politike”, por është një organizëm shumë më i gjallë dhe në lëvizje se të tjerët, të quajtur “sipas rregullave të shtetit” apo “institucionale”, që më së shumti u ngjajnë elefantëve në fund të jetës, që tërhiqen zvarrë nëpër shkretëtirë. Një shkretëtirë stonaturash të përhershme dhe që pas kaq shumë vitesh është kthyer në normalitet, gati si një notë e intonuar në mënyrë perfekte. “Notturna” sepse gjatë ditës, për të mbijetuar, anëtarët e saj duhet të luajnë atë që vendosin të tjerët për ta… Por mbrëmjeve mblidhen për të bërë muzikë. Muzikën që ata zgjedhin dhe u pëlqen dhe që i bën të ndihen më afër atij tipi tingulli që për ta është ndjeshmëri dhe muzikë e vërtetë. Interpretojnë muzikë klasike, muzikë nga kompozitorë bashkëkohorë, si dhe eksperimentime të ndryshme. I ushqen një pasion i vërtetë, i pastër, entuziazëm i madh dhe dashuri për familjen e tyre të re e të bukur: “L’Orchestra Notturna Clandestina”.

Si lindi bashkëpunimi?

Enrico më ftoi të realizonim një koncert, një projekt me orkestrën, ideja më entuziazmoi dhe iu vumë punës menjëherë. Është një privilegj për mua që të kem 22 muzikantë të këtij niveli, për t’u shprehur përmes muzikës, dhe pa dyshim të kem në krah Enrico-n. Kalojmë net të tëra duke dëgjuar muzikë klasike dhe antike. Ai dëgjon muzikë antike për shkak të edukimit muzikor klasik, por është edhe shija e tij natyrale që e drejton te një muzikë e tillë; ndërsa unë, edhe pse jam e njohur më shumë në muzikën pop, jam rritur në korridoret e Teatrit të Operës në Tiranë, ku im atë, Edmondi, punonte si këngëtar (tenor) në korin e Teatrit.

Pra, një kthim në origjinë?

Pikërisht. E kam kaluar fëmijërinë time mes dramave të Violetës e Toskës, mes trillit dhe realiteti,t mes parukave të mrekullueshme që mbanin erë llake flokësh dhe kokash, veshje të mrekullueshme skenash për sytë e mi prej fëmije, shumë, shumë instrumente ngado, prova, tension, emocion, por mbi të gjitha muzika klasike, operat, simfonitë, koncertet, baletet, orkestra simfonike, e madhe, e madhe. Me pak fjalë, muzika klasike na bashkoi, mua dhe Enrico-n, në një mënyrë të pandashme. Duke pasur me vete orkestrën klasike, menduam menjëherë të eksperimentonim, duke përdorur zërin tim për arie klasike. Disa prej atyre që gjatë viteve i kemi zbuluar dhe dashur. Nga ky bashkëpunim lindi edhe koncerti që e kemi titulluar si të ishte një udhëtim “Nga Bahu në Ballkan”, që do të debutojë në “Nuovo Cinema Palazzo”, në Romë.

Çfarë duhet të presë publiku?

Do të jetë një program tepër i artikuluar: dy arie nga “Magnificat” i Bahut, një arie nga “Farnace” i Vivaldit, një pjesë e Moxartit për piano dhe orkestër, e cila në të vërtetë do të kthehet në një këngë antike (një eksperiment i yni), një arie e kompozitorit dhe violinçelistit Giovanni Sollima, që është një mjeshtër dhe udhërrëfyes për ne. Dhe ëmbëlsira për në fund, disa këngë nga muzika jonë tradicionale shqiptare, të sjella në formë më klasike.

Pra, do t’ju shohim si një këngëtare lirike?

Sigurisht, unë nuk jam një këngëtare lirike, por kemi kërkuar të gjithë, për sa u përket kompozimeve të autorëve klasikë, të jemi sa më afër origjinalit. Duke shfrytëzuar vokalin tim natyral pa impostime lirike apo klasicizmi, ne kemi zbuluar t’i jemi afruar origjinalit më shumë se interpretimet e artistëve të famshëm, që gjatë viteve e kanë kthyer muzikën lirike në një shfaqje akademike. Shpesh, këngëtarët lirikë vibrojnë aq shumë saqë nuk kuptohen më se çfarë note po këndojnë, për të mos diskutuar pastaj për fjalët.

Mendoni se do t’i pëlqejë publikut të gjerë?

Rezultati që kemi arritur është i këndshëm dhe aspak i mërzitshëm. Duke kënduar këtë muzikë që duket sikur është harruar nga bota, arrin të njohësh nga afër ato gene që përfundimisht kanë përkthyer në muzikë maksimumin e shprehjes dhe inteligjencës njerëzore, dhe nëse hyn në botën e tyre, në labirintin e tyre, nuk ka më kthim: është një zhytje në shijimin dhe zbulimin e kombinimeve kaq të mrekullueshme e inteligjente të tingujve.

Pra, në 13 maj është takimi me “Nga Bah në Ballkan” në “Nuovo Cinema Palazzo”, në Romë. Edhe vendi është i veçantë…

Vërtet, “Nga Bah në Ballkan” do të debutojë në “Nuovo Cinema Palazzo”, në Romë, qytet ku jeton shumica e orkestrantëve. Është një teatër “i pushtuar” nga artistë, regjisorë, aktorë, muzikantë, shkrimtarë, e mbi të gjitha është i bukur, i vërtetë e plot ngjyra, që të tërheq. Një hapësirë e gjitha e menaxhuar nga artistët, prej 5 vitesh të gjata pune, spektakle të të gjitha llojeve e shumë ëndrra. Është një formë e re vetëmenaxhimi dhe vetëmbrojtjeje e artistëve, duke mos u bërë pjesë e fabrikës së hiçit, duke pasur një teatër të lirë nga politika, drejtorët e hierarkitë, kontratat, lejet dhe sindikatat.

Po në të ardhmen?

Do të donim ta shëtisnim në të gjithë botën këtë udhëtim muzikor nga Bahu në Ballkan. Përse jo, do të ishte bukur ta vije në skenën e Teatrit të Operës në Tiranë, ku jam rritur, apo në Teatrin e Prishtinës. Gjithsesi, ne autobusin e kemi marrë me qira. Muzikantët që nuk udhëtojnë janë si zogj në kafaz, duhet të shpërndajnë muzikën në kohë dhe hapësirë.

(“Shqiptari i Italisë”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura