Elsa Ballauri: Kam menduar se mëmësia është kuriozitet

Sep 29, 2014 | 14:48
SHPËRNDAJE

Një nga gratë më aktive në jetën publike shqiptare, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, Elsa Ballauri është para së gjithash një femër. Në një intervistë për “Safo/Gruaja dhe erosi”, ajo rrëfen më tepër për këtë pjesë të brendshme të sajën…

Liria, mbytëse apo çliruese?
Liria është çliruese, nëse edhe unë do të përdor fjalën tuaj. Por liria është nocion i madh, me shumë hapësira. Shpesh, kur duam ta përkufizojmë me një fjalë të vetme, padashje e kufizojmë. Unë preferoj thënien e Gëtes, se mungesa e lirisë shpirtërore është skllavëri. Liria asnjëherë nuk është mbytëse, nëse e kemi brenda vetes..
Dashuria, prangat i thyen apo i vë?
I thyen dhe i vë njëkohësisht. Por është e diskutueshme, sepse ndryshe e kupton secili konceptin e prangave. Shpesh, atë që unë e quaj prangë, dikush e quan përkëdhelje. Mendoj se dashuri atë bën, ta njohësh më mirë veten dhe kjo është një nga vlerat e saj më magjike. Kështu, ajo është thyese e madhe prangash, sepse secili brenda vetes ka shumë ndalime, hekura, që e izolojnë, mure të padukshme. Njohja e vetes mund të jetë fraza më e zakonshme dhe në dukje, pa asnjë ngacmim emocional. Por, nëse hyn në atë labirint, i cili është kryesisht një tunel pa dritë, kupton magjinë e saj. Është një tunel që të debolon. Me sa duket, njohja e vetes nuk është festive. Të paktën mua kështu më ka ndodhur. Çdo herë sjell diçka të re në veten tënde. Të duket sikur po njeh një mik të ri. Kam kohë, që kam zbuluar se jetës ia kërkojmë kuriozitetet edhe për shkak të egoizmit tonë. Dashuria, njohjet, martesa, fëmijët. Dhe mendoja: Po pastaj?! Ç’mbetet pastaj për t’u zbuluar? Dhe kjo është vetvetja, kurioziteti më i madh dhe i pafund… Dhe është po ashtu interesante, se njohja më e mirë dhe më e thellë e vetes, vjen nëpërmjet ngjarjeve të dashurisë, kryesisht atyre të trishtuara.
Loja e dashurisë me prangat është më e goditura për të njohur veten. Varësia që shpesh të dashuruarit krijojnë, aq sa i gëzon apo i mundon, hap një tjetër dimension për të njohur veten.  
Morali, kufi apo rritje?
Kufi që e vendosim sipas një marrëveshjeje. Jam dakord me këtë marrëveshje, nëse nuk ka të bëjë me të keqen.
Martesa, zgjidhje apo zgjedhje?
Duhet të jetë një zgjedhje, që shpesh dhe fatkeqësisht ndodh nëpërmjet zgjidhjes.
Burri, mik e shok apo frymëzues?
Sikur të jenë të gjitha këto, është gati, gati… dashuri.
Mëmësia, dhuratë apo stil jete?
E para është e kuptueshme nga të gjithë, sidomos nga gratë. Bëj shaka dhe thuaji një gruaje se mëmësia është stil jete. Do të quhesh snobe dhe e pashpirt. Nuk ka stil jete me instinktin. Por shpesh kam menduar se mëmësia është … kuriozitet.
Shtëpia ideale e ëndrrës, e vogël apo pallat madhështor?
E madhe aq sa të më nxërë mua me gjithë ëndrra dhe këto, ndonjëherë janë thjesht një bibliotekë, e ndonjëherë bëhen poezi e domosdoshme dhe m’i humbasin përmasat. Më pëlqen akoma të ëndërroj. Në vendin, kohën dhe ajrin që jetoj, preferoj të vazhdoj ëndrrën pa përmasa shtëpie.
Trupi, burg apo liri?
Trupi është varësi e shpirtit. Më ka ndodhur kur isha 20 vjeçe të ndjehesha shumë e vjetër dhe kur u moshova, të ndjehem 20 vjeçe. Mendoj se i duhet kushtuar më shumë kohë dhe rëndësi zemrës, sepse ajo e përdor trupin sipas tekave të saj.
Erotika, një natë e paharruar apo jetë e përbashkët?
Sa më gjatë t’i qëndrojë lidhjes dashurore, aq më të fituar janë fatlumët që e provojnë.
Erosi, si lindje apo si vdekje?
Mendoj që erosi është sinonim më i plotë i fjalës dashuri, ku shpirtërorja dhe fizikja janë në sinkron. Kush e ndjen dhe e provon kësisoj, mund të eksperimentojë edhe lindjen, edhe vdekjen.

 Bisedoi: Blerina Goce

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura